Carlo Acutis e Atë Rutilio Grande Carlo Acutis e Atë Rutilio Grande 

Do të lumnohen i riu Carlo Acutis dhe meshtari jezuit, Rutilio Grande

Papa Françesku autorizoi Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve të shpallë Dekretet, që i hapin udhën lumnimit të Carlo Acutis dhe meshtarit jezuit, Rutilio Grande. Do të lartohen në nderimet e altarit edhe dy laikë, vrarë së bashku me Rutilio Grande, në Salvador. Do të shenjtërohen një martir në Indi e një rregulltare italiane, Maria Françeska e Jezusit, themeluese e Motrave Terciare Kapuçine të Loanos.

R. SH. - Vatikan

Do të lumnohen i riu Carlo Acutis dhe meshtari jezuit, Rutilio Grande. Ua hapi rrugën Papa Françesku, duke pritur dje kardinalin Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve e duke e autorizuar Dikasterin të shpallë Dekretet përkatëse. Së bashku me Rutilo Grande-n do të lumnohen  edhe dy shokë laikë, vrarë me të në vitin 1977, nga urrejtja për fenë në Salvador.

Po, kush ishte Carlo Acutis?

Ishte një i ri, që dukej krejt i zakonshëm. Ndonëse ishte i jashtëzakonshëm! Lindi në Londër, më 1991, jetoi në Milano, vdiq në vitin 2006, në Monza, nga leucemia e u shpall i Nderuar në verën e vitit 2018. Më 5 e 6 prillin e ardhshëm trupi i tij do të vendoset në Shenjtëroren e Zhveshjes, në Asizi.

Apostull

Për të flitet si për një të ri normal. Si gjithë moshatarët. Djalosh, që kishte zgjedhur një mik të veçantë, nga i cili nuk ndahej kurrë: Jezusin! E këtë thesar të çmuar dëshironte ta ndante me të gjithë. Prandaj u bë apostull. E si? Përmes asaj, që e kishte fort për zemër: informatikës. Falë këtij pasioni, realizoi një ekspozitë kushtuar mrekullive eukaristike, për t’u treguar të gjithëve gëzimin e takimit me Krishtin!

Ishte gjenial

Sot kujtohet si “gjeni i informatikës në qiell” . E me këtë titull Libraria e Vatikanit (LEV) botoi  biografinë e tij. Me të, u realizua edhe dokufilmi,  prodhuar nga Ofiçina e Komunikimit dhe Vatican Media, titulluar: “Autostrada për qiell”. Ishte gjeni sepse, ende pa kryer studimet  në këtë specialitet, arrinte të realizonte programe për kompiuterin shumë më mirë se akademikët. E mjetet e komunikimit shoqëror i vinte gjithnjë në shërbim  të ungjillëzimit dhe të zhvillimit njerëzor.

Vuajtja

Sapo u shtrua në spital, u tha prindërve: “I ofroj vuajtet, që do të më duhet të pësoj, për Papën, për Kishën, për të mos kaluar nëpër Purgator, por për të shkuar drejtpërdrejt në Parriz”. Vuante, duke menduar “Në botë ka njerëz që vuajnë shumë më tepër se unë” . E shtonte. “Mos e zgjoni nënën, që është e shqetësuar e do të shqetësohej edhe më shumë”.

Do të shpallen Shenjtorë edhe një  laik e një rregulltare

Janë i Lumi Lazër, i njohur me emrin Devasahayam, vrarë nga urrejtja kundër fesë në Indi, më 1752 si dhe një rregulltare, e Lumja Maria Françeska e Jezusit (në shekull Anna Maria Rubatto), themeluese e Motrave Terciare Kapuçine. E lindur në Carmagnola (Itali) më 1844, vdiq në Montevideo (Uruguai) më1904.

Me njohjen e virtyteve heroike, do të shpallen të Nderuar Shërbëtorët e Zotit: prifti dioqezan Emilio Venturini, themelues i Kongregatës së Motrave Shërbëtore të Zojës së Dhimbshme; prifti dioqezan Pirro Scavizzi nga Gubio; Emilio Recchia, meshtar i Kongregatës së Varrëve të Krishtit dhe laiku Mario Hiriart Pulido, nga Santiago i Kilit.  

22 shkurt 2020, 13:02