Pope Francis is seen during a visit to the Founder's Memorial in Abu Dhabi Pope Francis is seen during a visit to the Founder's Memorial in Abu Dhabi 

Ruffini: Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor, i rëndësishëm për bashkëjetesën mes feve e popujve

Dokumenti i Vëllazërimit Njerëzor, ose –siç njihet - Deklarata e Abu Dabit, bërë publike në shkurtin e vitit 2019, është deklaratë e përbashkët katoliko-myslimane për t’u impenjuar në bashkimin e gjithë njerëzimit dhe në vendosjen e paqes në botë, që brezat e ardhshëm të mund të jetojnë në një atmosferë respekti dhe bashkëjetese.

R.SH. - Vatikan

"Të kremtosh përvjetorin e parë të nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, për mua dhe për të gjithë ne, është një rast i volitshëm për të rinovuar angazhimin tonë dhe premtimin tonë të përbashkët, zotimin për të qenë vegla të paqes". Kështu u shpreh, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin, Paolo Ruffini, në fjalimin e tij në Forumin ‘Arab Media Convention for Human Fraternity’, organizuar me rastin e përvjetorit të parë të nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, që u hap sot në Etihad Towers në Abu Dabi, i cili do të mbyllet nesër më 4 shkurt. (Vizita e Atit të Shenjtë Françesku, gjatë udhëtimit të 27-të apostolik, në si lajmëtar i paqes në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 3 deri më 5 shkurt 2019).

" Feja në Zotin nuk ndan, por bashkon", pati pohuar Papa Françesku në Abu Dabi. E në fjalën e tij, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin shoqëror falënderoi Këshillin e Pleqve myslimanë për organizimin e kësaj ngjarjeje mbi vizionin e përbashkët të vëllazërimit njerëzor në botën e mediave "ku të gjithë e dimë, - tha Ruffini - se sa e rëndësishme është të zhvillohet një perspektivë në favor të politike të mediave bazuar mbi vëllazërimin njerëzor dhe bashkëjetesën paqësore”. Paolo Ruffini falënderoi edhe Komitetin e Lartë për zbatimin e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor dhe për promovimin e vazhdueshëm të këtij dokumenti tejet të rëndësishëm për mbarë botën.

Duke kujtuar Udhëtimin Apostolik të Papës Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe, në shkurtin e vitit të kaluar, Paolo Ruffini ilustroi me numra dhe grafikë se Vizita e Atit të Shenjtë ka shënuar një nga momentet më të rëndësishme për mediat e Vatikanit, sepse në ato ditë - kanë regjistruar nivelin më të lartë të konsultimit në internet dhe jo vetëm në Facebook.

Sipas Prefektit, 1 milion përdorues patën mundësinë të ndiqnin veprimtarinë e drejtpërdrejt në anglisht. Pastaj Ruffini kujtoi se artikujt e Vatican News dhe të së përditshmes së Vatikanit L’Osservatore Romano kanë kontribuar gjithashtu në tregimin e përmbajtjes së Konferencës dhe të gjithë vizitës së Papës, si dhe për punën e Komitetit të Lartë gjatë vitit 2019.

Në përfundim, Prefekti i Vatikanit për Komunikim, Ruffini përmendi marrëveshjen për disa prodhime të ardhshme televizive e së fundi theksoi se Dikasteri i Vatikanit për Komunikim synon të përforcohet, me ndihmën e partnerëve të jashtëm, me qëllim që t'u tregojë parimet e Dokumentit jo vetëm si informacion, por si një formim për një dialog e njohuri të anasjellët.

Dokumenti i Vëllazërimit Njerëzor, ose –siç njihet - Deklarata e Abu Dabit, bërë publike në shkurtin e vitit 2019, është deklaratë e përbashkët katoliko-myslimane për t’u impenjuar në bashkimin e gjithë njerëzimit dhe në vendosjen e paqes në botë, që brezat e ardhshëm të mund të jetojnë në një atmosferë respekti dhe bashkëjetese. Dokumenti u nënshkrua pikërisht më 4 shkurtin e vitit 2019, nga Imami i Madh Al-Azharit dhe nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij historike në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nënshkrimi i Dokumentit të Vëllazërimit Njerëzor dëshmoi edhe impenjimin e vendit arab mysliman në promovimin e dialogut ndërfetar dhe të vlerave të përbashkëta, përfshirë tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve të të gjitha feve dhe besimeve.

03 shkurt 2020, 14:07