Kërko

Vatican News
 Benedettini Benedettini 

Jeta rregulltare, një jetë e përkushtuar Zotit në Kishë

të përkushtuar janë ata njerëz, që vendosin të jetojnë me stilin e Birit të Zotit të mishëruar, Jezu Krishtit: bëjnë një jetë të varfër, të dlirë e të bindur. Ky stil vuloset me tre kushtet - të varfërisë, të pastrisë dhe të bindjes - karakteristike për rregulltarët si fretërit, murgjërit e anëtarët e kongregatave të ndryshme rregulltare a fetare.

R.SH. - Vatikan

Sot, Papa Françesku kremton Meshën me rregulltarët e rregulltarët, me të shuguruarit e Kishës Katolike, mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Por ç’është “shugurimi” dhe ç’kuptojmë me këtë fjalë?

Shugurimi është përkushtimi solemn ndaj një qëllimi apo shërbimi të veçantë, zakonisht fetar. Fjala “shugurim” do të thotë “bashkim me ç’është e shenjtë”. Mund të shugurohen njerëz, vende, ose sende e, termi përdoret në mënyra të ndryshme nga grupe të ndryshme.

Në Kishën Katolike, termi “shugurim” përdoret për të treguar se njerëz, ose objekte janë në shërbim të Zotit. Për shembull, gjatë meshës, shugurohet buka dhe vera. Pra, duke shqiptuar fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame, me hirin e Tënzot, buka dhe vera shndërrohen në Korpin e Gjakun e Krishtit. Në liturgjinë katolike, termi “shugurim” u rezervohet vetëm disa riteve si: bekimi i Bagmit, shugurimi i meshtarit, shugurimi i ipeshkvit dhe kushtimi i një Kishe.

Në kuadrin e përshpirtërisë katolike, përdoret termi “shugurim” edhe në rastin kur një person ia kushton jetën krejtësisht Zotit, duke u bërë meshtar, ndërsa "përkushtim" për një rregulltar, ose murgeshë. Shugurimi i një meshtari bëhet përmes shtrirjes së duarve sipër kokës së tij nga ana e ipeshkvit. Diakoni, meshtari dhe ipeshkvi bëjnë pjesë në të ashtuquajturin “Urdhër i Shenjtë”, njëri ndër shtatë Sakramentet e Kishës Katolike (Pagëzimi, Krezmimi, Kungimi, Rrëfimi, Vajimi i të sëmurëve, Urdhri i Shenjtë, Martesa).

Në Katekizmin e Kishës Katolike shkruhet: “Urdhri është sakramenti, falë të cilit, misioni i besuar nga Krishti Apostujve të vet vazhdon të ushtrohet në Kishë deri në fundin e kohërave: prandaj, është sakramenti i shërbimit apostolik…”.

Përse quhet “Urdhri i Shenjtë”? Në epokën romake, kështu quhej një grup njerëzish me funksione publike. Ky term kaloi pastaj në gjuhën kishtare për të treguar një “kolegj”, ose një grup njerëzish të ngarkuar me shërbime baritore, ose me mbarështimin e një kulti. Ashtu si për Sakramentet e Pagëzimit e të Krezmimit, në teologjinë katolike thuhet se urdhri të jep një vulë të përhershme (karakter), pra, mbetet i vlefshëm për gjithë jetën e nuk shlyhet, pavarësisht nga braktisja e tij nga ana e personit, ose nga dënimi që mund t’i jepet atij nga organet përkatëse kishtare.

Në sajë të Pagëzimit, të gjithë jemi të përkushtuar, pra të “ngarkuar” ta kthejmë jetën tonë në lavd për Zotin. Por në këtë kuadër ka edhe lloje të tjera përkushtimi. Së pari, të përkushtuar janë ata njerëz, që vendosin të jetojnë me stilin e Birit të Zotit të mishëruar: bëjnë një jetë të varfër, të dlirë e të bindur. Ky stil vuloset me tre kushtet - të varfërisë, të pastrisë dhe të bindjes - karakteristike për rregulltarët si fretërit, murgjërit e anëtarët e kongregatave të ndryshme rregulltare a fetare.

Ka njerëz që jetojnë në botë sipas një rregulle të caktuar e bëjnë këto kushte edhe pa qenë rregulltarë. Janë anëtarët e instituteve shekullare, që dallohen nga rregulltarët, sepse këta të fundit heqin dorë nga “të mirat e kësaj bote” si pasuria, martesa e vetëvendosja, por edhe nga - të themi -  “punët e botës”, në kuptimin e profesioneve, që ushtrohen zakonisht në botë si gjykatës, dentist, mjek, punëtor, afarist etj.. Ndërsa, anëtarët e instituteve shekullare heqin dorë vetëm nga “të mirat e kësaj bote”, por jo edhe nga “punët e botës”, ku mundohen të jenë tharm i Ungjillit dhe të sjellin frymën e lumnive ungjillore. Janë të përkushtuar, por jetojnë në botë.

Një mënyrë e dytë për të qenë i përkushtuar është ajo personale. Pra, dikush që dëshiron të jetojë në varfëri, në pastri e në bindje, duke ndjekur stilin e jetës së Krishtit, e bën këtë premtim përmes atit të tij shpirtëror, ose personalisht, pa pasur lidhje me jetën rregulltare apo me institutet shekullare.

Edhe meshtarët shekullarë, pra priftërinjtë dioqezanë, shugurohen përmes Urdhrit të Shenjtë, por, për shembull, nuk bëjnë kushtin e varfërisë. Prandaj, kur flitet për jetën e përkushtuar brenda Kishës, zakonisht, është fjala për institutet rregulltare ose shekullare.

01 shkurt 2020, 17:19