Kërko

Inteligjenca artificiale. Në Vatikan, nënshkrimi i “Call for AI Ethics”

Më 28 shkurt, në Romë, do të nënshkruhet “Call for AI Ethics”, pas një seminari të Akademisë Papnore për Jetën mbi temën e Inteligjencës Artificiale. Takimi do të mbahet në Vatikan nga 26 deri më 28 shkurt dhe është i hapur për publikun, që regjistrohet. Dokumenti do t’i paraqitet Papës.

R.SH. - Vatikan

Do të publikohet më 28 shkurt, në Romë, Dokumenti “Rome Call for AI Ethics” (Thirrja e Romës për Etikë në fushën e Inteligjencës Artificiale), promovuar nga Akademia Papnore për Jetën, në favor të një këndvështrimi etik mbi inteligjencën artificiale. Dy nënshkruesit e parë janë pikërisht firmat e mëdha të informatikës, Microsoft dhe IBM. Dokumenti do të paraqitet në fund të një seminari, që organizohet po nga Akademia Papnore për Jetën e që fillon më 26 shkurt.

Është hera e dytë, që mbahet një seminar i tillë, ku reflektohet mbi etikën dhe mbi çështjet antropologjike në fushën e robotikës dhe të inteligjencës artificiale, në vazhdën e interesit të treguar edhe nga Papa Françesku. Sipas kryetarit të Akademisë Papnore për Jetën, imzot Vincenzo Paglia, seancat studimore do të jenë dy, me temë: “Algoritmi i mirë?” (26-27 shkurt) dhe “Për një Inteligjencë Artificiale humaniste” (28 shkurt). Seminari është i hapur për publikun, pas regjistrimit falas. Papa Françesku do t’i flasë asamblesë në lidhje audiovizive nga Pallati Apostolik.

Ndërkaq, “Thirrja e Romës për për Etikë në fushën e Inteligjencës Artificiale” do të paraqitet në një konferencë publike në Auditoriumin e via della Conciliazione 4, në praninë e imzot Vincenzo Paglia-s; të presidentit të Microsoft-it, Brad Smith; të zv.kryetarit ekzekutiv të IBM-së, John Kelly III, të presidentit të Parlamentit Evropian David Sassoli dhe të drejtorit të përgjithshëm të Fao-s, Dongyu Qu. Në audiencën e vitit të kaluar, më 25 shkurt, me pjesëmarrësit në asamblenë e Akademisë Papnore për Jetën, Papa Françesku pati theksuar: “… ka rrezik t’ia dorëzojmë jetën logjikës së pajisjeve, që vendosin për vlerën e saj. Kjo përmbysje është e destinuar të çojë drejt rezultateve jashtëzakonisht të dëmshme: makina jo vetëm që drejton vetveten, por arrin të drejtojë edhe njeriun. Kështu, arsyeja njerëzore reduktohet në një racionalitet të tjetërsuar efektesh, që nuk mund të konsiderohet i denjë për njeriun”.

14 shkurt 2020, 12:19