Arkivi Apostolik i Vatikanit Arkivi Apostolik i Vatikanit 

Arkivat e Vatikanit hapen për njohjen e së vërtetës dhe kujtimin e Holokaustit

Hapja e arkivave të Vatikanit. Lauder: “Dëshmi e dëshirës së Papës Françesku për të njohur të vërtetën e për të kujtuar Holokaustin”.

R. SH. - Vatikan

“Hapja e arkivave vatikanase të Luftës II Botërore  për  historianët, është shenjë, që dëshmon dëshirën e Papës për njohjen e së vërtetës e për kujtimin e Holokaustit, apo të shfarosjes masive të hebrenjve”. Këtë pohon Ronald S. Lauder, president i Kongresit hebraik botëror (Wjc), në prag të hapjes  së fondeve,  që lidhen me papninë e Piut XII.

“Kongresi hebraik botëror - vijon Lauder - e di se më 17 mars 1942 Vatikani pati marrë një memorandum të hollësishëm nga ana  e përfaqësuesit të asokoshëm të Wjc në Gjenevë, Gerhart Riegner, në të cilin pasqyroheshin provat brutale të planit nazist për shfarosjen e hebrenjve. Nuk  kemi asnjë dijeni mbi fatin e këtij memorandumi të Riegner, as pasi e kërkoi përfaqësuesi i asokohshëm i Selisë Shenjte në Zvicër, imzot  Filippo Bernardini. Po e dimë mirë  çka ndodhi me 6 milionë hebrenj të vrarë mizorisht gjatë Holokaustit” - nënvizon Lauder

Me hapjen e arkivit mund ta marrim vesh, më në fund, çka dinte Vatikani - pohon akoma Lauder - duke kujtuar, në vijim,  të gjitha përpjekjet e bëra menjëherë pas përfundimit të luftës botërore nga ana e bashkësisë hebraike dhe Kishës katolike, për ta shpallur Vatikanin aleat të popullit hebraik.

Hapja e arkivit - nënvizon presidenti i Wjc - “është një nga çastet vendimtare të historisë së marrëdhënieve katoliko-hebraike dhe të dialogut ndërfetar”.

Të shumta kanë qenë rastet kur Papa Françesku u takua me Lauder. I pari,  që në fillim të papnisë, në mars 2013. Gjatë këtij takimi Françesku e Lauder  diskutuan për bashkëpunimin katoliko-hebraik e edhe për çështje të tjera, të ndryshme, ndërmjet të cilave, edhe përhapja e antisemitizmit në botën e sotme.

28 shkurt 2020, 13:52