2020.01.06 GIORNATA DELL’INFANZIA MISSIONARIA 2020.01.06 GIORNATA DELL’INFANZIA MISSIONARIA 

Dita misionare e fëmijëve

Dita Misionare e Fëmijëve, është Dita në të cilën fëmijët e të rinjtë kremtojnë faktin se janë protagonistë të solidaritetit dhe të impenjimit për të përhapur Ungjillin në gjirin e bashkëmoshatarëve.

R.SH. - Vatikan

6 janari, solemniteti i Dëftimit të Zotit, është edhe Dita Misionare e Fëmijëve, në të cilën fëmijët e të rinjtë kremtojnë faktin se janë protagonistë të solidaritetit dhe të impenjimit për të përhapur Ungjillin në gjirin e bashkëmoshatarëve.

Dita Botërore e Fëmijëve Misionarë, ёshtё festa e fëmijëve të krishterë që e përjetojnë me gëzim dhuratën e fesë dhe luten që drita e Jezusit t’u shkojë të gjithë fëmijëve të botës. Në të gjitha Kishat e Shenjtёroret, lëmoshët e mbledhura sot përdoren për financimin e projekteve të ndryshme misionare të fëmijëve në të gjithë botën.

Kur ёshtё themeluar kjo Ditё Botёrore e Fёmijёve Misionarё?

Kjo ditë është themeluar nga ipeshkvi francez, imzot Forbin Janson në vitin 1843, u organizua nga Vepra Papnore për Fëmijërinë Misionare, e që nga viti 1950 me vendimin e Papës Piu XI, kremtohet në ditën e festës së Dëftimit të Zotit.

Duke lexuar letrat e shumë misionarëve nga Kina, imzot Forbin Janson i bënë përshtypje kushtet e fëmijëve dhe varfëria e tyre. Pas takimit me themeluesen franceze të një vepre tjetër misionare – atë të Përhapjes së Fesë (Propaganda Fide) – Paulina Jarico, i erdhi ndërmend të përfshinte fëmijët në veprën solidare të ndihmës për fëmijë të tjerë në botë e njëkohësisht, t’i edukonte fëmijët të bëheshin misionarë.

Ka ndonjë arsye të veçantë që është zgjedhur festa e Dëftimit të Zotit për këtë Ditë?

Sigurisht. U zgjodh festa e Dëftimit të Zotit, sepse protagonist i saj është gjithnjë Jezusi, Krishti Fëmijë. Pastaj, është edhe festa e dhuratave të Mbretërve Dijetarë, që vijnë nga larg, nga lindja. Kjo dëshmon se të gjithë popujt janë të thirrur ta njohin Jezusin si Mbret, si Zot. Gjithçka mblidhet në këtë Ditë nëpër Kisha e Shenjtёrore, por edhe fondet e mbledhura nga veprimtaritë e shumta të fëmijëve gjatë Kohës së Ardhjes, shkojnë në fondin universal të solidaritetit. Më pas, përmes Sekretariatit ndërkombëtar të Veprave Papnore Misionare, sinjalizohen projektet për t’u financuar nё vendet e varfra e misionare. Në këtë çast, sigurisht, fëmijët e zonave të konfliktit janë ata, që kanë më tepër nevojë.

Sa fëmijë e të rinj bëjnë pjesë në Veprën Papnore të Fëmijëve Misionarë?

Çdo fëmijë i pagëzuar është anëtar i Veprës së Fëmijëve Misionarë, edhe atëherë kur nuk e di. E kjo, sepse çdo fëmijë i pagëzuar ngarkohet menjëherë me misionin për të ungjillëzuar. E, ja pra, pse  Vepra Papnore e Fëmijëve Misionarë i kushton vëmendje të dorës së parë punës për t’i bërë fëmijët të vetëdijshëm për rolin e tyre, si protagonistë në jetën e Kishës. Ka rëndësi, pra, ta mbajmë gjithnjë të zgjuar këtë vetëdije të rolit misionar. E, në këtë kuptim, të gjithë fëmijët e pagëzuar janë anëtarë të Fëmijërisë Misionare.

 Ç’duhet të ketë parasysh një fëmijë në jetën e tij të përditshme, për të qenë misionar?

Mbi të gjitha, sjelljen: të japë dëshmi me sjelljen e vet, duke u përpjekur të merret vesh me bashkëmoshatarin, që ka pranë, ta ndihmojë të kuptojë se është Biri i Zotit e se Zoti është gati t’ia dhurojë edhe atij dashurinë e Tij, pa të cilën nuk mund të kuptohet vetë jeta.

Kujtojmë se kjo vepër papnore ka si moto: “fëmijët ndihmojnë fëmijët” dhe mbledh kontribute për të realizuar projekte në të gjithë botën pёr tё ndihmuar fëmijët e varfër. Kremtimi i Ditës Botërore Misionare të fëmijëve bëhet në nivelin e famullive kishtare e të dioqezave.

Sivjet, tema e nismës, frymëzohet nga tema e tetorit tё kaluar misionar, sipas dëshirës sё Papës Françesku, mbi temёn “Tё Pagëzuar e tё dërguar”, dhe është tema: "Tё dërguar për të ripёrtёrij botën".

Fëmijët janë e tashmja jonë e jo vetëm e ardhmja: kujdesemi për ta, duke i bërë të provojnë gëzimin, lutjen dhe bashkëpunimin, edhe në vështirësi”. Kështu thotë sekretarja e përgjithshme e Veprave Papnore të Fëmijëve Misionarë, motër Roberta Tremarelli, për agjencinë katolike Fides, në prag të 6 janarit, solemnitetit të Dëftimit të Zotit, ditë në të cilën, në shumë vende, kremtohet edhe Dita e Fëmijëve Misionarë.

06 janar 2020, 20:31