Kërko

Padre Pietro Bovati, sj Padre Pietro Bovati, sj 

At Pietro Bovati predikon Ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve 2020 për Papën e Kurien Romake

Ushtrimeve Shpirtërore të Papës Françesku e Kuries Romake për Krezhmët 2020 do të predikohen nga jezuiti At Pietro Bovati, Sekretar i Komisionit Papnor Biblik.

R.SH. - Vatikan

Të mërkurën, më 26 shkurt, me kremtimin e ritit të Përhimjes, filluan Krezhmët. Nga data 1 deri më 6 mars, Papa Françesku, së bashku me Kurien Romake, do të shkojë në Shtëpinë e ‘Mësuesit Hyjnor’, në Ariccia, pranë Romës, për ushtrimet shpirtërore tradicionale, mbi temën: "Kaçuba ishte ndezur flakë, por nuk digjej (Dalja 3,2), takimi ndërmjet Zotit e njeriut, në dritën e Librit të Daljes, Ungjilli i Mateut dhe lutja në Psalme".  

Për përkimin e Ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve 2020, Papa Françesku ka zgjedhur jezuitin at Pietro Bovati, gati 80 vjeç. Kujtojmë se jezuiti at Pietro Bovati hyri në Shoqërinë e Jezusit në vitin 1959, së pari si student dhe pastaj, duke filluar nga viti akademik 1982-1983, si profesor në Institutin Papnor Biblik, ku ka mbajtur kurse e seminare të shumta në sferën e Ekzegjezës biblike dhe  të Teologjisë së Besëlidhjes së Vjetër. Nga viti 1997 deri më 2008 ka qenë zëvendës-rektor i të njëjtit institut.

Pra, Papa e Kuria Romake, çdo vit në kohë të Krezhmëve mbajnë ushtrimet e shpirtit. Po jo vetëm Papa e  bashkëpunëtorët e tij por edhe ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë traditë të mbajnë ushtrimet shpirtërore disa herë në vit, varësisht nga kalendari kishtar e nga ngjarjet e nevojat shpirtërore personale. Këtë sepse Ushtrimet Shpirtërore janë “përjetim” i dashurisë së Hyjit. Kush “i përjeton ushtrimet Shpirtërore” kthehet “i përtërirë dhe i shndërruar në jetën e zakonshme, në shërbesë dhe në marrëdhëniet e përditshme, duke mbartur me vete parfumin e Krishtit.

Pra, jemi afër javës së ushtrimeve shpirtërore të kohës së Kreshmëve për Papën dhe Kurien Romake në Ariccia, afër Romës, e pyesim çfarë janë ushtrimet shpirtërore dhe përse shërbejnë ato?

Ushtrimet janë një periudhë e shkurtër meditimi dhe largimi nga bota për të verifikuar sa dhe si e kemi ndjekur e dëshmuar Krishtin në jetën e përditshme. E periudha e Krezhmëve është kohë e volitshme shpirtërore për të kuptuar bukurinë dhe madhështinë e besëlidhjes ndërmjet Zotit e njeriut, për të kuptuar bukurinë e Dashurisë Përdëllyese të Hyjit ndaj çdo njeriu. Po Krezhmët janë edhe një kohë shpirtërore për të lënë pas rrugën e gabuar dhe për ta kthyer zemrën, duke dëgjuar zërin e Krishtit, që shpall ardhjen e Mbretërisë së Hyjit. Kështu, Ushtrimet shpirtërore janë rast i volitshëm për një ripërtëritje shpirtërore dhe për kthimin tonë tek Zoti Atë.

Por pse ka kaq shumë rëndësi që i krishteri t’i ndërpresë veprimtaritë e përditshme e t’ia kushtojë një pjesë të kohës Zotit, përmes ushtrimeve shpirtërore, ose në mënyra të tjera të mundshme?

Përgjigja është se ushtrimet shpirtëror janë vendimtare për jetën e çdonjërit. Nuk duhet të harrojmë se vetë Jezusi, gjatë jetës së tij – e këtë na e dëshmojnë Ungjijtë – tërhiqet mënjanë, në vetmi, për t’u lutur, për të medituar, për të dialoguar me Biblën, Shkrimet Shenjte e me Atin Qiellor. Në historinë e krishterë kjo kërkesë është e gjithpranishme, sepse ka çaste kur njeriu ndjen nevojën për të medituar e reflektuar mbi momente të rëndësishme të jetës, ka çaste ku ndjehet i lodhur, e ngadalëson hapin, i zvogëlohen forcat. Atëherë  e ndjen nevojën për ta marrë përsëri shpirtërisht veten, për ta ushtruar shpirtin, për t’iu kushtuar Fjalës së Zotit, rishikimit të jetës, lutjes, në mënyrë që jeta jonë të gjallërohet rishtas.

27 shkurt 2020, 12:04