Salla e asambleve të përgjithshme të Këshillit të Evropës Salla e asambleve të përgjithshme të Këshillit të Evropës 

Selia e Shenjtë, që prej 50 vitesh në Këshillin e Evropës

Pesëdhjetë vite më parë, Selisë së Shenjtë iu dha statusi i vëzhguesit në Këshillin e Evropës. Një konferencë ndërdisiplinore hapi sot kremtimet në Strasburg. Intervistë me imzot Marco Ganci.

R.SH. - Vatikan

“Rëndësi ka të mbjellim farën e mirë”, “ta ngremë zërin” edhe për ata “që nuk kanë zë”: “problemi është kur nuk flasim”. Kështu e përmbledh imzot Marco Ganci, i dërguari i veçantë dhe vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës, angazhimin e të krishterëve të kontinentit të vjetër, së bashku me atë të Selisë së Shenjtë, në institucionin ndërkombëtar të Strasburgut, që promovon demokracinë, të drejtat e njeriut, identitetin kulturor evropian dhe kërkimin e zgjidhjeve për problemet shoqërore të sotme.

Ta ndërtojmë së bashku Evropën

Rasti i jepet nga konferenca ndërdisiplinore me temë “Ta ndërtojmë së bashku Evropën - 50 vitet e Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës”, që filloi sot e do të përfundojë të enjten, në ndërtesën e universitetit të Strasburgut. Takimi organizohet pikërisht nga Misioni i përhershëm i Vatikanit, për të kujtuar se më 7 mars 1970, Selisë së Shenjtë iu dha statusi i vëzhguesit në Këshillin e Evropës, duke kurorëzuar kështu, marrëdhëniet zyrtare të nisura që nga viti 1962. Pjesëmarrësve u uroi mirëseardhjen vetë imzot Ganci, së bashku me sekretaren e përgjithshme të Këshillit, kroaten Marija Pecinovic Buric. Fjala hyrëse u mbajt nga Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, dhe nga historiani Luc Perrin i Fakultetit të Teologjisë Katolike në Strasburg.

Prania e Selisë së Shenjtë

         “Në vitin 2020 – shpjegon për Vatican News, imzot Ganci, i emëruar nga Papa shtatorin e kaluar - bie 50-vjetori i pranisë së Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës. Për këtë rast, paraardhësi im, imzot Paolo Rudelli, organizoi këto tri ditë ndërdisiplinore, në bashkëpunim me fakultetin teologjik të Universitetit të Strasburgut. Janë ditë studimesh, seminaresh, bisedash e marrëdhëniesh, për të ndihmuar në kuptimin e arsyes së pranisë së Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës dhe më gjerë, në bashkësinë ndërkombëtare”.

Në shërbim të së mirës së përbashkët

         Në këto pesëdhjetë vjet, vazhdon ai, misioni i Selisë së Shenjtë ka qenë dhe vazhdon të jetë “pjesëmarrja aktive në veprimtaritë e Këshillit të Evropës, ndjekja e tyre, dhënia e kontributit të veçantë të Selisë së Shenjtë, që kërkon të jesh gjithmonë në shërbim të Ungjillit, por edhe të kujtosh, në nivelin ndërkombëtar, cili është misioni i Kishës, të kujtosh si Ungjillin, ashtu edhe shërbimin për të mirën e përbashkët, të mirën e njeriut. Këshilli i Evropës - shpjegon Vëzhguesi i përhershëm - merret posaçërisht me çështjet e demokracisë, me sundimin e ligjit, me të drejtat e njeriut, çështje, që Selia e Shenjtë i ndjek me shumë kujdes: kontributi i saj është ta ngrejë zërin, si magjistre. E këtë e ka bërë përmes mesazheve të Atit të Shenjtë, vizitës së dy Papëve këtu në Strasburg - Shën Gjon Pali II dhe Françesku – si edhe përmes vizitave në Vatikan të zyrtarëve të nivelit të lartë të këtij Këshilli”. Perspektiva, shton ai, është gjithmonë ajo e “inkurajimit për të ndërtuar një Evropë më solidare, më të drejtë, më njerëzore, themeluar mbi paqen, mbi vlerat njerëzore, të cilat janë ato, që Selia e Shenjtë i kujton dhe i mbron gjithmonë”.

Urë dialogu

         Në qendër të konferencës, aspektet e ndryshme të pjesëmarrjes së të krishterëve në ndërtimin e Evropës, si në fushën e lirisë fetare, të bioetikës, të migracionit, të teknologjive të reja. “Për shembull, një nga komisionet e reja ndërqeveritare – njofton imzot Ganci - është ai mbi inteligjencën artificiale. U paraqit në fund të nëntorit, ndërsa takimi i parë u mbajt në dhjetor: edhe Selia e Shenjtë mori pjesë, Papa është shumë i vëmendshëm, ka pasur edhe një takim në Romë, në Vatikan”. Pra, veprimtaria ka të bëjë me çështje, që lidhen me “të drejtat e njeriut e që shërbejnë për të dhënë një kontribut shpirtëror e moral, në dritën e misionit tonë të veçantë. Selia e Shenjtë ka gjithnjë kujdes të veçantë për këto çështje: migracioni, tema e lirisë fetare, dialogu ndërfetar, dialogu ndërkulturor”. Më pas, për mënyrën me të cilën të krishterët mund të vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin e Evropës dhe të mbështesin idenë e një Evrope të bashkuar, në një periudhë muresh të reja, Vëzhguesi i përhershëm nënvizon kontributin e Selisë së Shenjtë për të “ndërtuar ura – siç kujton Papa - me dialog, me respekt për të tjerët, me respekt për identitetin personal, por sidomos me synimin për t’u zhvilluar së bashku”. Ja pse “tema e këtyre tri ditëve të studimit është ta ndërtojmë Evropën së bashku: kontributi i Selisë së Shenjtë nuk është vetëm për të krishterët, ose për katolikët, por për të gjithë”.

07 janar 2020, 18:16