Covid-19. Një rast i vetëm në Vatikan. Intensifikohen masat parandaluese

Koronavirusi nuk e ndal jetën brenda dhe jashtë Mureve Leonine: u sigurohet ndihma të pastrehëve, njerëzit ftohen të hyjnë me grupe të caktuara në farmaci dhe në supermarketin e Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

Tani për tani, nuk ka të sëmurë të tjerë me koronavirus në Vatikan, përveç atij, që u zbulua të premten e kaluar. Konfirmimin e jep zv.drejtori i Drejtorisë së Shëndetit e të Higjienës në Guvernatoratin e Shtetit të Vatikanit, prof. Andrea Arcangeli. Në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë njoftohet se Muzetë e Vatikanit, Zyrat e Gërmimeve arkeologjike, Muzeu i Vilave Papnore dhe qendrat muzeore të bazilikave papnore mbyllen deri më 3 prill. Pyetëm pikërisht prof. Arcangeli-n si është gjendja në Vatikan. Ta dëgjojmë…

         Deri tani ka pasur vetëm një rast, i cili, është mirë të sqarohet, nuk është banor i Shtetit të Vatikanit dhe as punonjës i tij, por person, që kaloi në Drejtorinë tonë të Shëndetit dhe Higjenës për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, në funksion të punësimit. Të nesërmen, kur iu shfaqën simptomat, ai shkoi drejtpërdrejt në Spitalin Gemelli, ku njoftoi se kishte qenë në Vatikan një ditë më parë. Ne u informuam nga Poliklinika Gemelli. Pas këtij njoftimi, u mblodhëm urgjentisht, megjithëse ishte natë, me qëllim që të mbronim njerëzit, të cilët kishin pasur kontakte të ngushta me të. Vendosëm të pezullojmë krejt veprimtarinë shëndetësore për të dezinfektuar ambientet, me përjashtim të shërbimeve të urgjencës për banorët dhe punonjësit e Vatikanit.

         Shteti i Vatikanit është shumë i vogël, gjithçka përqendrohet në pak hapësirë. Si po e përballoni këtë gjendje? A ka protokolle të veçanta?

         Po e ndjekim gjendjen me vëmendje maksimale që nga çasti, kur u shfaq vatra e parë në Lombardi të Italisë. Kemi menduar protokolle operative për mjekët dhe infermierët tanë dhe kemi hartuar vijat udhëzuese për sjelljen e rezidentëve dhe të punonjësve të gjithë Shtetit të Vatikanit, duke iu referuar protokolleve të autoriteteve shëndetësore italiane dhe duke i përditësuar sipas situatës, që është në zhvillim e sipër. Përsa i përket organizimit të shërbimeve tona shëndetësore, kemi ndërtuar një rrugë të mbrojtur brenda shërbimit tonë të urgjencës, që na lejon t’i ndajmë nga të tjerët personat, të cilët mund të jenë të infektuar nga Covid-19, duke përdorur një strukturë të lëvizshme urgjence të tipit kamper, parkuar jashtë.

A mund të na thoni, përmbledhtazi, cilat janë këshillat praktike, që duhen ndjekur?

         Këshillat janë të njëjta me ato që autoritetet shëndetësore italiane dhe botërore, si edhe mjekët e specializuar në virologji dhe sëmundje infektive kanë përsëritur prej shumë ditësh. Në veçanti, larja dhe dezinfektimi i duarve janë vendimtare për të parandaluar infeksionin, duart duhet të lahen me sapun dhe ujë për të paktën 30 sekonda, ose mund të përdoret xhel hidroalkoolik; aspekt tjetër themelor është shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit, duke ruajtur distancën 1 m larg, pra, duke shmangur vendet me shumë njerëz dhe situatat, që mund të favorizojnë kontaktin e ngushtë si, për shembull, ashensori. Përveç kësaj, i kemi këshilluar njerëzit, që mund të kenë simptoma si ethe dhe vështirësi në frymëmarrje, që lidhen me kollën e thatë dhe me ftohjen të mos shkojnë në Urgjencë, por të kontaktojnë shërbimin e urgjencës mjekësore përmes telefonit për të kërkuar vizitë në shtëpi. Edhe në këtë rast, qëllimi është të shmangim situatat, në të cilat kontakti me njerëzit e tjerë mund ta përhapë infeksionin.

