Kërko

Vatican News
FRANCE-RELIGION-CATHOLICS-BISHOPS-CONFERENCE FRANCE-RELIGION-CATHOLICS-BISHOPS-CONFERENCE  (AFP or licensors)

Lurdë : edicioni i 24-të i Ditëve të Shën Françeskut Sales mbi "Mediat e afërsia me publikun“

Për të tretin vit me radhë, shenjtërorja e Lurdit pret Ditët e Shën Françeskut Sales, që fillojnë sot e do të zgjasin deri më 24 janar 2020. Takimi është organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin dhe Federata e Mediave Katolike me pjesëmarrjen e Signis, të Konferencës së ipeshkvijve të Francës dhe të shenjtërores së Zojës së Lurdë.

R.SH. - Vatikan

Afërsia e mediave me publikun është në qendër të reflektimit të gazetarëve katolikë në Ditët e Shën Françeskut Sales, në Lurdë. Do të jetë i pranishëm edhe Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Rffuni.

Edicioni i 24-të i Ditëve tё Shën Françeskut Sales, shenjt mbrojtës a pajtor qiellor i gazetarëve, zhvillohet nga data 22 deri më 24 janar në Shenjtёroren e Zojёs sё Lurdë, nё Francë. Është fjala për Takimin tashmë tradicional të mediave katolike, organizuar nga Sekretaria e Sëllisë sё Shenjtë për Komunikim dhe Federata Franceze e Mediave Katolike, sivjet mbahet mbi temën ‘Afërsia e mediave me publikun’.

Pra, rreth 250 gazetarë të mediave katolike, redaktorë dhe përgjegjës të  komunikimit shoqëror brenda Kishës, që përfaqësojnë 25 kombësi, për tre ditë me radhë takohen në Lurdë të Francës, për diskutuar rreth marrëdhënies së ‘mediave me publikun’, në një kohë kur në shumë vende, është në rritje mosbesimi i publikut ndaj mediave. Në Francë, kriza e mosbesimit ndaj mediave u theksua posaçërisht nga lëvizja e "jelekëve të verdhë" (gilets jaunes), që ishte një tregues i hendekut aktual të thellë që ekziston ndërmjet mediave e publikut. Trajtimi a pasqyrimi i mediave rreth lëvizjes së  "jelekëve të verdhë" (gilets jaunes), e ka ulur nivelin e besimit të mediave në Francë në 24%, më i keqi në Evropë, sipas Reuters Institute, ndërsa barometri vjetor i La Croix, tregon se besimi i publikut tek mediat është në nivelin më të ulët që nga viti 1987.

Media e rivendosin besimin duke qenë më pranë njerëzve

Në një kohë kur rrjetet sociale kanë një rritje dhe gëzojnë një popullaritet të lartë, "gazetarët akuzohen për ushtrimin e profesionit të tyre të shkëputur nga realiteti ekonomik e shoqëror”, theksojnë organizatorët e Ditëve të Shën Françeskut Sales.  Kjo krizë, e "akuzës ndaj mediave, ushqen edhe projektet populiste, që vazhdimisht po fitojnë terren në të gjitha kontinentet”. Këtyre Ditëve ndërkombëtare në Lurdë, gazetarët e mediave katolike do të reflektojnë mbi situatën dhe rolin e mediave katolike përballë këtyre fenomeneve dhe ngjarjeve, duke analizuar në mënyrë të veçantë "çështjen e afërsisë së mediave me publikun ".

Pjesëmarrësit në takim

Shkëmbimet e opinioneve do të ushqehen edhe më tej nga kontributi i relatorëve të fushave të ndryshme si: sociologë të mediave, profesorë të shkencave të komunikimit apo specialistë në robotikë dhe teknologji dixhitale. Ndër të ftuarit në Ditët e Shën Françeskut Sales, në Lurdë është edhe një psikoanalist që do të flasë mbi temën "Rrjetet sociale dhe iluzioni i afërsisë".

Punimet u hapen sot nga Imzot Olivier Ribadeau-Dumas, Rektor i Shenjtërores së Lurdit, në praninën e Jean-Marie Montel, president i Federatës së Mediave Katolike dhe Paolo Ruffini, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim. Ndër temat që trajtohen në takimin e Lurit, në debatet dhe në workshop janë: çështja e distancës gazetareske; social network dhe iluzioni i afërsisë; mediat, endogamia dhe bashkëpunimi ; pikat e forta dhe dobësitë e informacionit lokal.

Impenjimi i mediave katolike, i shtrirë në mënyrë kapilare në mbarë Planetin, nga vendet e pasura e të zhvilluara, në ato më të varfërat, sot gjendet para një sfide të madhe etike e morale të komunikimit e të informimit gazetaresk, me një vëmendje e afërsi ndaj publikut, në një botë të globalizuar e dixhitale.

"Çmimi Atё Jacques Hamel"

Në fund të kremtimit do të të jepet "Çmimi Atё Jacques Hamel", themeluar në kujtim të priftit tё vrarë nga dora xhihadiste mё 26 korrik 2016, ndёrsa po kremtonte Meshën në Rouen.

22 janar 2020, 15:30