Kërko

Cattura1AEM.jpg

“Aqua fons vitae”, dokumenti i ri vatikanas kushtuar ujit

Njeriu, natyra dhe zhvillimi lidhen në mënyrë të pandashme me ujin, por ka akoma shumë njerëz dhe vende, që nuk e kanë këtë burim të pazëvendësueshëm jete. Aspektet dhe sfidat e ndryshme të kësaj çështjeje trajtohen në dokumentin e ri të Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. “Është betejë për jetën”.

R.SH. - Vatikan

Uji, burim i jetës dhe shpëtim për njeriun e planetin. Fillon nga kjo premisë, Dokumenti i ri i publikuar nga Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në fund të muajit, gjatë të cilit u kremtua Dita Botërore e Ujit 2020. Titulli, mjaft evokativ, është: “Aqua fons vitae. Orientimet mbi Ujin, simbol i britmës së të varfërve dhe i britmës së Tokës”. Tani për tani, mund të konsultohet vetëm në gjuhën angleze, në faqen e internetit të Dikasterit.

Aspektet dhe përmasat e çështjes së ujit

Dokumenti e ndan çështjen e ujit në tre aspekte: atë, që lidhet me përdorimin e ujit nga njeriu; përmasën, që lidhet me përdorimin e tij në shumë veprimtari njerëzore, në veçanti në bujqësi dhe industri; dhe, së fundi, në aspektin, që ka të bëjë me shtrirjen sipërfaqësore të ujit, pra, me lumenjtë, burimet nëntokësore, liqenet e, sidomos, me oqeanet e detet. Për secilin aspekt, teksti - shpjegon Dikasteri - paraqet sfida dhe propozime operative për ndërgjegjësimin dhe angazhimin lokal në favor të përdorimit të mirë të këtij burimi natyror të rëndësishëm. Pjesa e fundit propozon një reflektim mbi edukimin dhe integritetin.

Strategji globale për struktura katolike në botë

Pa ujë të pastër nuk ka jetë, nuk ka shëndet, nuk ka zhvillim. Prandaj, me rastin e botimit të “Aqua fons vitae”, Dikasteri njofton përcaktimin e një strategjie globale për higjienën në strukturat shëndetësore, që i përkasin Kishës. “Shumë struktura shëndetësore në vendet e varfëra dhe në ato në zhvillim - thuhet në dokument - nuk kanë ujë sa duhet për nevojat më themelore të pastrimit dhe miliarda pacientë, personeli shëndetësor e familjet vihen në rrezik, për shkak se mungojnë themelet, ose infrastrukturat për kura dinjitoze, të sigurta dhe cilësore. Gjendja është veçanërisht alarmante në këto javë pandemie”. Kisha ka qenë gjithmonë pioniere në këtë sektor e disa krerë të botës po vetëdijësohen gjithnjë e më shumë për këtë çështje, duke zbatuar plane për ta zgjidhur problemin shpejt dhe frytshëm. Dikasteri inkurajon ato “koalicione organizmash qeveritare, organizatash private dhe bamirëse”, që marrin pjesë në këtë betejë për jetën.

Studime e mbledhje fondesh

“Sisteme të shumta katolike për asistencën shëndetësore –njofton më tej Dikasteri - kanë nisur studime për të përcaktuar shtrirjen dhe kompleksitetin e problemit, duke shqyrtuar një kampion strukturash shëndetësore katolike. Dikasteri i Vatikanit, në bashkëpunim me disa partnerë, si ‘Catholic Relief Service’ dhe ‘Global Water 2020’, ka vendosur të inkurajojë dhe të kontribuojë në këtë përpjekje, duke promovuar - kur është e mundur - studime shtesë në disa nga vendet. Rezultatet e këtij studimi, si dhe rezultatet e studimeve të tjera, bërë kohët e fundit nga organizatat shëndetësore katolike, do të përdoren – theksohet në tekst - si pikënisje për planet e zbatimit dhe për mbledhjen e fondeve, që mbështesin këto plane”. Organizatat e interesuara për këtë nismë, mund të kontaktojnë Dikasterin (nga mesi i prillit e tutje) për informacione të mëtejshme, ose për të diskutuar mundësitë e partneritetit.

30 mars 2020, 15:49