Vatican News
2020.01.02 Funerali card. Grech Prosper 2020.01.02 Funerali card. Grech Prosper  (Vatican Media)

Funerali i kardinalit Grech: kishte një doktrinë të madhe dhe spiritualitet të thellë

Funerali i Kardinalit Prosper Stanley Grech, i cili vdiq më 30 dhjetor, u zhvillua sot paradite në 11.30 pranë altarit Katedrës së Bazilikës së Vatikanit. Liturgjia e funeralit u kremtua nga Kardinali Giovanni Battista Re, zëvendës dekan i Kolegjit të kardinajve. Në përfundim të kremtimit eukaristik, Papa Françesku kryesoi ritin e “Ultima Commendatio” dhe atë të “Valedictio” .

R.SH. - Vatikan

Faqja e Ungjillit që u lexua gjatë kremtimit të Meshës së dritës, na sjell paralajmërimin e Jezusit që thotë: "Jini gati... me llamba të ndezura" dhe kardinali Giovani Battista Re, në homelinë e tij, nënvizoi elementin e befasisë që shpesh karakterizon lajmin e vdekjes së një personi të dashur. Kështu ishte edhe për kardinalin Prosper Grech, që ndërroi jetë më 30 dhjetorin e kaluar, të cilin e kujtoi se:

"Natën e Krishtlindjes kardinali Grech ishte këtu në Bazilikë duke bashkëkremtuar Meshën me Atin e Shenjtë. Të hënën e kësaj jave, si zakonisht, ishte në tryezë me komunitetin e rregulltarëve augustinian, duke biseduar me ta, sipas natyrës së tij të dashur, dhe pak orë më vonë Zoti e thirri pranë vetës”. Një vdekje e papritur, pra, por vdekja "nuk e gjeti të papërgatitur", vazhdoi kardinali Re, sepse mosha e tij, "94 vjet i mbushi në pragun e Krishtlindjes, dhe jeta e tij e përkushtuar  Zotit në Urdhrin e Shën Augustinit e kishin përgatitur edhe për thirrjen e tij të fundit".

Në qendër të jetës studimi dhe mësimi

Dekani i Kolegjit të kardinajve përshkoi jetën e kardinalit Grech, gjatë së cilës – theksoi -  pika qendrore ishte studimi dhe mësimi i teologjisë, "në besnikëri të plotë ndaj magjisterit të Kishës", së pari në atdheun e tij e pastaj në universitete të ndryshme romake e britanike. Tejet intensiv ishte edhe prodhimi i artikujve e vëllimeve që kardinali Grech ia kushtoi veçanërisht hermeneutikës së Shkrimeve të Shenjte biblike dhe patristikës.

Atë Grech lindi në Birgu, në ishullin e Maltës, më 24 dhjetor të vitit 1925; gjithnjë në ato ditë u pagëzua me emrin Stanley, të cilin e ndryshoi pastaj në Prosper në momentin e hyrjes së tij në jetën rregulltare pranë Urdhrit Augustinian. Në vitin 1944 Atë Grech i bëri kushtet e tij të para të jetës rregulltare pranë Familjes rregulltare augustiniane. Në vitin 1946 eprorët e dërguar në Romë pranë kolegjit ndërkombëtar  'Shën Monika' për studime të mëtejshme. Më 25 mars 1950 u shugurua meshtar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Më 1953 përfundoi studimet pranë Universitetit Papnor Gregoriana në Romë me Licencën dhe Doktoraturën në teologji me tezën ‘Hyji dhe falja e mëkateve në teologjinë angleze moderne’. 

Ndërkohë frekuentoi kurset mbi Shkrimin e Shenjtë pranë Institutit Papnor Biblik në Romë, ku kreu Licencën. Në vitin 1951 kreu një diplomë tjetër në psikologjinë e edukimit në Friburg, në Zvicër. Më 1965 u thirr në drejtimin e Institutit teologjik agostinian. Më 1970 u thirr si profesor i hermeneutikës në Institutin Papnor Biblik në Romë (në këtë detyrë prestigjioze u thirr nga jezuiti Carlo Maria Martini për njohuritë që kishte në fushën e mësimeve të Rudolph Bultmann ) ku qëndroi deri më 2002. Nga viti 1971 e deri më 1989 qe edhe profesor i teologjisë biblike pranë Universitetit Papnor të Lateranit.

Më 1984 u emërua këshilltar i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë dhe më 1998, prefekti i asaj kohe i kësaj Kongregate, kardinali Joseph Ratzinger e dërgoi në Indi si vizitator apostolik i Seminareve. Më 2003 u emërua anëtar i Akademisë Teologjike Papnore (Path) e më 2001 anëtar i Komisionit Biblik Papnor (Pcb). Atë Grech u njoh nga “afër” me kardinalin Joseph Ratzinger, i cili kur u bë Papë e krijoi kardinal në Koncistorin e 18 shkurtit 2012. Më 8 shkurt të njëjtit vit u shugurua ipeshkëv në Kon-katedralen e Shën Gjonit në Maltë. Jeta e gjatë e atë Grech pati kapituj të tjerë të jashtëzakonshëm me shije të pabesueshme: brenda mureve të Augustinianum në Romë mori pjesë në shumë shpëtime të hebrenjve gjatë papnisë së Piut XII dhe njohu nga "afër" patriarkun e Venecies Albino Luçiani që u bë Papa Gjon Pali I e madje rrezikoi të bëhej edhe " sekretar i tij...". Atë Grech ishte me të vërtetë i mirë e simpatik, njeri i përvuajtur, i përzemërt e i papërtueshëm. Pati një Miqësia të veçantë edhe me Papën Montini. Emri i kardinalit Grech është i lidhur edhe me fondacionin (së bashku me sivëllain rregulltar Agostino Trappé) e Institutit Patristikum Augustinium më 1969.

 

Shërbimi pastoral

"Së bashku me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme ishte studimi dhe mësimdhënia, megjithatë, nënvizoi kardinali Re, Atë Prospero gjeti gjithmonë kohë për të kryer edhe veprimtarinë intensive baritore e meshtarake në Kishën e Shën Monikës, ku ishte përherë i gatshëm për rrëfime e për kremtime të ndryshme".

Kolegji i Kardinalëve u përditësua

Me vdekjen e kardinalit Prosper Grech, Kolegji i kardinajve tani përbëhet nga 223 kardinaj, 124 prej të cilëve janë me të drejtën e  zgjedhjes dhe 99 jo-zgjedhës. Vendet që përfaqësohen në Kolegjin e kardinajve janë 90, vendet evropiane kanë 25  kardinaj.

E vendosi Zotin në vend të parë

Duke ju referuar leximit të parë të Meshës së dritës, marrë nga libri i Ezekielit Profet, kardinali Re në homelinë e tij tha më tej, se kjo " vdekja na sjell drejt triumfit të vërtetë të Hyjit, kur do t'i ringjallë të vdekurit në jetën e pasosur ". Të shëlbuarit, sipas Ezekielit, do të jenë shumë dhe midis tyre, kardinali arrin në përfundimin, "ne duam të mendojmë gjithashtu për konferencën tonë, që ishte një doktrinë e madhe dhe shpirt i thellë, që e donte kishën dhe jetën fetare dhe mbi të gjitha, që gjithmonë e vendosnin Zotin së pari dhe mbi çdo gjë".

02 janar 2020, 14:50