Papa Françesku e kardinali Kurt Koch Papa Françesku e kardinali Kurt Koch 

Kardinali Koch: ekumenizmi i shenjtorëve i afron katolikët me ortodoksët

Katër vjet pas Deklaratës së Havanës, nënshkruar nga Papa Françesku dhe Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill, në program, një konferencë e organizuar më 12 shkurt në Romë, me temën “Shenjtorët - shenja dhe fara bashkimi”. Të pranishëm, kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve dhe mitropoliti Hilarion, kreu i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Patriarkanën e Moskës.

R.SH. - Vatikan

12 shkurti, tashmë, që prej katër vitesh, është kthyer në rast të rëndësishëm ekumenik për të përkujtuar takimin historik ndërmjet Papës Françesku dhe Patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirill, në Havanë të Kubës. Kujtojmë se udhëtimi i 12-të apostolik i Atit të Shenjtë, që e çoi Bergoglio-n në Meksikë, filloi më 12 shkurt 2016 dhe ndalesa e parë ishte pikërisht aeroporti José Martì i Kubës. Këtu vëllezërit e fesë në Krishtin u përqafuan, duke i dhuruar botës një çast kuptimplotë e të rëndësishëm. Fjalët, që u thanë në atë rast, pa letër, theksuan vëllazërimin ndërmjet dy Kishave, për t’i hapur udhën nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët, e cila përcaktoi rrugën e ardhshme.

Përqafimi në Kubë

         “Jemi ipeshkvij, folëm për Kishat tona, ramë dakord që uniteti krijohet udhës”: këto ishin fjalët e Papës, ndërsa Patriarku Kirill iu referua bashkëpunimit në disa fronte si paqja dhe respekti për jetën, familjen e dinjitetin njerëzor. E pikërisht këto janë çështjet, që karakterizuan etapat e mëpasme të udhës së përbashkët, çdo vit, më 12 shkurt. Vitin e parë në Frajburg, pastaj në Vjenë dhe më pas, në Moskë: martirizimi dhe impenjimi i të krishterëve në Lindjen e Mesme, shpopullimi i zonës, fundi i jetës dhe dinjiteti i të sëmurit, kanë qenë në qendër të takimeve ndërmjet kardinalit Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve dhe, mitropolitit Hilarion, kreu i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Patriarkanën e Moskës.

Takimi i Romës dhe tema e shenjtorëve

         Katër vite pas asaj Deklarate historike, gjithçka është gati në Romë për konferencën e organizuar mbi një temë tjetër me interes të përbashkët: “Shenjtorët - shenja dhe fara të bashkimit”. Do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 15.30, në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit, ndërsa në mbrëmje do të jepet një koncert në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, ku Kori Sinodal i Moskës do të këndojë së bashku me Korin e Kapelës Muzikore Papnore Sikstine.

11 shkurt 2020, 14:51