Kërko

Vatican News
 Pamje nga Arkivat e Vatikanit Pamje nga Arkivat e Vatikanit 

Gallagher: nga Arkivat, madhështia e figurës së Piut XII

Intervistë me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet: kartat e vëna në dispozicion për studiuesit, duke nisur që nesër, 2 mars, do të jenë dëshmitare të veprës bamirëse të Papës Pacelli si dhe të përpjekjeve për kontakte me bllokun sovjetik

R. SH. - Vatikan

Tashmë gjithçka ëshë gati për hapjen e Arkivave  të Selisë së Shenjtë,  që kanë të bëjnë me papninë e Piut XII. Ndërmjet dokumenteve, që do të jenë në dispozicion të studiuesve, kujtojmë ato të Arkivit Historik të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet të Sekretarisë së Shtetit. Me këtë rast, folëm me kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, Sekretar për marrëdhëniet me Shtetet:

Me hapjen e Arkivit Historik të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet,  çfarë tipi dokumentesh do të mund të konsultohen?

“Arkivi Historik i Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet është Arkiv i një institucioni, që u themelua mjaft vonë, në vitin 1814 e që vijon veprimtarinë. Arkivi Historik i Sekretarisë së Shtetit (Seksioni i Marrëdhënieve me Shtetet) lidhet fiziologjikisht me veprimtarinë e entit prodhues. Fizionomia e tij ka të bëjë pikërisht me zhvillimin dhe veprimtarinë e Sekretarisë së Shtetit në shkallë ndërkombëtare, me diplomacinë e Papës në mbrojtje të paqes e të drejtësisë për popujt. Dokumentet, që një herë e një kohë i përkisnin Kongregatës për Çështjet e Jashtëzakonshme Kishtare (AAA.EE.SS) e më pas, në vitin 1960, Këshillit për Punët Publike të Kishës (AA.PP) ruhen të gjitha pranë Seksionit tonë. Ruhen gjithashtu edhe Sesionet e mbledhjeve të kardinajve të Kongregatës Kishtare të AA.EE.SS, fondi Caprano dhe kartat e kardinalit Agostino Casaroli”.

Ç’ përmban Arkivi Historik i Sekretarisë së Shtetit lidhur me papninë e Piut XII? Për çfarë dokumentesh bëhet fjalë?

“Piu XII papnoi në një periudhë vendimtare (1939-1958) të historisë së nëntëqindës, nga Lufta II Botërore, deri tek Lufta e Ftohtë. Njëzet vjet me radhë. Materiali dokumentar, që i përket papnisë së Piut XII përmban rreth 2 milionë karta, baraz me 323 metra lineare. Në to shkruhet historia e veprimtarisë së Selisë së Shenjtë gjatë konfliktit botëror; marrëdhëniet diplomatike; çështjet konkordatare, traktatet, veprat humanitare e asistenciale; marrëdhëniet periodike lidhur me situata politiko-fetare; çështje shkollore, probleme të Shtetit të Vatikanit, veprimtari të disa protagonistëve, si kardinali Maglione, imzot Tardini , imzot Montini etj”.

Një nga karakteristikat e Arkivit tuaj është dixhitalizimi i dokumenteve, Ç’ dobi kanë studiuesit nga kjo?

“Më 2 mars më se 1.300.000 dokumente të dixhitalizuara e të inventarizuara do të vihen në dispozicion të studiuesve. 10 vjetët e para të papnisë paceliane(1939-1948) janë gati. Dixhitalizimi ka shumë avantazhe: përsa i përket ruajtjes, metoda e dixhitalizimit garanton mbrojtjen më korrekte të dokumenteve  unike në botë, duke i dhënë fund  detyrimit të transportit të kartave e të konsultimit të materialeve. Lehtëson edhe konsultimin: kapaciteti i Sallës së Konsultimit është 20+2 vetë. Të gjithë mund të konsultojnë njëheresh me të tjerët të gjitha dokumentet në dispozicion. Nuk është nevoja të humbasësh asnjë minut kohë, edhe pse mund t’i kërkosh menjëherë kopjet e dokumentit, që dëshiron ta marrësh me vete”.

Mund të na kujtoni ndonjë seri a fond të veçantë?

“Përveç serive tradicionale të Fondit AA.EE.SS., që në shumicën e rasteve përkojnë me kombet me të cilat Selia e Shenjtë ka marrëdhënie diplomatike, mund të kujtoj vëllimet e S.A.R.E, Shërbimin e Dëgjimit të Radiove të Huaja. Nga maji i vitit 1944, aty nga fundi i Luftës II Botërore, një grup  rregulltaresh i dëgjonin dhe i shkruanin lajmet e programeve  kushtuar luftës, duke informuar menjëherë Eprorët e Sekretarisë së Shtetit. Ishte fjala për radiot, që flisnin në kombe e kontinente të ndryshme. Edhe veprimtaria e Selisë së Shenjtë për shpëtimin e Romës, më 1939-1944, meriton sigurisht të kujtohet. E pastaj, ka edhe një të re tjetër të madhe! Një sasi prej gati 100.000 dokumentesh dixhitale mund të konsiderohet me interes të madh”.

Çfarë mund të thuhet për Piun XII, duke u nisur nga puna e bërë për  katalogizimin dhe dixhitalizimin?

“Figura e Papës na shfaqet në gjithë madhështinë e vet, si mbrojtës i njerëzimit e Bari i vërtetë universal. Pacelli ishte diplomat i guximshëm. Si Papë, u dallua për bamirësi të pakufishme, që jo gjithnjë u kuptua drejt e u mbështet, madje edhe brenda mureve të Vatikanit. Nga kartat mësojmë  përpjekjet e pallogaritshme të Papës për t’iu përgjigjur kërkimit të ndihmës për shpëtimin e të persektuarve e të nevojtarëve në rrezik jete. Del në pah, natyrisht, edhe urrejtja e nazizmit kundër Kishës katolike e, kryesisht, kundër vetë Papës”.

Arkivi historik lidhur me papninë e Piut XII do të ofrojë pa dyshim  hollësira interesante edhe mbi fillimin e Luftës së Ftohtë. Çfarë mund të presim në këtë drejtim? Është e vërtetë se Papa Pacelli mund të konsiderohet si pararendës i Ostpolitik-ës?

“Nuk më takon mua të jap mendimin a gjykimin tim, por sigurisht do të dalin në dritë edhe karta të papritura, që hedhin dritë të re mbi një mori çështjesh. Studimet e kohëve të fundit tregojnë se, menjëherë pas fundit të luftës, vërehet një veprimtari e ethshme  klerikësh të dërguar nga Papa për të biseduar me sovjetët e rangut të lartë. Burimet që kemi në dispozicion,   dëshmojnë se Piut XII kërkonte një “modus vivendi”, fjalë kyçe e të ashtuquajturës Ostpolitik. Ndoshta edhe kjo do të vërtetohet!”.

01 mars 2020, 17:17