Arkivi apostolik i Vatikanit Arkivi apostolik i Vatikanit 

Piu XII: më 2 mars hapja e arkivave. Më 20 shkurt, paraqitja në Vatikan

Të enjten, më 20 shkurt, në orën 11. 30, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë (Via della Conciliazione, 54), do të mbahet një takim me gazetarët, për të paraqitur hapjen e arkivave të Selisë së Shenjtë për papninë e Piut XII.

R. SH. - Vatikan

Të enjten, më 20 shkurt, në orën 11.30, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë (Via della Conciliazione, 54), do të mbahet një takim me gazetarët, për të paraqitur hapjen e arkivave të Selisë Apostolike lidhur me papninë e Piut XII (1939-1958). Arkivat do të hapen më 2 mars.

Do të jenë në dispozicion të shtypit kardinali José Tolentino Calaça de Mendonça, arkivist e Biblilotekar i Kishës së Shenjtë Romake; imzot Sergio Pagano, prefekt i Arkivit Apostolik Vatikanas; Luca Carboni dhe Giovanni Coco nga Arkivi Apostolik vatikanas (Italian), dhe shumë arkivistë, studiues, ipeshkvij, meshtarë e laikë, të arkivave vatikanase  e edhe specialistë arkivash të ndryshme.

Njoftimi i parë

Më 04. 03. 2018, gjatë takimit, në Sallën Klementine, me drejtuesit dhe personelin e  Arkivit Sekret të Vatikanit, Papa Françesku pati njoftuar se së shpejti do të hapeshin arkivat e Piu XII, me vlerë të madhe edhe për historinë e Kishës në Shqipëri, gjatë periudhës tejet kritike të Luftës II Botërore.

Lajmin e dha vetë Françesku gjatë takimit, në Sallën Klementine, me drejtuesit dhe personelin e Arkivit Sekret të Vatikanit. Figura e Piut XII – pati vërejtur Ati i Shenjtë - është studiuar shumë, e shpesh, edhe kritikuar, me paragjykime e teprime. Pa harruar se mbajti të ndezur, në periudhat e errësirës më mizore, “flakën e nismave humanitare, të diplomacisë së fshehur por gjithnjë aktive, të shpresës në hapjen e mundshme të zemrave”.

Arkivat do të hapen më 2 mars 2020

Pati saktësuar edhe datën e hapjes së Arkivave, Françesku: më 2 mars 2020, pikërisht 81 vjet pas zgjedhjes së Eugenio Pacelli-t në fronin e Shën Pjetrit, në vitin tragjik 1939.

Një dokumentim tejet i pasur

Papa i pati falënderuar të pranishmit për punën e inventarizimit dhe të përgatitjes së dokumenteve shumë të pasura, veprimtari që nisi që në vitin 2006, sipas dëshirës së Benediktit XVI:

“Impenjimi i vazhdueshëm juaji dhe i kolegëve tuaj, më krijon sot, në kujtim të kësaj ngjarjeje domethënëse, mundësinë të njoftoj vendimin tim lidhur me hapjen për konsultim nga ana e punonjësve shkencorë, të dokumentacionit arkivistik, që ka të bëjë me Papën Piu XII, deri në vdekjen e tij, në Castel Gandolfo, më 9 tetor 1958”- u tha.

Ndonjë paragjykim ose teprim

“Shërbëtori i Zotit Piu XII – pati vijuar Françesku  duke kujtuar  80-vjetorin e zgjedhjes së Papës Piu - mori në dorë timonin e barkës së Pjetrit në çastin më të vështirë, më të errët e më të trishtë të shekullit XX, që u trondit thellë nga konflikti i fundit botëror dhe periudha pasuese  e riorganizimit të Kombeve dhe të rendit të pas-luftës”. Kjo figurë është studiuar  në shumë aspekte e, nganjëherë, edhe diskutuar e kritikuar (do të thosha edhe me ndonjë paragjykim e ose teprim). Sot është rivlerësuar e është nxjerrë në dritën e duhur, kryesisht për cilësitë e tij poliedrike baritore, por edhe  për ato liturgjike, asketike e diplomatike”.

Një dritë e drejtë

Papa shpjegoi se vendimin për dokumentet, pjesërisht “të konsultueshme”  që në papninë e Shën Palit VI e të Shën Gjon Palit II, e mori, pasi dëgjoi mendimin e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, me shpirt të qetë e plot  besim:

“Kërkimi shkencor serioz e objektiv do të dijë të vlerësojë, në dritën e duhur, me kritikë të përshtatshme, çastet e ekzaltimit të këtij Pape e, pa dyshim, edhe çastet e vështirësive të mëdha, të vendimeve të mundimshme, të urtisë njerëzore, që ndokush mund ta quajë heshtje, ndërsa ishte përpjekje shumë e vështirë për ta mbajtur ndezur, në periudhën e errësirës më të thellë e të mizorive më të mëdha, flakën  e nismave humanitare, të veprimtarisë së fshehtë diplomatike, të shpresës në mundësitë e hapjes së zemrave”.

Ta duam më shumë historinë

Papa shpreh sigurinë  se “kjo pasuri dokumentare” do të lexohet me sy të mirëfilltë shkencor:

“Kisha nuk ka frikë nga historia, përkundrazi, e do e do të dëshironte ta donte më shumë e më mirë, ashtu si e do Zoti”.

Angazhimi personal

Papa pati  uruar, e uron, “të vijojë puna në ndihmë të studiuseve – ndihmë shkencore e materiale - e edhe në botimin e burimeve paceliane, që do të kenë më shumë rëndësi,  ashtu siç kanë bërë  prej vitesh”.

18 shkurt 2020, 17:14