Kërko

Vatican News
 Raffaello: "Shkolla e Athinës" Raffaello: "Shkolla e Athinës" 

Në Vatikan nisën kremtimet për 500-vjetorin e vdekjes së Raffaello Sanzios

Kremtimet për 500-vjetorin e vdekjes së Raffaello Sanzio-s nisën në Vatikan me ekspozimin e kryeveprës së piktorit Pietro Perugino, mësues i Urbinatit të madh, titulluar “Pala dei Decemviri”. Më pas, nga data 17 deri më 23 shkurt, do të zhvendosen në Kapelën Sikstine edhe sixhadetë e famshme të Raffaellos.

R. SH. - Vatikan

Muzetë e Vatikanit e nisën kështu kremtimin e Vitit kushtuar Raffaellos, me një kryevepër të mësuesit të tij, Peruginos, që rikthehet me gjithë kornizën, nga e cila qe ndarë më 1797 pas pushtimeve napoleonike, kur pati shtegtuar drejt Parisit, së bashku me shumë kryevepra të tjera të artit italian. Fat i çuditshëm, ky i kryeveprave që duken, zhduken e riduken në rrjedhë të historisë, njëheresh me emrat e pamort të atyre, që i krijuan.

E kujtuar nga piktori dhe historiani i famshëm i artit italian Giorgio Vasari dhe nga burime të mëpasme historike-artistike për bukurinë e saj të jashtëzakonshme,  Pala apo figurja e madhe, që paraqet Zojën mbi fron me Foshnjën në prehër, e përgatitur për t’u vendosur mbi altarin e madh të  Kapelës së Pallatit të Priorëve, në Peruxhia, nisi t’i flasë përsëri dashuronjësit të artit nga ekspozita e hapur më 7 shkurt në Vatikan, ku do qëndrojë deri më 30 prill 2020. Kjo kryevepër si dhe sixhadetë e Raffaello-s, janë katekizëm i gjallë. Ruajnë shkëlqimin e zanafillës e vijonë të transmetojnë një mesazh të fuqishëm fetar, për të cilin edhe u krijuan!

Po kush ishte - a më mirë kush është Raffaello?

Është Piktori që vetë vdekja e quajti të pavdekshëm, siç shkruhet në epitafin mbi varrin e tij, në Bazilikën Romake e Shën Marisë  së Martirëve, dikur  Panteoni apo Tempulli i gjithë zotave paganë.

Mbi rrasën e varrit të Mjeshtrit të madh lexojmë pak a shumë këto fjalë, shkruar nga kardinali Bembo:

“Sa ishte gjallë, vdekja u drodh nga frika se do të mundej prej Tij e, kur vdiq, dreshti se do të vdiste së bashku me Të”.

Kaluan shumë shekuj që asokohe, po beteja ndërmjet Mjeshtrit e vdekjes vijon! Dëshmi e këtij vijimi është edhe ekspozita që u hap në Vatikan e që do të mund të soditet deri më 30 prill.

Dy fjalë për një jetë pa fund

Kujtojmë se Raffaello Sanzio lindi në Urbino, në vitin 1483, në familjen e një piktori të mirënjohur të kohës. Kryeveprat e tij e parë, realizuar kur ishte ende i vogël, është “Martesa e Virgjërës”.

Në moshë fare të re u thirr nga Papa Juli II për dekorimin e apartamenteve të Vatikanit. Me to nisën kryeveprat e tij të mëdha, që pasuan njëra-tjetrën, në mjediset vatikanase, ku mundi të punojë pranë e pranë me Bramanten, Mikelanxhelon, Leonardon... Duke realizuar vepra, që ia pati zili deri vetë vdekja! Tejet e gjatë lista, për t’u radhitur në këtë përkujtim të shkurtër.

Vdiq krejt papritmas, në prill të vitit 1520, në moshën 37 vjeçare, duke lënë pas, ende të pakryer, një nga kryeveprat e tij “Shndërrimi i Krishtit”, sot e ekspozuar në Pinakotekën e Vatikanit.

Vdekja e Raffaellos la një boshllek të madh në botën kulturore të kohës e të kohërave. U varros me nderime të mëdha në Panteon, ku vijon të presë ditën e zgjimit të madh! Pas kaq qindra vjetësh, mbi varrin e tij duar të panjohura vendosin çdo ditë trëndafilë të freskët.

14 shkurt 2020, 14:09