         Papa e tha dje lutjen e Engjëllit të Tënzot brenda Pallatit Apostolik, por doli edhe në dritare për të përshëndetur besimtarët, që ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërkaq, nuk do të mbajë audiencën e së mërkurës në shesh, por do të transmetojë katekizmin e asaj audience në lidhje të drejtpërdrejtë video…

         Edhe në këtë rast, u veprua në përkim të plotë me autoritetet italiane. Qëllimi është të shmangen grumbullimet dhe kontaktet e ngushta, që pashmangshmërisht mund të ndodhin gjatë kontrolleve të sigurisë të forcave të rendit. Mesazhi i Atit të Shenjtë do të mbërrijë gjithsesi, duke përdorur mjetet e teknologjisë.

         Muzetë e Vatikanit janë të mbyllura. Farmacia vatikanase u shërben qindra njerëzve, çdo ditë. A janë marrë masa për mbrojtjen e klientëve dhe të personelit?

         Që prej ditësh, hyrjet në farmaci janë organizuar me grupe e janë kufizuar, për të mos lejuar grumbullimin e shumë njerëzve brenda ambienteve të saj. Kemi vendosur një kontroll, që lejon vetëm një numër të caktuar njerëzish brenda farmacisë. Gjithashtu, ndërmjet farmacistëve dhe klientëve është vendosur një xham, që e pengon kontaktin e drejtpërdrejtë.

         Si ndikon gjendja aktuale ndër të pastrehët, që natën flenë pranë Bazilikës së Shën Pjetrit?

         Në thelb asgjë nuk do të ndryshojë, Lëmoshtaria Apostolike e udhëhequr nga kardinali Konrad Krajewski do të vazhdojë të kujdeset për ta, duke ofruar mundësinë për ta kaluar natën, të mbrojtur disi nga moti i keq. Edhe në këtë rast, po respektohen protokollet e sigurisë, duke lënë distancë më të madhe ndërmjet njerëzve në përpjekjen për të shmangur kontakte të ngushta. Ndërkaq, zjarrfikësit tanë, siç bëjnë çdo mëngjes prej kohësh, kujdesen për dezinfektimin dhe për pastrimin e përditshëm të zonave ku qëndrojnë të pastrehët gjatë natës e, natyrisht, do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

         Le të kthehemi brenda Vatikanit. Mensa, supermarketi e ambiente të tjera do të mbeten të hapura apo jo?

         Për momentin, po. Sidomos supermarketi është një shërbim i rëndësishëm për banorët e Vatikanit, prandaj mbetet i hapur. Edhe në këtë rast, do të merren masa të ngjashme me ato të farmacisë, për të kontrolluar hyrjen në supermarket dhe për të shmangur mbushjen e tij me njerëz. Praktikisht, do të hyjnë aq njerëz sa dalin.

Si përfundim, le ta përsërisim edhe një herë, si duhet të sillemi në këto kohë koronavirusi?

Praktikat më të mira janë ato, për të cilat flitet prej ditësh, megjithëse, është e dobishme t’i përsërisim: gjëja më e rëndësishme është larja e kujdesshme e duarve me sapun dhe ujë, që duhet të zgjasë të paktën 20 ose 30 sekonda, ose larja me xhel hidroalkoolik. Aspekt tjetër themelor është mbajtja e distancës me njerëzit, e cila duhet të jetë më shumë se një metër. Duhet t’u kushtojmë vëmendje të madhe këtyre normave, të ndryshojmë zakonet e mënyrën e jetesës. Për shembull, gjesti i shtrëngimit të duarve është instinktiv, mund të themi i lindur, por duhet ta kontrollojmë veten kur takojmë ndokënd. Një shembull tjetër është përdorimi i ashensorëve. Më mirë të mos hyhet në ta, nëse nuk respektohet distanca e sigurisë. Këto janë në thelb këshillat, që duhen theksuar.

09 mars 2020, 14:58