Kërko

Vatican News
Fjala e Zotit,  gjate Meshes papnore ne Baziliken e Shen Pjetrit ne Vatikan Fjala e Zotit, gjate Meshes papnore ne Baziliken e Shen Pjetrit ne Vatikan  (AFP or licensors)

E Diela e Fjalës së Zotit: ta lexojmë Biblën, për të rizgjuar fenë

Të shumta, nismat në program, për këtë të Diel, kushtuar Fjalës së Zotit, që kremtojmë sot, më 26 janar 2020. Pas Meshës në Bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku u dorëzoi Biblën 40 vetëve, përfaqësues të fushave të ndryshme të jetës shoqërore. Nisma synon që të gjithë të krishterët ta vlerësojnë njohjen e Fjalës së Zotit. E është edhe një hap përpara në udhën e dialogut ekumenik.

R. SH. - Vatikan

Të ofrojë një përmasë unitare të të gjitha nismave, që promovon Kisha katolike në botë, në nivel lokal, për ta përhapur kudo Fjalën e Zotit; t’i japë   shtytje leximit të Biblës, në kuadrin baritor; të jetë një hap i ri në dialogun ekumenik; t’i nxisë të krishterët ta heqin nga lëpizat e pluhurosura mjetin, që e zgjon fenë tonë: Biblën! Këto, qëllimet e shumta e plot kuptim të së Dielës kushtuar Fjalës së Zotit, që u kremtua sot, për herë të parë, pasi u paraqit këto ditë në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë nga imzot Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për promovimin  e Ungjillëzimit të Ri.

E diel, e themeluar nga Papa

E Diela e Fjalës së Zotit është nismë, që Papa Françesku ia beson gjithë Kishës, me qëllim që “bashkësia e krishterë të përqendrohet  mbi vlerën e madhe të Fjalës në jetën tonë të përditshme (Aperuit illis 2). Më 30 shtatorin e kaluar, me rastin e 1600 vjetorit të vdekjes së Shën Jeronimit, studiuesit të madh të Shkrimit Shenjt dhe përkthyesit të tij në latinisht nga tekstet origjinale, Ati i Shenjtë publikonte Letrën Apostolike Aperuit illis, me të cilën themelonte këtë të Diel, që po kremtohet sot.

Nisma ungjillëzuese

Kujtojmë se, duke pasur parasysh nismat e shumta kushtuar njohjes së Biblës, organizuar nga bashkësi të ndryshme të krishtera, Papa deshi t’u përgjigjej kërkesave të vazhdueshme, drejtuar nga populli i Zotit, që mbarë Kisha të mund t’i kremtonte njëzëri ndjetet e të Dielës të Fjalës së Zotit. E kjo e Diel synon pikërisht t’i nxisë besimtarët për ta njohur Shkrimin Shenjt e për ta mbajtur gjallë, përmes transmetimit dhe kuptimit të thellë të tij.

Vlera ekumenike

Në këtë kornizë, nuk mund ta kalojmë në heshtje edhe vlerën ekumenike të kësaj së Diele. Papa Françesku vendosi të kremtohet gjithnjë në të Dielën III të Kohës së zakonshme të Vitit liturgjik, që bie fare pranë Ditës së dialogut ndërmjet hebrenjve dhe katolikëve si dhe Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve. Nuk është, prandaj, përkim i rastit, por zgjedhje,  që kërkon  të shënojë një hap të ri në dialogun ekumenik, duke e vënë Fjalën e Zotit në zemër të vetë angazhimit, që të krishterët janë të ftuar ta realizojnë ditë për ditë.

Logoja e nismës

Nisma ka edhe logon e vet. Është një skenë biblike shumë e njohur, ajo e dishepujve të Emmausit për udhë, në çastin  kur  ndeshen me Krishtin e ngjallur. Ikona vë në pah një mori aspektesh, që përkojnë me domethënien e së Dielës të Fjalës së Zotit. Të bien menjëherë në sy personazhet, së bashku me Krishtin. Jezusi mban në duar “rrotullën e Librit”, domethënë, Shkrimin Shenjt, që përmbushet në Vetjen e Tij, Fjalë e gjallë, e cila i duhet kumtuar botës.

Programi i ditës

Dita kremtore nisi në orën 10.00. Papa kryesoi Meshën Shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit. Mbi altarin papnor qe vendosur shtatorja e Zojës së Knock, Pajtore e Irlandës,  që u nis me këtë rast nga Shenjtërorja e saj, e shoqëruar nga një grup besimtarësh, kryesuar nga kryeipeshkvi i Tuam, imzot Michael Neary dhe nga rektori i Shenjtërores, atë Richard Gibbson. Kremtimin e shoqëruan dy kore: kori i Shenjtërores, dhe kori i Kapelës Sikstine.

Dorëzimi i Biblave

Në përfundim të kremtimit eukaristik, Papa Françesku kreu një gjest simbolik: u dorëzoi Biblën 40 vetëve, përfaqësues të të gjitha fushave të shoqërisë, duke nisur nga ipeshkvi, tek i huaji; nga meshtari, tek katekisti; nga rregulltari, tek polici; nga roja zvicerane, tek diplomati ardhur nga anë e anës; nga pedagogët universitarë, tek mësuesit e fillores; nga varfanjaku, tek gazetari; nga xhandari, tek i burgosuri që kryen dënimin në gjendje gjysëm të lirë; nga familjet, tek sportistët…. Biblën e morën edhe disa përfaqësues të Kishave ortodokse dhe të bashkësive ungjillore.

Material ndihmës në gjashtë gjuhë

Ndërsa dilnin nga Bazilika, pjesëmarrësve iu dorëzua një botim i posaçëm  i Shkrimit Shenjt, shtypur me këtë rast, ofruar nga Shtëpia Botuese e Shën Palit. Për ta kremtuar këtë të Diel të Fjalës së Zotit, u përgatit edhe një material baritor ndihmës në gjuhën italiane, përkthyer menjëherë në gjuhën franceze, spanjolle, portugeze, polake dhe angleze, në ndihmë të famullitarëve dhe veprimtarëve baritorë, që mund të gjejnë në të ide e mjete të përshtashme  për gjallërimin e kësaj dite. Ditë, që synon  t’i nxisë  të krishterët të mos e vendosin Biblën në lëpizë, si të ishte libër i zakonshëm, por si mjet që na rizgjon në shpirt Fjalën e Zotit”. Fjalë- themel i të gjithë veprimtarisë baritore, sepse është zemra e predikimit. Prej këndej, Bibla nuk mund të shikohet si libër për t’u studiuar nga specialistët a për t’u lexuar vetëm në disa çaste të caktuara. Kushtetuta dogmatike Dei Verbum, që flet për dukjen e Fjalës së Zotit, thekson se populli i krishterë u ushqye gjithnjë me Fjalën e me Korpin dhe Gjakun e Krishtit, që vendosen mbi altar, gjë që na kujton sa nevojë kemi për Fjalën e për Krishtin!”.

 

24 janar 2020, 11:28