Udha e Kryqit me Papën Françesku (2019) Udha e Kryqit me Papën Françesku (2019) 

Imzot Roche: dekret për të ndalur infektimin, por jo lutjen

Sekretari i Kongregatës së Kultit Hyjnor, kryeipeshkvi Arthur Roche, shpjegon dekretin e ri me dispozitat për kremtimin e Pashkëve në kohë pandemie.

R.SH. - Vatikan

“Në këtë çast sprove duhet të përpiqemi të ndalim infektimin nga koronavirusi, pa e ndalur lutjen, madje, duke e shumëfishuar”. Sekretari i Kongregatës së Kultit Hyjnor, kryeipeshkvi Arthur Roche, e shpjegon kështu, në mediat e Vatikanit, dekretin e ri të Dikasterit për kremtimin e Pashkëve në kohë pandemie.

Shkëlqesi, në një dekret të ri, Kongregata e Kultit Hyjnor jep udhëzime për kremtimin e Treditëshit të Pashkëve, një javë pas publikimit të një teksti të parë, në faqen e internetit të Dikasterit. Cilat janë arsyet për këtë azhurnim?

Të gjithë e kanë të qartë se jetojmë në kohë emergjence, me gjendjen në zhvillim të shpejtë. Kriza të këtij lloji, nganjëherë, kërkojnë rregulla të reja e azhurnime. Teksti i parë ishte i ditëve të kaluara. Na u desh të bënim ndryshime të rëndësishme e, sidomos, u konfrontuam me ipeshkvijtë e vendeve të përfshira në pandemi. U përpoqëm të marrim parasysh vërejtjet, që na erdhën.

Në radhë të parë, data e Pashkëve nuk është shtyrë, siç mendonte ndokush, duke pasur parasysh gjendjen në vendet e prekura nga koronavirusi. Pse?

Data e Pashkëve nuk mund të shtyhet. Do ta kremtojmë pas përgatitjes gjatë kësaj kohe të veçantë Kreshme, kaq e karakterizuar nga dhimbja, nga frika, nga pasiguria. Disa javë më parë, e përhimë kryet e na u kujtua se jemi pluhur e pluhur do të bëhemi. Por jemi pluhur i dashur nga Zoti, i shëlbuar prej Tij. Jezusi vuajti në kryq, por fitoi mbi vdekjen e ne besojmë në ringjalljen e trupit, në jetën e amshuar. Pashkët janë festa e kësaj fitoreje mbi vdekjen. Në vendet e goditura nga sëmundja, ku parashikohen kufizime nga ana e autoriteteve civile, për të shmangur grumbullime e lëvizje njerëzish, ipeshkvijtë dhe meshtarët do t’i kremtojnë ritet e Javës Shenjte pa popull e në një vend të përshtatshëm, duke shmangur bashkëkremtime dhe shkëmbimin e paqes.

Bëjnë përshtypje këto Pashkë, pa praninë e besimtarëve, pa popullin e Zotit…

Është shumë e dhimbshme. Por, në këto kohë izolimi, kemi parë si u shtua krijimtaria e meshtarëve, të cilët, përditë, gjejnë mënyrën për t’u qëndruar pranë njerëzve, me të gjitha mjetet që kemi sot në dispozicion. Shumë njerëz ndjekin meshën e Atit të Shenjtë në Shën Martë, si edhe kremtime të tjera përmes rrjeteve shoqërore. Shumë besimtarë thonë rruzaren, duke u lidhur me radio, televizion, ose internet. Po jetojmë një çast të jashtëzakonshëm. Të mos harrojmë se Jezusi flet për lutjen personale, duke na ftuar ta bëjmë nëpër dhoma e nëpër shtëpi. Dimë se për natyrën e saj, feja e krishterë është marrëdhënie e bashkësi: lutja e pjesëmarrja e përbashkët në mensën eukaristike është themelore. Por, në këtë çast sprove, duhet të përpiqemi të ndalim infektimin, pa e ndalur lutjen, madje, duke e shumëfishuar. Ka rëndësi që besimtarët të lajmërohen për orën e fillimit të kremtimeve, në mënyrë që të bashkohen në lutje nga shtëpitë e tyre e t’i ndjekin drejtpërdrejt, duke marrë pjesë në këtë mënyrë.

A mund të shpjegoni përmbledhtasi përmbajtjen e dekretit të ri?

E Diela e Larit do të kremtohet brenda kishave, pa procesionin e jashtëm. Mesha e Bagmit, që parashikon praninë e të gjithë meshtarëve të asaj kishe, mund të zhvendoset në datë tjetër. Ky vendim u lihet Konferencave Ipeshkvnore, të cilat duhet të vlerësojnë gjendjen në vendet e tyre. Në Meshën e Darkës së Mbrame, të Enjten e Madhe, nuk do të bëhet larja e këmbëve, e cila, në të vërtetë, nuk është e detyrueshme, pavarësisht se është fjala për një rit të rëndësishëm. Nuk do të bëhet procesioni me të Shenjtnueshmin Sakrament në përfundim të meshës. Liturgjia e Mundimeve të Zotit, të Premten e Madhe, do të ketë ndjete të veçanta për të sëmurët, të vdekurit, të vuajturit e njerëzit në vështirësi. E puthja tradicionale e Kryqit të Krishtit do të bëhet vetëm nga kremtuesi. Vigjilja e Pashkëve do të kremtohet vetëm në katedrale e në kishat famullitare. Kemi udhëzuar edhe që shprehjet e përshpirtërisë popullore dhe procesionet, që pasurojnë ditët e Javës së Madhe dhe ato të Treditëshit të Pashkëve, sipas gjykimit të ipeshkvit dioqezan, mund të zhvendosen në ditë të tjera të përshtatshme, si për shembull, më 14 e 15 shtator.

Kujtojmë se më 14 shtator, Kisha Katolike kremton Lartimin e Kryqit. Ndërsa, më 15 shtator, Kisha kujton Shtatë Dhimbjet e shën Marisë. Është dita e Zojës së Dhimbshme.

26 mars 2020, 08:39