le tentazioni di Gesù le tentazioni di Gesù 

Shenjtorёt e javёs 1-8 mars

Kjo e diele e parë e kohës liturgjike të Kreshmëve, quhet ndryshe edhe e diela e tundimit. Ungjilli i kësaj së diele, na përshkruan tundimet e Jezusit në shkretëtirë. Është një hyrje e përgjithshme në këtë kohë të Kreshmëve, e cila fillon nën shenjën e luftës së brendshme kundër të keqit e së keqes, që njeriu has gjatë shtegtimit tokësor në jetën e përditshme. Prandaj, duhet të lusim Zotin të rri me ne, në çastet e sprovës, për të ngadhënjyer me Të në ditën e Jetës

R.SH. - Vatikan

E diel 1 mars, Kisha katolike kremton të dielën e 1-të të kohës liturgjike të Kreshmëve, gjithnjë  më 1 mars,  kalendari kishtar përkujton shën Feliçin, papë e shën Albinin, ipeshkëv i Anzhé.

Kreshmët, të porsafilluara, na thërrasin të radhitemi me Krishtin në luftën kundër të “Keqit”. Ta dëgjosh me fe Fjalën e Zotit e të angazhohesh me seriozitet në konvertimin e jetës personale: këto janë kushtet që lypen për të marrë pjesë në Pashkën e Krishtit. Ungjilli i kësaj të diele të parë të kohës liturgjike të Kreshmëve, quhet ndryshe edhe e diela e tundimit. Ungjilli i nga Mateu, na përshkruan tundimet e Jezusit në shkretëtirë. Është një hyrje e përgjithshme në këtë kohë të Kreshmëve, e cila fillon nën shenjën e luftës së brendshme kundër të keqit e së keqes, që njeriu has gjatë shtegtimit tokësor në jetën e përditshme. Prandaj, duhet të lusim Zotin të rri me ne, në çastet e sprovës, për të ngadhënjyer me Të në ditën e Jetës.

Të hёnёn me 2 mars, kalendari kishtar përkujton shën Troadin, shën Angjelen e Kryqit, virgjër. “Na fal o Zot, e ne do të jetojmë”.  Liturgjia e ditës na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote.

Të martёn me 3 mars, kalendarit liturgjik përkujton shën Kunegonden, bashkëshorte e Enrikut II perandor. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.

Të mёrkurёn më 4 mars, kalendari kishtar përkujton shën Kazimirin, pajtor i Lituanisë.  Liturgjia e ditës na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.

Të enjten më 5 mars, kalendari përkujton shën Luçion I Papë, shën Adrianin martir dhe shën Gjonin e kryqit, meshtar françeskan.  Liturgjia e ditës kujton se dashuria e mëshira shkojnë krah për krah. Në se nuk e kuptojmë këtë, jo vetëm që nuk mund ta quajmë veten bij të Hyjit, por rrezikohemi të meritojmë dënimin e përjetshëm. Prej këndej, të lutemi me Psalmistin: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.

Tё premten më 6 mars, kalendari kishtar përkujton shën Rozën nga Viterbo, virgjër françeskane dhe shën Koletën Bolič, themeluese e klariseve të varfra. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.

Të shtunёn mё 7 mars, kalendari pёrkujton shenjtoret Perpetua e Feliçita. Liturgjia e ditës na kujton se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve për të shijuar më pas ringjalljen në Krishtin Zot.

Të dielёn e ardhshme më 8 mars, Kisha katolike do tё kremtojё të dielën e 2-të të Kreshmëve, gjithnjё mё 8 mars kalendari kishtar përkujton festën e shën Gjonit të Zotit, themelues i Kongregatës Fatebenefratelli, pajtor i të sëmurëve e i punonjësve të spitaleve.  Ungjilli i Dielёs sё 2-tё tё Kreshmëve, na kujton një moment teje të veçantë të jetës së Jezusit, shndërrimin e tij. Kjo ngjarje e ndriçon udhën krezhmore: pendesa e agjërimi që praktikojmë, kanë si qëllim ta shndërrojnë jetën tonë sipas shembullit të Jezusit

29 shkurt 2020, 09:14