Kërko

 Imzot. Sergio Pagano, Prefekt  i Arkivit Apostolik Vatikanas Imzot. Sergio Pagano, Prefekt i Arkivit Apostolik Vatikanas  

Piu XII: në Augustinianum paraqitet hapja e fondeve arkivistike

Ipeshkvi Sergio Pagano, Prefekt i Arkivit Apostolik Vatikanas, shpjegon atmosferën e pritjes, që i paraprin hapjes së fondeve, lidhur me papninë e Papës Pacelli. “Shumë dokumente do të provojnë impenjimin e tij për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Shoah”- thekson.

R. SH. - Vatikan

“Kisha nuk ka frikë nga historia, madje, e do”. Me këtë pohim, më 4 mars të vitit të kaluar, Papa Françesku shpjegonte vendimin për t’ua hapur për konsultim studiuesve, dokumentet arkivistike që i përkasin Papnisë së Piut XII, deri në vdekjen e tij, në Kastel Gandolfo, më 9 tetor 1958. Me këtë rast, në audiencën me personelin e Arkivit Sekret Vatikanas - sot Arkivi Apostolik - Françesku shtonte se e zgjodhi këtë rrugë “me shpirt të qetë e besimplotë”, i sigurt  se:

“… kërkimi shkencor serioz e objektiv do të dijë të vlerësojë, në dritën e duhur, me kritikë të përshtatshme, çastet e ekzaltimit të këtij Pape e, pa dyshim, edhe çastet e vështirësive të mëdha, të vendimeve të mundimshme, të urtisë njerëzore, që ndokush mund ta quajë heshtje, ndërsa ishte përpjekje shumë e vështirë për ta mbajtur ndezur, në periudhën e errësirës më të thellë e të mizorive më të mëdha, flakën  e nismave humanitare, të veprimtarisë së fshehtë diplomatike, të shpresës në mundësitë e hapjes së zemrave”.

I udhëhequr nga e njëjta frymë dashurie për historinë, Arkivi Apostolik Vatikanas, në prag të hapjes së Arkivave të papnisë së Papës Pacelli, më 2 mars, do të organizojë nesër, një ditë studimi pranë Institutit Patristik Augustinianum. Do të jetë rast për të paraqitur punën përgatitore arkivistike, që i parapriu hapjes, burimet dokumentare të vëna në dispozicion dhe udhët e mundshme të kërkimit shkencor. Lidhur me pritjen, me të cilën bota mbarë  i shikon mundësitë e hyrjes në burimet pacelliane, Radio Vaticana Italia intervistoi shkëlqesinë e Tij, Imzot Sergio Pagano, Prefekt i Arkivit Apostolik të Vatikanit:

“Pritja nga ana e shumë bashkëpunëtorëve shkencorë nga mbarë bota  zgjati rreth 14 a 15 vjet. Kjo ishte koha, që iu desh bashkëpunëtorëve të mi, arkivistëve dhe pjesës tjetër të personelit, për ta përgatitur këtë mal me dokumente: për t’i numëruar, për të ndjekur protokollimin e për të përgatitur inventaret. Këto të fundit, përsa i përket Papnisë së Piut XII, sot janë të gjitha në formë dixhitale. Prej këndej studiuesit do të mund t’i gjejnë e do të mund t’i shfletojnë në internet, në sallën e Arkivit Apostolik Vatikanas. E kuptueshme pritja, sepse papnia e Papës Pacelli është tejet e rëndësishme dhe vendimtare. Zë vend në një çast të historisë, kur njerëzimi mbytej në gjakun e Luftës II Botërore, por edhe menjëherë pas përfundimit të saj. Të bie menjëherë në sy çështja e Shoah e, prej këndej, hebrenjtë presin shumë të reja nga kjo hapje. Por, në fondet që lidhen me Papën Pacelli, ka edhe dokumente shumë të rëndësishme për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me regjimet totalitare, kryesisht lidhur me konkordatet  me vende të ndryshme. Kështu mund të kuptohet më mirë qëndrimi i Papës dhe i Selisë së Shenjtë ndaj politikave fetare të komunizmit e të absolutizmave. E të dalë në dritë edhe e gjithë veprimtaria e Papës Pacelli në frontin e bamirësisë. Mund ta dëshmoj drejtpërdrejt, nga që e kam  radhitur personalisht Fondin e bamirësisë, në të cilin numërohen  8000 zarfe, brenda të cilëve ruhen mijëra e mijëra praktika bamirësie. Të lë mbresë të thellë fakti se Piu XII pati marrë oferta prej besimtarësh të ndryshëm katolike nga mbarë bota, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e, praktikisht, në të njëjtën ditë edhe i pati shpërndarë, duke ia dorëzuar njerëzve që kishin nevoja të ngutshme, si personave privatë, ashtu edhe  familjeve, jetimoreve, spitaleve, por edhe universiteteve e instituteve kërkimore shkencore. Një lum i vërtetë parash që ishte, mund ta themi me plot gojën, edhe lum i bamirësisë së tij! Praktikisht, kushdo kërkonte ndihmë nga Selia e Shenjtë, e merrte. E kjo vepër vigane bamirësie vërtetohet  në këtë Fond, kushtuar bamirësisë si dhe në Fondin e Komisionit të ndihmave. Ne do të publikojmë  dy inventare, pununuar nën kujdesin e doktoreshës Roselli, që tregojnë edhe një aspekt tjetër  të bamirësisë vigane, realizuar në një formë më të organizuar, përmes Veprës së Ndihmës. Do të hapim, natyrisht edhe arkivat e Sekretarisë së Shtetit të Piut XII. Këto fonde priten shumë nga studiuesit edhe për t’u thelluar në doktrinën e Papës Pacelli, në mendimin e tij. Mjafton të mendojmë për Enciklikat ose për faktin se është Papa më i cituar nga Koncili II i Vatikanit. Doktrina e tij, teologjia e praktika e tij baritore mbeten akoma edhe sot e kësaj dite themelore e unë shpresoj se me hapjen e këtyre fondeve të reja,  mund të studiohen ashtu si e meritojnë.

