ISRAEL-HISTORY-HOLOCAUST ISRAEL-HISTORY-HOLOCAUST 

Kardinali Koch: të hapur ndaj të tjerëve për të ndalur antisemitizmin

U mbajt dje në Jerusalem Forumi i pestë Botëror i Holokaustit në Yad Vashem. Në veprimtarinë e Yad Vashem morën pjesë më shumë se dyzet Presidentë, kryeministra dhe familje mbretërore nga Europa, Amerika e Veriut dhe Australia. Selia e Shenjtë u përfaqësua nga kardinali Kurt Koch.

R.SH. - Vatikan

Forumi u organizua nga World Holocaust Forum Foundation  në bashkëpunim me Yad Vashem. Delegacioni i Selisë së së Shenjtë u kryesua nga Kardinali Kurt Koch, President i Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, brenda të cilit është Komisioni i Vatikanit për Marrëdhëniet fetare me Hebraizmin.

Në mikrofonin e Vatican News, kardinali  Kurt Koch shpjegon rëndësinë e mesazhin e veprimtarisë së djeshme:

Besoj se vetëm fakti që kaq shumë përfaqësues të shteteve kanë ardhur në këtë ngjarje, është një shenjë se edhe nga pikëpamja historike, u dha një sinjal i fuqishëm kundër antisemitizmit. U tha qartë, edhe në shumë fjalimet që u shqiptuar, se ne duhet të mësojmë nga historia dhe se një gjë e tillë kurrë më nuk duhet të ndodhë. Unë besoj se antisemitizmi nuk është vetëm një kapitull në histori për t’u ruajtur në librat e historisë, por është edhe një fenomen që na shqetëson, sepse po shfaqet përsëri sot. Në këtë kuptim, janë përmendur shumë shembuj, gjë që duhet t'i bëjë njerëzit të mendojnë.

Po kujtojmë se Memoriali i Yad Vashem në Izraeli është monumenti përkujtimor i Holokaustit, pra, i shfarosjes masive të hebrenjve nga nazistët. Yad Vashem do të thotë: ‘Një përkujtim e një emër”. Vendimin për ndërtimin e tij e mori Parlamenti Izraelit (Knesset) në vitin 1953. Ndërtesa ka Sallën përkujtimore, Muzeun historik, Galerinë e artit, Sallën e emrave, Arkivin, Luginën e bashkësive të humbura, Qendrën edukative dhe Kopshtin e famshëm të të Drejtëve ndërmjet kombeve, për nder të njerëzve nga të gjitha kombet e fetë, që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga shfarosja.

Memoriali ngrihet pranë Malit Herzl, në Majën e Har Hazikaron (Mali i Kujtimit). Brenda është ‘Hall of Remembrance”, një strukturë në formë çadre, që përkujton vrasjen e 6 milionë hebrenjve, shpesh bashkësi të tëra hebraike të zhdukura. Këtu, para një flake, që nuk shuhet kurrë, janë shkruar emrat e njëzet e dy kampeve të përqendrimit dhe ruhen disa nga urnat me hirin e viktimave të furrave krematore. Ndërsa në Arkivin Qendror të Holokaustit e të Heroizmit, ruhen 50 milionë dokumente mbi shfarosjen në masë të hebrenjve.

Papa Gjon Pali II e vizitoi këtë vend më 23 mars të vitit 2000. Po ju njohim me tekstin e identifikimit të viktimave, që u lexua gjatë vizitës:

“Duke lartuar flakën, që digjet në përjetësi,
në këtë Memorial, para hirit të shenjtë
të vëllezërve tanë, një me ta e ndjejmë veten
një me kujtimine tyre;
me 6 milionë bij prej popullit tonë
që pësuan martirizimin e vdiqën
nga dora e nazistëve dhe e bashkëpunëtorëve të tyre,
së bashku me grupe të vogla e të mëdha hebraike,
të shkatërruara me synimin e ultë për të shlyer
emrin e kulturën e Izraelit në botë.
Me druajtje të shenjtë kujtojmë forcën e shpirtit
të vëllezërve tanë, madhështinë, guximin
e luftëtarëve që ndër geto ndezën
flakën e kryengritjes, duke shpëtuar nderin
E dinjitetin e popullit hebre; kujtojmë luftën
krenare e sublime të Kombit tonë për të shpëtuar
trashëgiminë e etërve e fytyrën njerëzore të bijve.
Kujtojmë, së fundi, ‘ të Drejtët e Kombeve’
që vunë në rrezik jetën e tyre
për të shpëtuar atë të hebrenjve”.

24 janar 2020, 14:18