Kërko

 Nënshkrimi i Paketeve Lateranense Nënshkrimi i Paketeve Lateranense 

11 shkurt 1929. Domethënia e Pakteve Lateranense për Selinë e Shenjtë, Kishën e Italinë

Po botojmë një fragment nga editoriali i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” kushtuar Pakteve lateranense, nënshkruar 91 vjet më parë. Marrëveshjet e 11 shkurtit 1929 i dhanë fund Çështjes Romake, që u hap me marrjen e Romës, më 1870, para 150 vjetësh. Të receptuara në nenin 7 të Kushtetutës së Republikës italiane, Paktet i siguruan Selisë së Shenjtë një mori garancish për zhvillimin e misionit të saj në botë.

R. SH. - Vatikan

“Sot të duket e vështirë e gati-gati e bezdisshme të kujtosh pasionet që i patën prekur e i patën zemëruar njerëzit e asaj kohe e të viteve që pasuan, Diçka i pati munguar jetës italiane në hapat e para të formimit të saj. Nuk ishte tjetër, veçse uniteti, forca shpirtërore, humanizmi patriotik e, si pasojë, edhe aftësia e plotë për t’i zgjidhur problemet e shoqërisë së saj të ngarkuar me pabarazi, nevojtare për rregulla të reja, asokohe e përshkuar nga rryma të forta agjitative e  armiqësore. Për fat arritëm një përfundim të kënaqshëm me pajtimin e famshëm të vitit 1929 e me pohimin e lirisë e të demokracisë në vendin tonë”.

Kështu shprehej më 10 tetor 1962, në Campidoglio, në prag të hapjes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, kardinali Giovanni Battista Montini,  në   fjalimin e paharrueshëm kushtuar fundit të Shtetit papnor: fjalim, në të cilin i vlerësonte ngjarjet kryesore romake të shekullit të mëparshëm si fakt providencial. Dokumetet konciliare, e në veçanti Kushtetuta  baritore Gudium et spes kushtuar Kishës në botën bashkëkohore, do ta  vërtetonin  më pas heshturazi, por thelbësisht, këtë gjykim.

Këto fjalë e ky gjykim nga ana e atij, që pak muaj më pas do të thirrej  të ulej në fronin e Shën Pjetrit, shënonin  fundin e Shtetit papnor, me marrjen e Romës, më 20 shtator 1870 si dhe fundin e Çështjes Romake, që kishte hapur kjo ngjarje politiko-ushtarake, me nënshkrimin e Pakteve lateranense më 11 shkurt 1929. Kjo ngarje shënoi  çlirimin e Kishës nga një barrë, që ishte bërë tepër e rëndë; promovoi proceset e reformimit të institucionit kishtar dhe të drejtave të Kishës, me synimin që  të vinin në dukje qëllimet thjesht shpirtërore, favorizoi para syve të botës  e posaçërisht të bashkësisë ndërkombëtare, natyrën e vërtetë të Selisë së Shenjtë, duke i krijuar Kishës lirinë e plotë për zhvillimin e misionit të saj  baritor, edukativ e bamirës, të ungjillëzimit e të shenjtërimit.

Kështu, shprehur me fjalët e Arturo Carlo Jemolo, jurist italian, që dha një kontribut të shquar në sistemimin e marrëdhënieve Kishë-Shtet përmes Pakteve Laterannse - “është historia e amshuar ndërmjet njerëzores e hyjnores”.  

11 shkurt 2020, 13:32