A mund të ketë edhe dokumente të reja, që provojnë veprimtarinë e Kishës nën Papninë e Piut XII për të shpëtuar hebrenjtë e rrezikuar gjatë Shoah?

“Pa asnjë dyshim. Me sa jam në dijeni, duhet të ketë shumë. Ka një mori dokumentesh me falënderime nga ana e hebrenjve. E flas për hebrenj të papagëzuar, që ruajtën fenë e tyre, të cilët e falënderojnë Papën Pacelli për ndihmën e pakursyer, që morën prej tij. Ka edhe dëshmi të panumërta për ndihmat dhënë të krishterëve të thjeshtë, ashtu si dhe instituteve rregulltare   dhe ipeshkvijve, për të shpëtuar çka mund të shpëtohej nga kjo popullsi e stërmunduar, e persekutuar kaq mizorisht. Natyrisht mbi këtë aspekt ka edhe zëra që u kundërvihen këtyre dëshmive.Vijnë nga ajo pjesë  hebraike, që ngulmon mbi problemet e të ashtuquajturave heshtje të Piut XII. Por në këtë drejtim, nga dokumentet e reja, mund të kemi edhe një shpjegim të ri, më të hollësishëm. E njohim historinë e këtij populli të persekutuar nga Shoah. E, prej këndej, e kuptojmë më së miri se hebrenjtë presin shumë nga këto dokumente, që tashmë mund të studiohen. E rëndësishme, sipas meje, është që studimi i këtyre dokumenteve, ashtu si edhe i të tjerëve, duhet bërë në mënyrë të paanshme, objektive, shkencore e historike. E pas kësaj, natyrisht, secili  mund  të shprehë opinionin e vet!   

Në këtë kontekst, ç’vend zë ky 21 shkurt, kjo ditë studimi në Augustinianum?

Njoftimin për hapjen e Arkivave e dha vetë Ati i Shenjtë, një vit më parë, kur pati pritur në audiencë Arkivin Vatikanas. Por, për ta përgatitur si duhet nga pikëpamja arkivistike këtë hapje të re fondesh, të ndryshme nga hapjet e mëparshme, menduam të organizojmë një ditë të posaçme studimi, pikërisht në Institutin Patristik Augustinianum, pranë kolonatit të Shën Pjetrit. Me këtë rast, arkivistët e Selisë së Shenjtë do të paraqesin punën e tyre për përgatitjen e dokumenteve dhe mundësinë që ofrojnë këto dokumente lidhur me kërkimet e reja. Në këtë ditë do të marrin pjesë më se 200 vetë: historianë e studiues. E edhe një grup i madh hebrenjsh. Qëllimi ynë është që, me këtë ngjarje, t’u shërbejmë studiuesve, duke u ofruar një panoramikë të fondeve të reja, të mundësive për t’i studiuar si dhe të mjeteve të përgatitura, që secili, pastaj, të ndjekë rrugën e vet, të bëjë kërkimet e veta e të nxjerrë përfundimet, natyrisht, me lirinë më të plotë!

20 shkurt 2020, 10:25