Kërko

Imzot Georg Gaenswein Imzot Georg Gaenswein 

Libri mbi celibatin: sqarim i imzot Gänswein

Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe sekretari i veçantë i Papës së nderit deklaron sot se Benedikti XVI nuk e kishte autorizuar nënshkrimin e dyfishtë si bashkëautor për esenë e kardinalit Sarah. Në një tweet, qëndrimi i prelatit.

R.SH. - Vatikan

Imzot Georg Gänswein, prefekt i Shtëpisë Papnore dhe sekretar i veçantë i Papës së nderit Benedikti XVI, bën sot një deklaratë për agjencitë Kna dhe Ansa mbi librin kushtuar celibatit meshtarak, që do të dalë nesër në Francë, nënshkruar nga Benedikti XVI dhe kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor.

         “Mund të konfirmoj që sot paradite, me nxitjen e Papës së nderit, i kërkova kardinalit Robert Sarah të kontaktonte botuesit e librit e t’u lutej të hiqnin emrin e Benediktit XVI si bashkëautor i këtij libri, si edhe të hiqnin firmën e tij edhe nga hyrja e përfundimet”.

         “Në fakt, Papa i nderit e dinte që kardinali po përgatiste një libër – shton imzot Gänswein - dhe i kishte dërguar një tekst të shkurtër mbi meshtarinë, duke e autorizuar ta përdorte si të dëshironte. Por, nuk pati miratuar asnjë plan për ndonjë libër me dy firma, as nuk e kishte parë dhe autorizuar kopertinën. Është fjala për një keqkuptim, pa vënë në dyshim mirëbesimin e kardinalit Sarah”.

         Menjëherë pas kësaj, në një tweet, kardinali Robert Sarah shkruan: “Duke pasur parasysh polemikat, që shkaktoi botimi i veprës ‘Nga thellësitë e zemrave tona’, u vendos që autori i librit do të jetë: kard. Sarah me kontributin e Benediktit XVI”. Nga ana tjetër, shton prelati, “teksti i plotë mbetet i pandryshuar”.

14 janar 2020, 14:37