Kërko

Inteligjenca artificiale Inteligjenca artificiale 

Fillon sot në Vatikan, konferenca mbi Inteligjencën Artificiale

“Algoritmi ‘i mirë’? Inteligjenca artificiale: etika, të drejtat, shëndeti”: kjo është tema e konferencës së promovuar nga Akademia Papnore për Jetën, që fillon sot pasdite në Vatikan. Tri ditë studimi, në të cilat do të marrin pjesë akademikë, shkencëtarë dhe inxhinierë nga kompani shumëkombëshe të teknologjisë.

R.SH. - Vatikan

Fillojnë sot, tri ditë intensive diskutimi në Vatikan, mbi temën “Algoritmi ‘i mirë’? Inteligjenca artificiale: etika, të drejtat, shëndeti”, konferencë e organizuar nga Akademia Papnore për Jetën. Punimet do të kulmojnë, më 28 shkurt, me nënshkrimin e “thirrjes për etikë”, një tekst i përbashkët mbi marrëdhëniet ndërmjet etikës dhe teknologjisë, që do të shërbejë si udhëzues për zhvillimet e ardhshme e do t’i paraqitet edhe Papës Françesku.

         Të ndryshme, argumentet e diskutimit: në plan të parë, problemet që përfshijnë sferën etike, pastaj, konfrontimi me botën e shëndetësisë dhe të mjekësisë, si edhe çështjet që lidhen me ligjin dhe privatësinë. Punimet nisin sot pasdite në Sallën e re të Sinodit. Marrin pjesë ekspertë nga Gjermania, SHBA-të, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Britania e Madhe. Ndër folësit e ditës së parë është edhe atë Paolo Benanti, profesor i Etikës dhe i Bioetikës në Universitetin Papnor Gregorian. Atij ia afruam mikrofonin tonë për të na shpjeguar lidhjen ndërmjet etikës dhe inteligjencës artificiale:

         Le të nisemi nga një shembull: nuk është hera e parë, që kemi krijuar sisteme, të cilat mund të vendosin vetë. Shumicës prej nesh, me siguri, do t’i ketë qëlluar të marrë, për shembull, trenin pa shofer, që çon nga një terminal në tjetrin, në aeroport. Në vitet ‘70, kur u zhvillua kjo teknologji, ishin të gjithë dakord me një filozofe të Oksfordit, Philippa Ruth Foot, e cila tha se kur treni do të gjendej para rastit të dëmtimit të një apo 3 vetëve, do ta minimizonte dëmin, nëse do të vendoste të dëmtonte një person e jo 3. Ndërsa sot, kur po përhapen, për shembull, makinat pa shofer, që kushtojnë disa qindra mijëra euro, pyetja mund të jetë edhe kjo: a do të mund të prodhonim makina, që mbrojnë pasagjerin në krahasim, ndoshta, me tre të panjohur, sepse pasagjeri është ai që e blen makinën? Ja pra që kushtet e ndryshme shoqërore, kushtet e ndryshme të përdorimit, vënë sërish në diskutim disa kufij, të cilat, më parë, merreshin si të mirëqena. Kur flasim për marrëdhëniet ndërmjet etikës dhe inteligjencës artificiale do të thotë se duhen ripërcaktuar këto rregulla të përbashkëta, që synojnë t’i japin përgjigje kompleksitetit të shoqërisë dhe automatizimit të saj.

         Po si mund të objektivizohet një parametër etik, në mënyrë që të shndërrohet në një të dhënë të përpunuar nga algoritmi?

         Në procesin e vendimmarrjes etike, ne vendosim gjithmonë në një rrethanë të caktuar, para një çështjeje të caktuar, por, megjithatë, e njohim udhën për ta përgjithësuar rastin e nga ky përgjithësim del norma etike. Kur ndodhemi para një jete të pafajshme, fakti që të gjithë mendojmë se jeta e pafajshme nuk duhet të preket, çon në normë: mos vrit. Tani, “mutatis mutandis”, pra, duke ndryshuar parametrat, duhet të bëjmë të njëjtat procese përgjithësimi, domethënë t’i japim disa udhëzime me kod makinës, që ajo të mos i bëjë disa gjëra. Për shembull: sot, të gjithë kemi asistentë dixhitalë në smartphone, por nëse i kërkojmë celularit të na ndihmojë të vrasim veten, ai nuk e bën këtë. Dikush i ka shkruar në trurin e tij elektronik një rresht kodi, që i thotë se në atë rast, duhet të na sugjerojë një psikolog. Sot, duhet të bëjmë gjëra të ngjashme me këtë.

Si mund ta komentoni teologjikisht këtë temë?

         Eh… para së gjithash, teologji është edhe botëkuptimi, që ka njeriu për veten, kjo do të thotë ta kuptosh njeriun si diçka që shkon përtej vetvetes e përtej të dhënave. Njeriu kuptohet si krijesë, prandaj, realiteti duhet kuptuar si “i krijuar”, si diçka që na është besuar, por nuk jemi të zotët absolutë të kësaj gjithësie. Ky besim i ka rrënjët në Ungjill, i cili është ligji i dashurisë së mishëruar në zemrat tona, zbatimi i të cilit i është besuar veprimeve tona. Tri koordinata të shpejta për të thënë se ka shumë për të bërë.

         Pse është iluzion të mendosh që, duke u mbështetur në algoritmin e makinave, mund të zgjidhen të gjitha problemet?

         Sepse prapa makinës është njeriu, pas algoritmit ka të dhëna dhe ato s’janë tjetër, veçse vendime e përzgjedhje të bëra tashmë. Unë mund ta pyes edhe algoritmin më të mirë se kush do të jetë presidenti i radhës i SHBA-ve, por duke parë se ata kanë qenë gjithmonë burra, do të më thotë se presidenti i ardhshëm duhet të jetë burrë, i cili, nëse ka bërë ndonjë padrejtësi, ose gabim në të kaluarën, do ta bëjë atë përsëri. Na duhet njeriu për të kuptuar ç’është e drejtë.

26 shkurt 2020, 14:08