Kërko

Gjykata e Vatikanit Gjykata e Vatikanit 

Emergjenca Covid-19, pezullohen seancat gjyqësore në Vatikan

Si masë parandaluese, në Vatikan, janë pezulluar të gjitha seancat gjyqësore deri në një datë të pacaktuar. Vijojnë hetimet për të gjetur prova, që s’presin, si edhe procedurat gjyqësore që kanë të bëjnë me të burgosurit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku vendosi të pezullojë veprimtarinë gjyqësore në Shtetin e Vatikanit. Kjo masë parandaluese, për shkak të emergjencës së koronavirusit, njoftohet sot përmes një Reskripti, që mban firmën e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin.

         Në dokument thuhet se që nesër e deri më 3 prill “seancat e proceseve në vijim në të gjitha zyrat gjyqësore shtyhen zyrtarisht deri në datën 3 prill 2020”, përveç disa përjashtimeve. Pezullohen edhe të gjitha afatet për çdo lloj akti procedurial e në rastin kur afati fillon gjatë periudhës së pezullimit, shtyhet për fundin e kësaj periudhe. Pezullohen edhe të gjitha afatet e parashkrimit, përveç disa përjashtimeve.

         Përjashtimet kanë të bëjnë me ato procedura gjyqësore, që nuk mund të shtyhen, pasi vonesa shkakton dëme të rënda për palët; me ato çështje penale, që nuk e kanë kaluar akoma shkallën e parë të gjykimit; me çështje penale, për të cilat të akuzuarit janë burgosur, ose i nënshtrohen kufizimit të lirisë personale; me çështje penale, për të cilat ka nevojë urgjente të përftohen prova, që s’presin.

         Kryetari i Gjykatës së Vatikanit mund të kufizojë hyrjen në zyra, duke garantuar kalimin e personave, që kanë punë urgjente. Vlejnë edhe në Vatikan masat e marra në Itali e në vende të tjera të botës për përdorimin e prenotimeve me internet, të komunikimeve me telefon e me email, për caktimin e orareve fikse të pritjes, si edhe për kryerjen e seancave gjyqësore të domosdoshme me dyer të mbyllura.

         “Kjo dispozitë, e miratuar tashmë në Itali, - specifikon nota zyrtare - nuk vlen për veprimtaritë hetimore dhe, në përgjithësi, për ato të kryera para seancës dëgjimore, as për ato procedura, që duhet të trajtohen për arsye urgjente”.

19 mars 2020, 14:41