Kërko

Vatican News
Kongresi i parë baritor kushtuar të moshuarve Kongresi i parë baritor kushtuar të moshuarve 

“Pasuria e viteve”: në Romë, Kongresi i parë baritor kushtuar të moshuarve

Prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, kardinali Farrell, paraqet takimin ndërkombëtar, që do të mbahet nga 29 deri më 31 janar në Augustinianum, me 550 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët do të reflektojnë mbi rolin e të moshuarve si “bashkë-protagonistë” në Kishë dhe në familje.

R.SH. - Vatikan

Në Kishë, të moshuarit harrohen nganjëherë, konsiderohen barrë, por “ata duhet të jenë bashkë-protagonistë, sepse kanë përvojë të madhe, kanë jetuar shumë”. E organizuam këtë seminar “për të parë ç’po ndodh në botë e në Kishë” në këtë drejtim. Ky që flet kështu, në mikrofonin e Vatikan News, është prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, kardinali irlandez Kevin Joseph Farrell, i cili shpjegon vlerën dhe qëllimet e kongresit të parë ndërkombëtar baritor për të moshuarit, me titull “Pasuria e viteve”, që do të mbahet në Romë nga 29 deri më 31 janar.

Në Dikaster, një zyrë kushtuar baritorisë së të moshuarve

         Një ngjarje, ku do të marrin pjesë 550 vetë, përfaqësues të konferencave ipeshkvnore, të kongregatave fetare, të shoqatave dhe të lëvizjeve laike nga 60 vende të të gjitha kontinenteve, të angazhuar në kujdesin për të moshuarit, që do të mblidhen në Qendrën e Kongreseve “Augustinianum”, pranë Sheshit të Shën Pjetrit. Një kongres, që do të reflektojë mbi të moshuarit, mbi bazën e fjalëve që Ati i Shenjtë Françesku ka thënë për ta që nga fillimi i papnisë, duke theksuar rolin e tyre në transmetimin e fesë, në dialogun me të rinjtë dhe në ruajtjen e rrënjëve të popujve. Për t’iu përgjigjur nxitjes së Papës Françesku, është krijuar një zyrë brenda Dikasterit, që do të merret vazhdimisht me kujdesin baritor për të moshuarit, në marrëdhënie me konferencat ipeshkvnore, edhe në dritën e rezultateve të këtij Kongresi.

Papa: “Pleqërinë, duhet ta trajtojmë ndryshe”

         Në epokën kur është zgjatur jeta mesatare e popullsisë, Papa Françesku ka theksuar gjithnjë se “edhe përshpirtëria e krishterë është kapur disi në befasi”, duke uruar të fillojë një reflektim i ri kishtar për atë, që e quan “bekim me një jetë e gjatë”. Të moshuarve, Papa u ka kërkuar të jenë protagonistë dhe “të mos i tërheqin rremat në barkë”, sepse “pleqërinë duhet edhe ta shpikim pak”, duke gjetur ç’mund të bëhet më tej në jetë.

Thirrja e të moshuarve dhe kontributi i tyre në familje

Në Kongresin e Romës do të bëhen përpjekje për të gjetur udhën e kundërshtimit të “kulturës helmuese të hedhurinave” dhe për të ndërtuar një shoqëri të ndryshme, më mikpritëse, më njerëzore, më gjithëpërfshirëse, e cila nuk ka nevojë të hedhë poshtë të drobiturit në trup e në mendje, përkundrazi, e mat hapin e vet me këta njerëz. “Kisha nuk mund të pranojë që të moshuarit të mbeten pa kontekstin e tyre familjar – lexohet në Deklaratën e Dikasterit - e, aty ku ai mungon, Kisha është e thirrur të bëhet vetë familje për të gjithë ata, që jetojnë në vetmi. Të moshuarit kanë nevojë për familjen dhe familjet kanë nevojë për të moshuarit!”

23 janar 2020, 16:37