Kërko

 Migrantët sirianë në kufirin grek Migrantët sirianë në kufirin grek 

Kardinali Hollerich: me emigrantët Evropa rrezikohet t’i humbasë

Mbetet i lartë tensioni në kufirin ndërmjet Greqisë e Turqisë, ku dje shpërthyen ndeshje ndërmjet grupeve të migrantëve dhe policisë greke. Kardinali Hollerich i bën thirrje Evropës të mos e harrojë humanizmin e saj tradicional.

R. SH. - Vatikan

Turqia do të dërgojë ushtarë të forcave speciale në kufirin me Greqinë, për ta shmangur dëbimin e migrantëve nga ana e Athinës. Në kufi janë grumbulluar edhe 138 mijë njerëz, që përpiqen të hyjnë në Bashkimin evropian, ndërsa Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrel,  denoncon se "migrantët po lëshohen kundër kufijve e po përdoren si armë”. Nga Brukseli, Komisioni Evropian ngulmon mbi “nevojën e kërkimit të një dialogu të qetë me Turqinë lidhur me shkaqet e krizës së refugjatëve”. Dje, gjithnjë Komisioni, ripohoi se është e nevojshme “që kufijtë të mbahen të mbyllur, por duke i respektuar të drejtat e njeriut”.  Këtë i kërkon Evropës edhe kardinali Jean Claude Hollerich, kryetar i Comece-s, Komisionit të episkopateve të Bashkimit Evropian:

“Është tragjedi humanitare, tragjedi për njerëzit, që lëvizën plot shpresë drejt Bashkimit Evropian, duke mbetur para portave të mbyllura! Janë njerëz të varfër, të ligësht, ata që po trokasin në portat tona, e është edhe një problem, i cili na takon ne: humbja e humanizmit! Po humbasim ndërgjegjën tonë, duke iu kundërvënë kështu, të gjitha vlerave të Bashkimit Evropian, vlerave të Evropës”.

Me sa tregojnë faktet, Bashkimi Evropian e ka humbur prej kohe ndërgjegjen…

“Po, e më vjen shumë keq, sepse çka po ndodh në Siri është edhe problemi ynë. Siria është vend pranë nesh, pranë BE-së, e fakti që BE-ja  nuk ka pasur një politikë të jashtme të përbashkët për Sirinë, prodhoi këtë situatë. Ne, evropianët, nuk vepruam politikisht në favor të paqes e të kompromisit në Siri e tani nuk duam t’i mirëpresim këta njerëz  të varfër e nevojtarë. Kjo i kundërvihet plotësisht të gjitha idealeve të Evropës, gjë që tregon se e kemi humbur  fare ndërgjegjen!”.

Ç’duhet të bëjë Evropa, sipas Jush, për t’u sjellë pakëz më njerëzisht?

“Jam i kënaqur që Ministri i Punëve të jashtme i Luksemburgut deklaroi  se vendi i tij do të strehojë 10 të mitur. Natyrisht kjo është vetëm një pikë uji në oqeanin e të ikurve, po më mirë kaq, se asgjë. Nëse të gjitha vendet do të bënin të njëjtën gjë, situata do të ndryshonte. Ndërsa jam dakord me ata që mendojnë se Turqia po bën shumë keq, që po i përdor njerëzit për të bërë presion mbi Evropën”.

 

06 mars 2020, 18:38