Kërko

Konferenca mbi Inteligjencën Artificiale në Vatikan Konferenca mbi Inteligjencën Artificiale në Vatikan 

Inteligjenca Artificiale: Vatikani nënshkruan “Kartën e vlerave etike” bashkë me IBM-në dhe Microsoft-in

Fillojnë nga Auditoriumi i Via della Conciliazione, në Romë, hapa të vendosura për një etikë gjithnjë e më të rreptë në sistemet, që përdorin Inteligjencën Artificiale. Rrugë e hapur nga Akademia Papnore për Jetën, e cila, në bashkëpunim me gjigandët e teknologjisë IBM dhe Microsoft si nënshkrues të parë, paraqiti sot në Romë dokumentin “Thirrja e Romës për Etikë në Inteligjencën Artificiale” (Roma Call for AI Ethics).

R.SH. - Vatikan

Nënshkrimi i dokumentit u parapri nga një debat intensiv, hapur në Auditorium nga presidenti i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Vincenzo Paglia. Në të morën pjesë zv.presidenti i IBM-së, John Kelly III, presidenti i Microsoft-it, Brad Smith, presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli dhe, drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Dongyu Qu, të gjithë nënshkrues të “Thirrjes për Etikë”.

Fjala e Papës u lexua nga imzot Paglia

         Paraditen e sotme ishte planifikuar audienca e tyre me Papën Françesku, që u anulua për shkak se Ati i Shenjtë nuk ndihet shumë mirë e është i pamundur. Fjalën e tij e lexoi imzot Vincenzo Paglia. Ati i Shenjtë, i cili e ndjek gjithnjë me vëmendje ndikimin e teknologjisë sidomos në jetën e të rinjve, kërkon një “algor-etikë”, pra një algoritëm, që e përcakton funksionimin e Inteligjencës Artificiale, duke pasur parasysh rregullat etike. Papa flet për nevojën e krijimit të “ndërmjetësve shoqërorë”, që sigurojnë respektimin e ndjeshmërisë etike nga përdoruesit dhe edukatorët. Ky hap i parë me Dokumentin e Romës, nënvizon Françesku, duhet të jetë “urë, që parimet të përfshihen konkretisht në tekonologjitë dixhitale”, të cilat nuk janë “mjete asnjanëse”, sepse plazmojnë botën dhe u kërkojnë ndërgjegjeve të prononcohen në planin e vlerave.

         “Nga gjurmët dixhitale, që lëmë në internet, algoritmet nxjerrin të dhëna, të cilat lejojnë kontrollin mbi mendjen dhe marrëdhëniet, për qëllime tregtare ose politike, shpesh pa dijeninë tonë – denoncon Ati i Shenjtë. - Kjo asimetri, për të cilën pak vetë dinë gjithçka për ne, ndërsa ne nuk dimë asgjë për ta, e mpin mendimin kritik dhe ushtrimin e vetëdijshëm të lirisë. Pabarazitë rriten jashtëzakonisht, dija dhe pasuria grumbullohen në disa duar, me rreziqe serioze për shoqëritë demokratike”.

Pikat kryesore të Thirrjes së Romës për Etikë

         “Inteligjenca artificiale – lexohet edhe në “Thirrjen për Etikë” – po sjell e do të sjellë ndryshime të thella në jetën e njerëzve. Ajo është mundësi për përmirësimin e bashkëjetesës shoqërore dhe të mirëqënies personale, duke i shtuar aftësitë njerëzore e duke lehtësuar shumë detyra, që mund të realizohen më frytshëm e më shpejt. Megjithatë, ka rrezik të ndikojë mbi mendjen dhe mbi marrëdhëniet ndërpresonale. Karta synon të mbrojë dinjitetin e njerëzve dhe të ambienteve, duke pasur parasysh kërkesat e më të ligshtëve. Objektivi nuk është vetëm të mos përjashtohet askush, por edhe të zgjerohen ato hapësira lirie, që mund të kërcënohen nga kushtëzimet e algoritmeve”.

         Në këndvështrimin etik, njerëzit dhe natyra janë në qendër të zhvillimit teknologjik e vetë teknologjitë, edhe kur sillen si “protagonist racional”, nuk e zëvendësojnë njeriun. “Ka ardhur koha të përgatitemi për një të ardhme më teknologjike, në të cilën makinat do të kenë një rol më të rëndësishëm në jetën e njerëzve, por edhe për një të ardhme, në të cilën përparimi teknologjik të afirmojë gjenialitetin e njeriut e të mbetet i varur nga etika e tij”, përfundon Thirrja e Romës për Etikë në Inteligjencën Artificiale.

28 shkurt 2020, 14:35