Kërko

Pamje nga Amazona Pamje nga Amazona  Editorial

“Ëndrrat e mëdha” të Papës për Amazonën

“Vështrimi i Papës mbi rajonin: udhë konkrete për ekologjinë njerëzore, që i llogarit mirë të varfërit, për vlerësimin e kulturave e për një Kishë misionare me fytyrë amazonike”.

R. SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

“Ëndrra është hapësirë e zgjedhur për të kërkuar të vërtetën! E edhe vetë Zoti shumë herë zgjodhi rrugën e ëndrrës, për t’i folur njeriut”. Këto fjalë, shqiptuar nga Françesku në dhjetor 2018, në një homeli, gjatë meshëve kremtuar në Shën Martë, duke kujtuar Shën Jozefin, burrin e heshtur e konkret, na ndihmojnë të kuptojmë vështrimin e Papës mbi Amazonën përmes Nxitjes pas sinodale. Tekst i shkruar, si shkruhet një letër dashurie,  ku citohen begatisht poetët, që e ndihmojnë lexuesin të takohet me bukurinë e këtij rajoni, por edhe me dramat e tij të përditshme. Po pse Ipeshkvi i Romës deshi t’i japë vlerë universale Sinodit, kushtuar një rajoni kaq të veçantë? Pse na interesojnë Amazona dhe fatet e saj?

Duke shfletuar faqet e Nxitjes, gjejmë edhe përgjigjen. Në radhë të parë, sepse gjithçka ndërlidhet. Ekuilibri i Planetit tonë varet edhe nga shëndeti i Amazonës. E meqë  kujdesi për njerëzit e ai për shëndetin e Amazonës nuk mund të ndahen, nuk mund të na lërë indiferentë as rrënimi i pasurisë njerëzore e kulturore të popullsive indigjene, e as shkretimet a politikat, që shkretojnë pyjet, në emër të lulëzimit industrive të ndryshme. Por është edhe një element tjetër, që e bën Amazonën universale. Në një farë mënyre  zhvillimet që manifestohen në ato vise, u paraprijnë  sfidave, shumë pranë nesh: pasojave të një ekonomie të globalizuar e të një sistemi financiar gjithnjë më pak të qëndrueshëm, me ndikim negativ mbi njeriun e mjedisin; bashkëjetesës ndërmjet popujve e kulturave thellësisht të ndryshme; migrimeve e nevojës për ta mbrojtur krijimin, që rrezikohet të plagoset, pa shpresë shërimi.

“Querida Amazonia”, protagoniste në letrën e dashurisë së Françeskut,  përfaqëson, mbi të gjitha, një sfidë të vërtetë për Kishën, që thirret të gjejë rrugë të reja për të ungjillëzuar, duke kumtuar zemrën e mesazhit të krishterë, atë kerygmë,  e cila e bën të pranishëm Zotin e mëshirës, që e deshi aq shumë botën, sa të flijonte të Birin mbi kryq. Njeriu në Amazonë, nuk është sëmundja, që duhet luftuar për të mjekuar ambientin. Popujt  vendas të Amazonës duhen mbrojtur, me kulturat dhe traditat e  tyre. Por ata kanë edhe të drejtën e dëshmisë  ungjillore. Nuk duhen përjashtuar nga misioni, nga kujdesi baritor i një Kishe, të përfaqësuar mrekullisht prej  fytyrave të djegura nga dielli të një mori misionarësh të motnuar, të aftë për të lundruar ditë e ditë me kanoa, vetëm e vetëm që të mund të takojnë  grupe të vogla njerëzish e t’u çojnë ledhatimin e Zotit, njëheresh me ngushëllimin përtëritës të sakramenteve të Tij.

Me këtë nxitje, Papa Françesku jep dëshminë e një vështrimi, që i tejkalon kritikat dialektike, të cilat arritën deri në atë pikë, sa ta paraqesin sinodin  gati si të ishte referendum mbi mundësinë e shugurimit të burrave të martuar. Çështje e diskutuar prej shumë kohe e që mund të vijojë të diskutohet edhe në të ardhmen, sepse “vetëpërmbajtja e përhershme” , nuk është, sigurisht, “kërkesë e vetë natyrës së meshtarisë”, siç pohon edhe Koncili II i Vatikanit. Çështje,  mbi  të cilën Pasardhësi i Shën Pjetrit, pasi u lut e meditoi, vendosi të përgjigjej jo duke parashikuar ndryshimet ose mundësitë  e shmangies në krahasim me ata që parashikohen nga disipilina kishtare në fuqi, por duke kërkuar të niset nga themelorja. Nga feja e jetuar dhe e mishëruar, nga hovi i ri misionar, fryt i hirit, domethënë nga përpjekja për t’i lënë hapësirë veprimit të Zotit, e jo strategjive të marketingut ose teknikave komunikative të influencer.

“Amazona e dashur” pret një përgjigje të ‘posaçme guximtare’, lidhur me rimendimin e organizimit e të shërbesave kishtare. Kërkon përgjegjësinë e mbarë Kishës katolike, që t’i ndjejë si të vetat plagët e këtyre popujve  dhe shqetësimet e këtyre bashkësive, të cilat nuk mund ta kremtojnë as eukaristinë e së dielës, e t’u përgjigjet me bujari, me dërgimin e misionarëve të rinj, duke vlerësuar të gjitha karizmat e duke vënë theksin mbi shërbime të reja e shërbesa njerëzish të pashuguruar, për t’iu besuar laikëve e grave. Pikërisht duke kujtuar kontributin e pazëvendësueshëm të këtyre të fundit, Françesku kujton se “në Amazonë feja u transmetua dhe u mbajt gjallë falë pranisë së grave të forta e bujare, edhe kur në këto vise nuk pati shkelur asnjë këmbë meshtari”.     

11 shkurt 2020, 12:47