Kërko

Casa-Divin-Maestro-Ariccia 2018.02.18- Casa-Divin-Maestro-Ariccia 2018.02.18- 

Papa: nga 2 deri më 6 mars në Ariccia për ushtrimet shpirtërore me Kurien romake

Java e ushtrimeve shpirtërore fillon të dielën e parë të Krezhmëve, ndërsa më 26 shkurt, në Bazilikën e Shën Sabinës në Aventino – Papa kremton të Mërkurën e Përhime që hap kohën liturgjike të Krezhmëve.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, sipas traditës, do të jetë në Ariccia, në periferi të Romës, për javën e ‘ushtrimeve shpirtërore’ të kohës së Krezhmëve që paraprin e përgatit kremtimin e Pashkëve. Papa, së bashku me anëtarët e Kuries Romake, do të fillojë ‘Javën e Ushtrimeve Shpirtërore’ të Dielën e Parë të Krezhmëve, më 1 mars e deri të premten, më 6 mars. Ushtrimet shpirtërore, mbahen në rezidencën e paolinëve “Shtëpia e Mësuesit Hyjnor” në Ariccia, afër Romës.

Më parë, më 26 shkurt, të Mërkurën e Përhime, me të cilën fillon periudha krezhmore, Papa do të kremtojë Meshën në bazilikën romake të Shën Sabinës në kodrën romake të Aventino-s, pas procesionit pendestar që do të niset nga Kisha e Shën Anselmit, me ritin e  bekimit dhe të vënies së Hirit.

Me të Mërkurën e Përhime, Kisha fillon kohën liturgjike të Kreshmëve, që është kohë e fortë shpirtërore dhe një rast i ri e i volitshëm për përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Pashkëve të Jezu Krishtit. Me të Mërkurën e Përhime nisin edhe meditimet e kohës së fortë kreshmore, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi, të agjërojmë e të kthehemi në rrugën e Hyjit, duke iu lutur me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë. Nënvizojmë se për besimtarët e Mërkura e Përhime është ditë agjërimi e lutjeje.

12 shkurt 2020, 16:55