Kardinali Peter Turkson Kardinali Peter Turkson 

Turkson në Forumin Ekonomik të Davosit: “ta dëgjojmë vajtimin e Tokës dhe të të varfërve”

Në Davos të Zvicrës, ku po zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror, kardinali Turkson, patriarku ekumenik Bartolomeu I dhe rabini i Moskës Goldschmidt, u kërkuan qeverive të botës t’i përdorin teknologjitë e reja për të mirën e përbashkët, sepse “nuk ka një planet të dytë për të jetuar”.

R.SH. - Vatikan

“Toka po vajton e po ashtu, edhe të varfërit”. Për këtë arsye, krerët fetarë botërorë ndodhen në Davos që t’i flasin zemrës së financës së lartë dhe ekonomisë botërore, e të zgjojnë “vetëdijen globale për kthesë”. Kështu, prefekti i Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Kodwo Appiah Turkon merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, në Zvicër, së bashku me Patriarkun ekumenik Bartolomeu I dhe me kryerabinin e Moskës, Pinchas Goldschmidt. Në fjalën e tij, në konferencën e djeshme për shtyp, kardinali Turkson çoi mendimin e Papës e të Selisë së Shenjtë për mënyrën si duhet të ndryshojë ekonomia, që të respektojë ambientin dhe njeriun.

Bota ta kuptojë se duhet të ndryshojë

         Nëse, siç thotë Papa në enciklikën “Laudato Si’”, shpjegoi kardinali ganez, toka e të varfërit vajtojnë, kemi një emergjencë, që duhet zgjidhur e, të gjithë “duhet të përpiqemi ta ndalim këtë vaj”. Jemi këtu si të ftuar nga Forumi Ekonomik Botëror, tha prefekti, “sepse duam të zgjojmë vetëdijen globale për ndryshime”. Sipas kardinalit Turkson, teknologjitë e reja nuk duhet të na e kushtëzojnë jetën aq sa ta devijojnë atë nga udha e përcaktuar prej Zotit. Ato duhet të përdoren “për të mirën e përbashkët, për të mirën e njerëzimit, të tokës dhe të banorëve të saj”. “Nuk ka asnjë planet të dytë ku të jetojmë”, paralajmëroi ai, përpara se t’u kërkonte gjithë politikanëve dhe qeverive ta njohin “rolin qendror të feve” edhe në këtë fushë, duke denoncuar praktikën e përhapur sidomos në vendet e shekullarizuara, që e kufizon fenë vetëm në sferën private, “duke mohuar ndikimin e saj në jetën e njerëzve”.

Web tax: Trump kërcënon 25% taksa për makinat evropiane

         Dje në Forumin Ekonomik të Davosit, presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi sërish se do të vendosë 25% taksa për makinat evropiane, nëse Franca dhe Britania e Madhe do të caktojnë një taksë për internetin – të ashtuquajturën “Web tax” - për të taksuar fitimet e jashtëzakonshme të korporatave të mëdha amerikane në rrjet. Sot për sot, në Evropë, ato paguajnë taksa të papërfillshme, duke zgjedhur, sipas interesit, rezidencën e tyre tatimore. Në të vërtetë, ka mundësi të lidhet një marrëveshje me Evropën mbi tarifat: kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pasi e takoi presidentin Trump në Davos, deklaroi se kjo mund të ndodhë brenda disa javësh. Nga ana e tij, presidenti amerikan nënvizoi se Evropa “nuk ka zgjidhje tjetër”, përveç bisedimeve për një marrëveshje të mundshme. Natyrisht, Brukseli vë në tryezën e këtyre bisedimeve fitimet e stërmëdha të Google, Amazon, Facebook në Evropë, me “minitaksat” e paguara në Irlandë, ose në vende të tjera me sistem tatimor të favorshëm.

23 janar 2020, 13:00