Kërko

  Kardinali Turkson Kardinali Turkson 

Kriza SHBA-Iran. Kardinali Turkson: të shmanget spiralja e hakmarrjes

Në arenën ndërkombëtare, pas vrasjes së gjeneralit iranian Soleimani, jetohen çaste të ngarkuara me akth e frikë. Intervista jonë me prefektin e Dikasterit për Shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, kardinalin Peter Turkson.

R. SH. - Vatikan

Tension i lartë, pas sulmit ajror me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump, që i kushtoi jetën tetë vetëve, ndërmjet të cilëve, gjenerali iranian Qasem Soleimani. Aksioni ushtarak u krye, rreth mesnatës, në zonën e aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit, në Irak. Sot dhjetra-mijëra njerëz dolën shesheve të Teheranit, në Iran, për të marrë pjesë në manifestime proteste. Për autoritetet iraniane, sulmi  ajror është “akt terrorist”. Ajatollah Seyyed Ali Khamenei kërcënoi se pas këtij akti, do të vijë  një hakmarrje shembullore. Ndërsa presidenti amerikan Trump shkruan se gjenerali Soleimani “ishte drejtpëdrejt ose tërthorazi, përgjegjës për vdekjen e miliona njerëzve, duke përfshirë edhe shumë manifestues të vrarë në Iran”. Në arenën ndërkombëtare jetohen orë të ngarkuara me shqetësim të madh. Kina, Rusia e Siria e dënojnë sulmin ajror amerikan, Bashkimi Evropian bën thirrje për qetësi e Natoja vijon ta ketë nën kontroll situatën në Irak. Të gjithë druhen se pas  këtij aksioni ushtarak, mund të hapen skena tragjike.

Kardinali Turkson: paqja duhet të fitojë mbi rrezikun e luftës

Edhe Kisha i ndjek me shqetësim të thellë  zhvillimet e situatës. Kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor i nxit të gjitha forcat në konflikt të mos largohen nga  udha e paqes  e ta mposhtin mosbesimin dhe frikën. Roli i Selisë së Shenjtë - shton Hirësia e Tij - është i domosdoshëm në mbrojtje të paqes e të harmonisë ndërmjet kombeve. Pa harruar se rrënja e paqes është gjithnjë lutja.

Ta dëgjojmë intervistën e kardinalit Turkson:

“E filluam këtë vit me shumë entuziazëm e shpresë, me mesazhin e paqes,  duke besuar se po niste një vit me paqe, besim e mirëqenie për çdo njeri. Është, natyrisht, e trishtueshme që viti i ri nisi me këto episode dhune, vrasjeje, gjakderdhjeje … E dimë se me këto episode në Lindjen e Mesme,  posaçërisht në Irak, këto ditë po shikojmë një spirale hakmarrjeje  me të gjitha shenjat, që flasin për situatë tensioni e lufte. Pavarësisht nga kjo, jemi gjithnjë të ftuar - siç na e kujton edhe mesazhi i sivjetëm për ditën botërore të paqes - ta  pranojmë se udha e paqes është e gjatë. Prandaj flitet për udhën e paqes, udhë që mbështetet mbi shpresën se Princi i Paqes, Jezusi, zbriti në tokë. Shpresojmë se, ashtu si Ai, që fitoi mbi vdekjen, edhe ne do të fitojmë mbi dhunën e mbi të gjitha konfliktet”.

Mosbesimi e frika janë pengesa që duhen kapërcyer…

Njëri lind tjetrën: kur nuk ka besim, kur nuk mund të flasësh, kur mungon ajo që Papa e quan kultura e takimit, secili struket në skutën e vet  e nis e trillon gjithfarë idesh, nga të cilat pastaj lind veç frika. Kujtojmë se Papa Gjoni XXIII, gjatë periudhës së tensionit ndërmjet SHBA-ve e Rusisë për shkak të krizës në Kubë, ndihmoi shumë për ta shkarkuar këtë tension. Hynte, kështu, në skenë, diplomacia politike. Kjo ndihmoi për të fituar mbi mosbesimin, që mbretëronte ndërmjet këtyre dy vendeve. Mundëm, përmes diplomacisë së Selisë së Shenjtë, të krijojmë sadopak një atmosferë  mirëbesimi, atmosferë shprese e, sadopak, edhe miqësie ndërmjet këtyre dy kombeve, e kështu mundëm të fitojmë mbi këtë kërcënim kaq të madh”.

Atëhere mund të mendojmë, posaçërisht sot, se roli i Selisë së Shenjtë është tejet i rëndësishëm për të krijuar besim e miqësi ndërmjet popujve?

“Patjetër. Roli i Selisë së Shenjtë është i domosdoshëm për faktin se Zoti i besoi Kishës një mision. E misioni nuk përfshin vetëm predikimin e Ungjillit, por na kërkon të jemi edhe  dishepuj e shërbëtorë të paqes dhe të harmonisë ndërmjet kombeve. Prej këndej Kisha sot vijon udhën që ndoqi Gjoni XXIII. Vijon të jetë burim i paqes në Kombet e ndryshme. E faleminderës Zotit, kemi organizma, që na ndihmojnë ta përhapim kudo këtë mesazh paqeje!”.

“Paqja - kujton Papa Françesku në mesazhin për Ditën botërore të paqes 2010 - është udhë shprese përballë pengesave e provave. Për të ecur në këtë rrugë, hapi kryesor është lutja…”.

“Është fillesa. Rrënja dhe kreu i kësaj rruge të paqes është lutja, sepse dikon virtytin e shpresës, të mbush me besim për të mos u nënshtruar kurrë para pengesave: lutja është çast, që të lidh me Princin e Paqes, me vetë Zotin, të jep jetë, të forcon, të frymëzon. Prej këndej, pa lutjen nuk ka paqe e pa paqen nuk mund të lëvizim në shtigjet e jetës!”.

04 janar 2020, 13:41