Kërko

Papa Françesku dhe imzot Gabriele Giordano Caccia Papa Françesku dhe imzot Gabriele Giordano Caccia 

Vëzhguesi i ri papnor në OKB e nxit organizatën t’u kthehet parimeve themeltare

“Bota ka nevojë sot më shumë se kurrë për OKB-në, megjithëse ajo duhet reformuar e përmirësuar. Na duhet një forum botëror, ku të diskutohen problemet e situatat nga një këndvështrim global”. Kështu u shpreh Vëzhguesi i ri i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Gabriele Giordano Caccia, në meshën e kremtuar për të përuruar mandatin e tij, në Nju Jork.

R.SH. - Vatikan

Me një meshë në famullinë e Familjes Shenjte në Nju Jork, u përurua dje mandati i Vëzhguesit të ri të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Gabriele Giordano Caccia. Në ndërhyrjen e tij të parë publike, imzot Caccia ripohoi qëndrimin e Papës Françesku, sipas të cilit organizata shumëkombëshe, me seli në Pallatin e Qelqit, mbetet “shumë e nevojshme… është një forum botëror ku diskutohen problemet e situatat nga një këndvështrim global”.

"OKB-ja të kthehet tek parimet themeltare"

Në meshën e djeshme, Vëzhguesi i shtatë i Selisë së Shenjtë nënvizoi se ky vit shënon 75-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara, institucion i ngritur menjëherë pas mizorive të Luftës II Botërore. “Kurrë më”, përsëriti ai, duke kujtuar ato ngjarje e duke u bërë thirrje krerëve të OKB-së “të kthehen” tek parimet, që çuan në themelimin e saj. Gjatë pesëmbëdhjetë minutave të homelisë, kryeipeshkvi italian theksoi se detyra e punonjësve të Kombeve të Bashkuara është të ndihmojnë ata, që nuk kanë zë, veçanërisht përmes promovimit të dinjitetit njerëzor.

OKB-ja të vazhdojë reformimin

“Ne punojmë me kënaqësi me këtë institucion, duke u përpjekur të japim kontributin tonë për të mirën e botës”, nënvizoi imzot Caccia, duke pohuar se OKB-ja ka ndryshuar e mund ta vazhdojë përmirësimin e saj. Ai siguroi edhe mbështetjen e Papës Françesku, si edhe të gjithë Kishës Katolike, për këto reforma.

Kujtojmë se Papa Françesku vizitoi OKB-në në vitin 2015 e foli para asamblesë së përgjithshme. Ati i Shenjtë i lavdëron vazhdimisht përpjekjet e OKB-së për vendosjen e paqes në botë - e vitet e fundit, ka bashkëpunuar me krerët e saj për të nxitur vëmendje më të madhe mbi ekologjinë – por, në disa raste, sidomos gjatë vitit të kaluar, ka shprehur shqetësime për konsensusin në Këshillin e Sigurimit, ku vendimet mund të varen edhe nga vetoja e një vendi të vetëm.

Në Nju Jork, nga 16 janari 2020

Deri tani, imzot Gabriele Giordano Caccia ka shërbyer për Selinë e Shenjtë në Tanzani, Liban e Filipine. Lindur në Milano të Italisë, u caktua nga Papa Françesku si Vëzhgues i përhershëm i Vatikanit në OKB, në Nju Jork, më 16 nëntor 2019 dhe, e filloi detyrën më 16 janar 2020. Dje, mesha e tij e parë në famullinë e Familjes Shenjte, gjatë së cilës përdori kelkun, që Papa shenjt Pali VI i pati dhuruar kësaj kishe, me rastin e vizitës historike në OKB, më 4 tetor 1965.

29 janar 2020, 15:01