Kërko

1578567589740.JPG

Fjala e Papës për Trupin Diplomatik. Selia e Shenjtë dhe marrëdhëniet e saj me 188 shtete të botës

Shpresa, theksoi Papa Françesku, në fjalimin e shumëpritur para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, vjen nga “një foshnjë e porsalindur”, nga Zoti që u bë njeri e “na fton të gëzojmë”, por na kërkon edhe guxim për t’i përballuar problemet me realizëm, për të ndërtuar një botë më të drejtë, më të pajtuar, më vëllazërore.

R.SH. - Vatikan

Përballë vështirësive dhe problemeve të botës, shpresa se “e keqja, vuajtja dhe vdekja nuk do të mbizotërojnë” duhet të na mbështesë gjithnjë: kështu tha Papa Françesku, të enjten e kaluar, në fjalimin e shumëpritur para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, me të cilin kërkoi të shmanget shkallëzimi i dhunës ndërmjet Iranit e SHBA-ve, por analizoi edhe krizat e problematikat botërore, duke përshkuar udhëtimet apostolike të vitit 2019. Shpresa, theksoi Bergoglio, vjen nga “një foshnjë e porsalindur”, nga Zoti që u bë njeri e “na fton të gëzojmë”, por na kërkon edhe guxim për t’i përballuar problemet me realizëm, për të ndërtuar një botë më të drejtë, më të pajtuar, më vëllazërore. Duhet “t’i bashkojmë forcat” për të kapërcyer “kulturën e ndarjes, që i largon njerëzit nga njëri-tjetri dhe i hap rrugën ekstremizmit dhe dhunës. E shohim këtë gjithnjë e më shumë - tha Papa - në gjuhën e urrejtjes, që përdoret gjerësisht në internet dhe në mediat shoqërore. Në vend të barrierave të urrejtjes, ne parapëlqejmë urat e pajtimit dhe të solidaritetit”.

Të vendoset e mira e përbashkët mbi interesat e veçanta

Para përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, Papa kujtoi se këtë vit kremtohet 70-vjetori i shpalljes së dogmës së të Ngjiturit të Zojës në Qiell: “Zoja e Madhe na fton... të shohim përtej, drejt përfundimit të udhëtimit tonë tokësor, drejt ditës kur drejtësia dhe paqja do të rivendosen plotësisht”. Pikërisht, në këtë dritë, “nuk mund të mos shpresojmë” se mund të ndërtohet mbi tokë një njerëzim vëllazëror, duke bërë të mbizotërojë “e mira e përbashkët mbi interesat e veçanta”. Atëherë paqja nuk do të jetë më utopi, por horizont i mundshëm, theksoi Ati i Shenjtë.

Marrëdhëniet diplomatike të Selisë së Shenjtë

Aktualisht, 183 shtete kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë. Atyre u duhet shtuar edhe Bashkimi Evropian dhe Urdhri Ushtarak Sovran i Maltës. 89 ambasada, përfshirë atë të Shqipërisë, e kanë selinë e tyre në Romë. Gjatë vitit 2019, Vatikani nënshkroi marrëveshje me disa shtete. Më 13 shkurt, u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Italiane për zbatimin e Konventës së Lisbonës për njohjen e titujve të studimit përsa i përket arsimit të lartë në Rajonin e veçantë Evropian, e cila u pasua, në të njëjtën datë, nga shkëmbimi i Notave verbale për njohjen e titujve akademikë papnorë në disiplinat kishtare. Më 12 korrik, u firmos Marrëveshja për statusin juridik të Kishës Katolike në Burkina Faso, ndërsa, më 13 shtator, Marrëveshja Kuadër ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Angolës, e cila u ratifikua më 22 nëntorin në vijim. Përveç kësaj, më 5 mars, u dorëzua dokumenti për ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Qendrore të Afrikës, ndërsa më 2 korrik, u ratifikua Marrëveshja Kuadër ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kongos.

Më 13 korrik, Selia e Shenjtë u bë anëtare e Konventës Rajonale të UNESCO-s për njohjen e studimeve, diplomave dhe gradave të arsimit të lartë në Amerikën Latine dhe Karaibe, ndërsa më 15 nëntor, ajo ratifikoi Konventën Rajonale të rishikuar të UNESCO-s për njohjen e studimeve, çertifikatave, diplomave, gradave dhe titujve të tjerë të arsimit të lartë në shtetet afrikane. Së fundi, më 15 janar 2019, Selia e Shenjtë, në emër dhe për llogari të Shtetit të Vatikanit, u anëtarësua në Konventën e Këshillit të Evropës të 21 marsit 1983 për transferimin e të dënuarve, si edhe në Protokollin shtesë të Konventës, të datës 18 dhjetor 1997. Njëkohësisht, u ratifikua Protokolli, i cili ndryshon Protokollin Shtesë të Konventës për transferimin e të dënuarve, që mban datën 22 nëntor 2017.

12 janar 2020, 09:10