Kërko

Pope Francis Pope Francis  

Tema e "Vëllazërimit" në vëllimin e ri të serisë "Accènti" të Civiltà Cattolica

Në përvjetorin e parë të nënshkrimit të “Dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor për paqen dhe bashkëjetesën botërore " revista e jezuitëve italianë ‘La Civiltà Cattolica’ boton një vëllim të ri të serisë dixhitale "Accènti" kushtuar kësaj teme, me parathënien e kardinalit Migel Angel Ayuso Guixot, president i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

R.SH. - Vatikan

"Vëllazërimi" është një mjet për një mirëkuptim më të thellë e personal të asaj që ndodhi në Abu Dabi, më 4 shkurtin e kaluar, lidhur me fjalët e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar me atë rast nga Papa Françesku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Al-Tayyib, dhe të vëllazërimit si rrugëtim konkret e të fuqishëm para "sfidave apokaliptike”.  Jo thjeshtë një vëllazëri si aspiratë abstrakte e ngushëlluese, por si kriter i një bashkëjetese efektive, të zbatueshme, e këndej edhe si kriter të domosdoshëm në aspektin shoqëror e politik. Kështu revista ‘La Civiltà Cattolica’ e paraqet vëllimin e ri të serisë dixhitale "Accènti" përgatitur nga jezuitët, që shtjellohet rreth fjalëve-kyçe të frymëzuara nga aktualiteti shoqëror.

5 janë seksionet që e përbëjnë vëllimin në fjalë, me Parathënien e kardinalit Migel Ayuso Guixot, i cili përveç udhëheqjes së Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar është edhe kryetar i “Komitetit të Lartë për Vëllazërinë e njeriut", që u krijua për t’i zbatuar objektivat e Dokumentit në fjalë.

Angazhimi i Kishës për dialog është mision autentik

Abu Dabi ka qenë "një moment i rëndësishëm në udhën e dialogut ndërfetar","një dritare e re e hapur për të ofruar e treguar horizonte më të thella në rrugën e dialogut" e kështu "për të vazhduar në udhën e vëllazërimit, të paqes e të bashkëjetesës", por gjithmonë – pohon kardinali Guixot në parathënien e tij - në kontekstin e udhës që u tregua nga Koncili II Kishtar i Vatikanit, që pastaj "u pasurua" me Deklaratën konciliare Nostra Aetate dhe Dignitatis Humanae, si dhe me nisma si Dita botërore e lutjes për paqe në Asizi; Dita e reflektimit, dialogut dhe lutjes për paqe e drejtësi në botë; Shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes (me dëshirën e shën Gjon Pali II e të Benediktit XVI). "Prandaj, kard. Guixot vë në pah angazhimin e Kishës katolike në fushën e dialogut ndërfetar që hap shtigje paqeje e vëllazërimi, e ky impenjim i Kishës katolike, kujton, është pjesë e misionit të saj origjinal, që i ka rrënjët pikërisht në ngjarjet dhe mësimet e Koncilit II të Vatikanit ".

Së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme të re

I gjithë Dokumenti - që lindi nga një reflektim i përbashkët në mjediset myslimane dhe katolike, por që mund të bashkëndahet edhe nga të tjerët, përshkohet nga bindja se "së bashku mund e duhet të punojmë me guxim dhe besim për të rikuperuar shpresën në një të ardhme të re për mbarë njerëzimin". Dokumenti është një tekst i rëndësishëm dhe impenjues - shkruan kardinali Guixot - një "pikë pa kthim" që i kërkon çdo burri e gruaje, reflektim, studim e përpjekje për ta përhapur kudo.

Nuk është, në fakt, e rastit - vëren kardinali Guixot - që Papa Françesku, gjatë udhëtimit të fundit apostolik në Tailandë dhe Japoni, deshi t'ia dhuronte një kopje të Deklaratës së Abu Dabit Patriarkut suprem të budistëve, në Wat Patchabophit Sathit Maha Simaran në Bangkok, me shpresën që të mund të kontribuojë "në formimin e një kulture të dhembshurisë, vëllazërimit e takimit, në këtë vend, këtu, si dhe në vise tjera të botës" (Vizita pranë Patriarkut Suprem të Budistëve, Bangkok, 21 nëntor 2019). E mbi " kulturën e dhembshurisë", Papa Françesku - kujton akoma kardinalin Guixot – ka " këmbëngulur edhe gjatë takimeve që pati në Japoni".

"Prandaj - e përfundon parathënien kardinalin Guixot -  teksti i Deklaratës së Abu Dhabi po bëhet gjithnjë e më i njohur, e shkon edhe përtej marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve”, duke përqafuar, e këtu kardinal Guixot citon vetë Dokumentin - "të gjithë ata që besojnë se Zoti na ka krijuar për të njohur njëri-tjetrin, për të bashkëpunuar mes nesh dhe për të jetuar si vëllezër e motra, që e duan njëri-tjetrin”.

13 janar 2020, 14:41