Kërko

Vatican News
 Kardinali Miguel Ayuso Guixot Kardinali Miguel Ayuso Guixot   (ANSA)

Kardinali Ayuso Guixot: paqja të burojë nga kundrimi i Krijimit

Kryetari i Këshillit për Dialogun Ndërfetar, mori pjesë dje pasdite, në Gjenevë, në një ceremoni ndërfetare. Hirësia e tij nxiti të gjindet një mënyrë e re banimi në shtëpinë tonë të përbashkët, në mënyrë që, duke e kundruar “bujarinë e Krijuesit” e pafundësinë e urtisë së Tij, të burojë paqja.

R. SH. - Vatikan

Në mesazhin për Ditën botërore të paqes, titulluar “Paqja si udhë shprese; dialogu, pajtimi e kthese ekologjike”, Papa Françesku i nxit të gjithë ta zbulojnë identitetin e paqes, “dëshirë e shkruar në zemrën e njeriut”. Po mënyra e sjelljes sonë, herë e fuqishme, herë e  brishtë; herë vëllazërore  e herë e padrejtë; rrallë solidare e shpesh shkapërderdhëse, krijon tundime pesimizmi shkatrrimtar”. Këtë theksoi kardinali Miguel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke folur, dje pasdite, në një kremtim ndërfetar, organizuar në Kishën  Saint Nicolas de Flue, në Gjenevë, nga misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, si dhe nga dioqeza e Lozanës, Gjenevës e Friburgut.

“Privilegji i lutjes, për shumë nga fetë, që përfaqësohen në këtë rast - tha Prelati i lartë -  shoqërohet me një respekt shenjt për dinjitetin e çdo burri e të çdo gruaje, bazë e të drejtave themelore të njeriut”.

Për ne, të krishterët - shpjegoi më tej kardinali Guixot - paqja është Krishti, me Krishtin e për Krishtin!

Të banosh në shtëpinë e përbashkët

Kryetari i Këshillit për Dialogun Ndërfetar kujtoi, më pas, Shën Klementin, Papa i katërt i Kishës katolike, i cili, në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, thekson:

“T’i lëmë mënjanë mendimet e kota e të panevojshme e të ndjekim normën gazmore e të nderuar të traditës sonë. Të shikojmë Atin e Krijuesin e mbarë universit. T’i mbrojmë fort dhuratat dhe dobitë e mrekullueshme e sublime, që vijnë nga paqja e Tij. Ta kundrojmë me mendje e ta shikojmë me sytë e shpirtit vullnetin e madh hyjnor! Të mendojmë sa i drejtë është me çdo krijesë”.

Duke ndjekur Papën Klementi, e sot Papën Françesku - përfundoi kardinali Guixot - jemi të thirrur të kërkojmë e të gjejmë një mënyrë tjetër, të re, për ta banuar shtëpinë tonë të përbashkët. Kështu,  duke e kundruar “bujarinë e Krijuesit” dhe urtinë e tij të pambarim, të burojë kudo paqja, aq e dëshiruar.

29 janar 2020, 14:57