Kuvend mbi dialogun. Ayuso Guixot: vëllazërimi është e ardhmja
R.SH. - Vatikan
“Bashkëpunëtor i çmuar dhe i vlerësuar, që shënoi thellësisht jetën e Kishës universale”, “ndërtues i paqes, i projektuar në perspektivën e dialogut”: duke përdorur fjalët, me të cilat Papa Françesku e ka përshkruar më se një herë jetën dhe veprën e kardinalit Jean Louis Tauran, që vdiq më 5 korrik 2018, pasi drejtoi për 11 vjet me radhë Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar, pasardhësi i tij hapi mbrëmë punimet e konferencës kushtuar atij, në Universitetin Katolik të Milanos.
I fortë në fe e në dëshirën për dialog
Kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot vuri në dukje “impenjimin e jashtëzakonshëm dhe përgjegjësinë, për të cilat u dallua shërbimi kishtar i kardinalit Tauran, “zgjuarësinë, përgatitjen dhe diplomacinë e tij të hollë”, duke kujtuar edhe shumë episode personale, sidomos gjatë udhëtimit të fundit të përbashkët në Riad, në prill 2018 – “testamenti shpirtëror” i kardinalit. Vërtet, prania e tij në Arabinë Saudite u vlerësua shumë. Një udhëtim disi i veçantë, në djepin e Islamit, që Tauran e dëshiroi me forcë: ishte i bindur gjithmonë se marrëdhëniet e mira ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve mund të jepnin një kontribut të pazëvendësueshëm për paqen në botë. Mendonte edhe se kërcënimi i vërtetë nuk ishte ndeshja ndërmjet qytetërimeve, që nuk e besonte, por ndeshja me injorancën dhe radikalizmin. Fetë nuk janë problemi, por janë pjesë e zgjidhjes, prandaj, të krishterët s’mund të bëjnë tjetër, veçse dialog ndërfetar, thoshte ai.
Vlerësimi i të gjithëve për guximin e kard. Tauran
Kardinali Ayuso Guixot lexoi disa nga ngushëllimet, që i patën ardhur Këshillit Papnor, pas vdekjes së kardinalit Tauran. “Përveç atyre që morën pjesë në varrim - tha ai - shumë njerëz të feve të tjera deshën t’i bënin homazhe atij burri të vlerësuar për sinqeritetin, guximin dhe hapjen e tij”. Ndërmjet tyre, Imami i Madh i al-Azharit, i cili në një mesazh, e quante kardinalin Tauran “njeri të Kishës, që dha një kontribut të madh në promovimin e kulturës së mirëkuptimit të ndërsjellë”.
Dokumenti mbi Vëllazërimin, sot
Kardinali Ayuso Guixot, duke iu referuar udhëtimit të Papës në Emiratet e Bashkuara Arabe shkurtin e kaluar dhe nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënvizoi se kardinali Tauran “do ta kishte miratuar e do të kishte qenë tejet i lumtur” për këtë arritje. “Dialogu ndërfetar – theksoi në fund të fjalës së tij - nuk mund të kuptohet nëse nuk është pjesë e rrugës së gjatë të marrëdhënieve ndërfetare të Kishës Katolike. Një rrugë, që kardinali Tauran e ka çuar përpara me gatishmëri dhe inteligjencë të madhe, duke u qëndruar besnik kërkesave të së vërtetës dhe të dashurisë ungjillore”.