Kërko

 Krishti Pantokrator, në Stamboll Krishti Pantokrator, në Stamboll 

Ushtrimet shpirtërore. Atë Bovati: të dëgjosh Zotin është përvojë profetike

Do të mbahen në Ariccia, që nesër e deri më 6 marsin e ardhshëm, ushtrimet shpirtërore për Papën dhe Kurien Romake. Intervistë me atë Pietro Bovatin, biblist jezuit, që do t’i udhëheqë meditimet.

R. SH. - Vatikan

“Kaçuba kallej flakë - takimi i Zotit me njeriun, në dritën e Librit të Daljes, të Ungjillit të Mateut e të lutjes së Psalmeve”. Është kjo, tema e ushtrimeve shpirtërore, që Papa dhe Kuria Romake do t'i nisin nesër në Ariccia, pranë Shtëpisë së Mësuesit Hyjnor. Do të jetë ati jezuit Pietro Bovati, sekretar i Komisionit Papnor Biblik ai, që do t’i udhëheqë meditimet. Në intervistën e mëposhtme me Vatican News, biblisti jezuit  shpjegon itinerarin e ushtrimeve shpirtërore:

“Tema e ushtrimeve lidhet me përvojën e Zotit, që paraqitet përmes takimit të Mosiut me kaçubën e kallur flakë dhe me dëgjimin e Fjalës, që del nga kjo kaçubë, nga flakët e saj. Është Flaka, që shndrit jetën e njerëzve e u tregon udhën e jetës. Ushtrimet shpirtërore të ndihmojnë për këtë takim personal të shpirtit me Zotin. Detyra e prijësit shpirtëror është ta favorizojë takimin e secilit prej nesh me Zotin, për ta dëgjuar, në mënyrë personale Fjalën e Tij. Vetëm Ai mund t’i japë secilit këshilla, njëkohësisht, ligjore e ngushëlluese".

Cila është udha e ushtrimeve shpirtërore?

“Mënyra që zgjodha, është që secili ta dëgjojë Fjalën e Zotit, të dorëzuar në Shkrimet e Shenjta, duke ndjekur rrugën e profetëve: sepse dëgjimi i Zotit në lutje është përvojë profetike. Është pikërisht ajo, që e jeton Moisiu, kur dëgjon zërin e Zotit. E të njëjtën gjë bëri edhe Jezu Krishti, i cili gjatë gjithë jetës së Tij tregon se Ai flet, sepse është Zot. Prej këndej do të ndalemi tek disa tekste të Shkrimit Shenjt, duke treguar se Moisiu e Krishti vihen në dëgjim të Fjalës, në mënyrë që, pastaj, t’i ndihmojnë edhe vëllezërit në përvojën profetike”.

Atëhere mund të themi se strumbullari i këtyre ushtrimeve shpirtërore  do të jenë profecia e lutja?

“Tema e lutjes dhe e profecisë do t’i prijnë udhës, që do t’u ofroj dëgjuesve të mi duke shfletuar disa tekste nga Libri i Daljes e disa fragmente nga Ungjilli i Mateut, edhe për të krijuar atmosferën e Kreshmëve: gjatë Kreshmëve, jemi të ftuar të përshkojmë shpirtërisht  udhën e popullit në shkretëtirë. Udhë, që shkon drejt malit të Zotit, drejt përvojës së Pashkëve…”.

Domethënë, do të jetë udhë nën dritën e Fjalës së Zotit…

“Pikërisht këtë kërkoj të bëj, duke përshkuar disa tematika, si ajo e thirrjes,  e rezistencës përballë hirit të Hyjit e, pastaj, duke u ndaluar tek disa detyra, të cilat u besohen atyre që, në bashkësi, kanë role përgjegjësie. Deri tek  përvoja ngushëlluese e pranisë së Zotit pranë njeriut, të cilin e ndjek, i prin dhe e shndërron në njeri, që rrezaton dritën e Tij!”.

Dëgjimi i Fjalës së Zotit është hapi themelor për takimin personal me Jezusin dhe për një përvojë të mirëfilltë profetike…

“Unë shikoj se lutja, shumë herë, interpretohet si bisedë, si përpjekje për t’ia hapur shpirtin Zotit. Kjo është përmasa e lutjes, por përmasa  më e thellë, më e vërtetë, është ajo e njeriut që flet me Zotin e i thotë: “Shërbëtori yt po të dëgjon!”. Është ai çast, kur Moisiu hyn në çadër e Zoti i flet si të ishte njeri, si miku mikut. Ky familjaritet në  dëgjimin e Zotit është përvojë profetike. Në këtë takim njihet vullneti i Zotit. E, prej këndej, dëgjimi i krijon njeriut përmasën e bindjes, të besnikërisë, të fesë,  që përbën përvojën e vërtetë fetare. Është pikërisht kjo, që njeriu duhet të kërkojë për ta jetuar në lutje. Jo thjesht për ta interpretuar si kërkesë, apo si përsëritje fjalësh, që i drejton Zotit. Gjëja themelore është të dëgjosh: “Dëgjojeni sot zërin e Tij, mos e gurëzoni zemrën, siç bëtë në shkretëtirë!”.

Njeriu, që jeton në lutje, e dëgjon Fjalën e Zotit. Në ç’mënyrë mund të flasë Zoti, ashtu si bëri me Moisiun?

“Ne e mendojmë përvojën e Moisiut si përvojë krejt të jashtëzakonshme, si ajo e profetëve, e Jezu Krishtit e edhe e apostujve të parë. Po kjo nuk është e vërtetë. Këto rrëfime duan të na thonë atë që ndodh, kur njeriu  lutet me gjithë shpirt, e, prej këndej, merr Shpirtin Shenjt. E kjo është përvoja e Rrëshajëve, që mund ta provojë çdo besimtar. Përvoja e mirëfilltë, që bën njeriu i aftë për të hyrë në marrëdhënie personale me Zotin”.

Fjala arrin në të sotmen, në jetën tonë, por shndrit edhe kuptimin e historisë, kuptimin  e kohëve…

“Na ndihmon ta kuptojmë e ta interpretojmë sensin e historisë, që nuk është vetëm vizion teorik e i përgjithshëm. Na ndihmon ta shikojmë historinë ashtu si realizohet sot. E na aftëson jo vetëm për të jetuar atë, që Zoti do për secilin prej nesh, por edhe për t’u bërë mjete drite, udhëheqjeje e inkurajimi. Për të dhënë dëshmi për vëllezërit tanë, në mënyrë që  të jemi ajo llambë, ajo dritë, ai tharm, që do Zoti për Kishën e Tij. Për ata, pastaj, që kanë përgjegjësi kishtare, kjo më duhet me rëndësi të jashtëzakonshme”.

 

29 shkurt 2020, 17:59