Santissimo Nome di Gesu Santissimo Nome di Gesu 

Papa Françesku: vetёm nё Emrin e Jezusit shёlbohemi

Papa Bergoglio: vetëm në emrin e Jezusit shëlbohemi. t’ia besojmë vetveten emrit të Jezusit, të lutemi në emër të Jezusit, duke e lënë Shpirtin Shenjt të na nxisë për t’u lutur plot besim në emër të Krishtit... Ju siguroj se do të na bëjë mirë.

R.SH. - Vatikan

Nё festёn e Emrit tё Shenjtnueshëm tё Jezusit, qё Kisha e kremton mё 3 janar, ju propozojmë reflektimin e Papёs Françesku, mbajtur gjatё homelisё sё Meshёs sё 4 prillit 2013, kremtuar nё kapelёn e Shёn Martёs, nё Vatikan, ku ishin tё pranishёm disa bashkëpunëtorë të Papës dhe një grup punonjësish të farmacisë së Vatikanit. Duke komentuar leximet biblike tё asaj dite, Papa Bergoglio, mes tjerash tha se vetëm në emrin e Jezusit shëlbohemi.

Duke komentuar leximet e së Premtes së Tetëditëshit të Pashkëve tё 4 prillit 2013, Papa Françesku kujtoi, me Shën Pjetrin, se “vetëm nëpër Jezusin fitohet shëlbimi. Sepse, në të vërtetë, s’ka asnjë tjetër nën kupë të qiellit, që mund të na shëlbojë”. Pjetri, që e pati mohuar Krishtin, tani, edhe pse në pranga, jep me guxim dëshminë e tij përballë krerëve të judenjve, të cilëve u shpjegon se e shëroi sakatin vetëm duke u lutur në emër të Krishtit. Është ky, emri, që shëlbon. Por, nuk duhet harruar se Pjetri nuk e shqipton këtë emër i vetëm: kur e shqipton, është përplot me Shpirtin Shenjt. Ne nuk mund ta dëshmojmë Jezusin, nuk mund të flasim për Jezusin, nuk mund të themi asgjë për Jezusin, pa praninë e Shpirtit Shenjt. Është Shpirti i Zotit ai, që na nxit ta dëshmojmë Jezusin, të flasim për Jezusin a të kemi besim në Jezusin.

Jezusi është në udhën tonë të jetës, gjithmonë - theksoi Papa - e në vijim, në përkim me stilin e tij të predikimit, tregoi edhe një anekdotë: “Në Kurien e Buénos-Ájres punon një njeri i përvuajtur, baba i tetë fëmijëve; punon që prej 30 vjetësh. Para se të dalë, para se të niset për të kryer punët e veta, dëgjohet gjithnjë duke shqiptuar fjalën “Jezus”. E unë, një herë, e pyeta: “Pse thua gjithnjë ‘Jezus’?”. “Kur them Jezus”, m’u përgjigj ky njeri i thjeshtë, e ndjej veten të fortë, e ndjej se mund të punoj, e di se e kam përkrah, se më ruan”. Ky njeri, vërejti Papa, nuk ka studiuar teologji, ka vetëm hirin e Pagëzimit e forcën e Shpirtit Shenjt.

E kjo dëshmi, vijoi Papa Françesku, mua më bëri mirë. Më bëri mirë. E u bën mirë të gjithëve. U kujton se në këtë botë, që na ofron shumë shpëtimtarë, emri i vetëm, që shëlbon, është ai i Krishtit. Shumë njerëz, vijoi Ati i Shenjtë, për të zgjidhur problemet e tyre të ngatërruara, vrapojnë tek magjistarët a tek ata, që mendojnë se fatet njerëzore mund të lexohen në letrat e lojës. Si të ishte jeta lojë bixhozi! Po ata s’mund të shpëtojnë as veten, jo më të tjerët! Vetëm Jezusi mund të na shpëtojë.

Duhet t’ia dëshmojmë botës me guxim këtë të vërtetë. Ai është i vetmi. E Zoja e Bekuar na çon gjithnjë tek Jezusi, si në Kanë, kur tha: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”. Kështu, përfundoi Papa, t’ia besojmë vetveten emrit të Jezusit, të lutemi në emër të Jezusit, duke e lënë Shpirtin Shenjt të na nxisë për t’u lutur plot besim në emër të Krishtit... Ju siguroj se do të na bëjë mirë”.

03 janar 2020, 09:21