Kërko

Bazilika e Shën Pjetrit, në Vatikan Bazilika e Shën Pjetrit, në Vatikan 

Koronavirus, shtyhen disa veprimtari në salla me shumë njerëz, në Vatikan

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, njoftoi se Vatikani ka vendosur t’i shtyjë disa veprimtari, organizuar në vende të mbyllura, me publik të konsiderueshëm. Asnjë pezullim për audiencën e përgjithshme të së mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit. Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), është arritur piku i infeksioneve në Kinë, por në pjesën tjetër e botës ka akoma rrezik për pandemi.

R.SH. - Vatikan

Sot pasdite, në Universitetin Papnor Urbanian në Romë do të paraqitej një libër mbi figurën e kardinalit Celso Costantini, por përhapja e koronavirusit e nxiti edhe Vatikanin të marrë masa parandaluese. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, deklaroi se disa ngjarje, që do të zhvilloheshin në vende të mbyllura, në praninë e një numri të madh njerëzish, është vendosur të shtyhen. Gjithsesi, kjo masë nuk prek audiencën e përgjithshme të Papës, ditën e mërkurë, që tashmë, mbahet në Sheshin e Shën Pjetrit, pra, në një vend të hapur.

         Siç shpjegoi Matteo Bruni, janë marrë edhe masa të tjera me karakter shëndetësor, si krijimi i një pike në ambulancën e Vatikanit, me “një infermier dhe një mjek roje për ndihmën e menjëhershme për pacientët, që paraqesin simptoma të koronavirusit”. Gjithashtu, në të gjitha Zyrat për marrjen e lejekalimit të hyrjes në Vatikan, janë vendosur “dispenser me higjienizues për duart”.

Në të njëjtën vijë me qëndrimin italian

         Personeli shëndetësor i Vatikanit, nënvizoi drejtori i Sallës së Shtypit, në rastin e ndonjë pacienti pozitiv ndaj Covid-19, do të zbatojë menjëherë “procedurat e parashikuara, në marrëveshje me Ministrinë italiane të Shëndetësisë”. “Departamenti i Shëndetit dhe i Higjienës së Shtetit të Vatikanit – siguroi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë - është në kontakt të vazhdueshëm me Rajonin Lazio dhe me Ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë, që po merret me çështjen. Ai do të ndjekë dhe do të njoftojë çdo rekomandim që i jepet”.

OBSH-ja: ulet numri i të infektuarve në Kinë, por alarmi mbetet

         Ndërkohë, ndërsa vdekjet në Kinë kanë tejkaluar 2.600 vetë dhe numri i të infektuarve ka arritur në 77.300, studiuesit e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) kanë arritur në përfundimin se “përhapja e koronavirusit në Kinë arriti pikun më të lartë ndërmjet 23 janarit dhe 2 shkurtit” dhe se “që atëherë, ka filluar të bjerë ndjeshëm”. Lajm i mirë, i kundërpeshuar nga realizmi i Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, për të cilin përpjekjet për ta përmbajtur virusin duhet të vazhdojnë që të mund të përballohet një “pandemi e mundshme”.

25 shkurt 2020, 14:52