Kërko

Papa Francesco a Bari per l'incontro ecumenico di riflessione e preghiera per la Pace in Medio Oriente 07.07.2018 Papa Francesco a Bari per l'incontro ecumenico di riflessione e preghiera per la Pace in Medio Oriente 07.07.2018  

Papa: në Bari për takimin kushtuar paqes në Mesdhe

“Mesdheu, kufij i paqes" kjo tema e takimit që mbahet në Bari nga data 19 deri më 23 shkurt, që i kushtohet një reflektimi dhe spiritualitetit për paqen në Mesdhe. Papa Françesku do të merr pjesë më 23 shkurt.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku do të jetë në Bari të Italisë, të dielën më 23 shkurt, me rastin e takimit që do t’i kushtohet reflektimit dhe spiritualitetit për paqen në Mesdhe. Tema e takimit që do të zhvillohet nga data 18 deri më 23 shkurt, është: "Mesdheu, kufij i paqes", organizuar nga Konferenca episkopale katolike italiane, në të cilin do të marrin pjesë ipeshkvijtë katolikë të 20 vendeve që janë përreth Detit Mesdhe.

Në gjurmët e "profetit të paqes" Giorgio La Pira, ipeshkvijtë e Mesdheut do të diskutojnë për të gjetur e treguar, së bashku, shtigjet konkrete që çojnë drejt pajtimit dhe vëllazërimit ndërmjet popujve, në një zonë të karakterizuar nga luftërat, persekutimet, emigracionet, pabarazitë.

Papa – sipas programit që u shpall sot nga Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë - do të niset me helikopter nga Vatikanit në orën 7.00 për të arritur në orën 8.15 në piazzale Cristoforo Colombo, në Bari, ku do të pritet nga kryeipeshkvi i Bari-Bitonto, imzot Francesco Cacucci , nga Michele Emiliano, president i rajonit të Pulias, nga Antonella Bellomo, prefekte e Barit dhe nga Antonio Decaro, kryebashkiak i Barit. Në orën 8: 30 të mëngjesit, në Bazilikën e Shën Nikolës, Papa do të takohet me ipeshkvijtë e Mesdheut, me këtë rast do të mbajë edhe fjalimin e tij. Takimi do të hapet me fjalën e kardinalin Galtiero Basseti, president i Cei, për të vazhduar me ndërhyrjet e kardinalit Vinko Puljiç, kryeipeshkëv i Sarajevës (Vrhbosnës) e president i Konferencës Episkopale të Bosnje-Hercegovinës, të imzot Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik "sede vacante" i Patriarkatit Latin të Jeruzalemit, dhe me falënderimin e imzot Paul Desfarges, kryeipeshkëv e Algerit (Algjeri) e presidenti i Konferencës episkopale rajonale të Afrikës së Veriut.

Në përfundim të takimit, Papa Françesku do të zbresë në kriptën e Bazilikës së Barit për t’i nderuar reliktet e Shën Nikolës, ipeshkëv, pastaj do të përshëndes komunitetin e Etërve Dominikanë. Duke dalë nga Bazilika, në oborrin para Kishës, Papa do t'u drejtohet me një përshëndetje besimtarëve të pranishëm. Në orën 10.45 Ati i Shenjtë Bergoglio do të kryesojë kremtimin Eukaristik në Corso Vitorio Emanuele II dhe pas Meshës do të thotë lutjen e Engjëllit Tënzot. Menjëherë pas kremtimit, rreth orës 12.30 Ati i Shenjtë do të niset me helikopter për në Vatikan, ku do të mbërrijë në orën13.45.

"Falënderojmë Atin e Shenjtë për dhuratën e pranisë së tij në takimin e Barit. Fjala dhe Magjisteri tij janë një pikë referimi për ata që dëshirojnë dhe synojnë paqen e qëndrueshme në Mesdhe", deklaroi kardinali Galtiero Bassetti, president i Konferencës Episkopale Katolike italiane. "Si ipeshkvij që kemi organizuar këtë ngjarje - shtoi kardinali Bassetti - e bëjmë tonën dhe përsërisim thirrjen e Papës drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për një angazhim më të ndjeshëm, më këmbëngulës dhe më frytdhënës në zonën mesdhetare e në Lindjen e Mesme".

21 janar 2020, 14:45