Kërko

Hiroshima Hiroshima 

Selia e Shenjtë mbështet planet për mospërhapjen e armëve bërthamore

Francesca Di Giovanni, zv.sekretare e Sektorit Shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet në Vatikan, flet në emër të imzot Gallagher në Konferencën e tretë Ndërkombëtare për Sigurinë Bërthamore, që po zhvillohet në Vjenë.

R.SH. - Vatikan

Impenjim kolektiv për të përmirësuar sigurinë bërthamore në nivel global, duke vigjëluar që të mos vihen në jetë kërcënimet dhe duke marrë masa konkrete për t’u mbrojtur kundër akteve dashakeqe, gjatë të cilave mund të përdoret material i rrezikshëm bërthamor, ose radioaktiv. Këtë kërkoi Selia e Shenjtë në Konferencën e tretë Ndërkombëtare për Sigurinë Bërthamore, që vijon deri të premten në Vjenë, organizuar nga IAEA - Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Deklarata u lexua nga Francesca Di Giovanni, zv.sekretare e Sektorit Shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet në Vatikan, në emër të imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

Drejt një bote pa armë bërthamore

 “Përpjekjet për të garantuar sigurinë bërthamore - shpjegoi zv.sekretarja Di Giovanni - janë përmirësuar ndjeshëm falë strategjive të IAEA-s”. Këto përpjekje, theksoi ajo, “duhet të vazhdojnë, sepse promovimi i sigurisë bërthamore përballet me sfida të rëndësishme, ndër të cilat veprimet e kufizuara, të pamjaftueshme dhe shpesh të amullta për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore dhe për të ecur drejt një bote pa to”. Objektivat më ambicioze për çarmatimin bërthamor dhe përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore, si edhe suskesi i Agjencisë, varen, theksoi përfaqësuesja e Vatikanit, “nga angazhimi i shteteve anëtare për të respektuar detyrimet e tyre ligjore dhe etike”.

Të promovohet paqja dhe zhvillimi i gjithanshëm

 Zv.sekretarja Di Giovanni foli mbi përkushtimin e Selisë së Shenjtë për të mbështetur përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në promovimin e paqes e të sigurisë, duke synuar favorizimin e një atmosfere mirëbesimi. Duke përmendur fjalët e Papës Françesku në mesazhin, që i dërgoi Konferencës së Kombeve të Bashkuara për çështjen e armëve bërthamore, në vitin 2017, Francesca Di Giovanni denoncoi shpenzimet e shumta të përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime ushtarake, pa menduar mbi përparësitë e tjera, si promovimi i paqes dhe i zhvillimit të gjithanshëm të njeriut, lufta kundër varfërisë dhe zbatimi i Agjendës për zhvillimin e qëndrueshëm, që do të meritonin më shumë fonde.

Impenjim, që nuk ndalet

 Duke shprehur mirënjohjen e Selisë së Shenjtë për IAEA-n, zv.sekretarja siguroi “mbështetjen pa kushte” të Vatikanit për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe për çarmatimin bërthamor, si edhe për zhvillimin e funksionimin paqësor të teknologjive bërthamore.

12 shkurt 2020, 12:48