Kërko

Vatican News

Dita e 54-t Botërore e Komunikimeve Shoqërore. Ruffini: “Historitë janë të këqia kur tregohen keq”

Flet prefekti i Dikasterit për Komunikimin në Selinë e Shenjtë, Paolo Ruffini, i cili komenton Mesazhin e Papës Françesku për Ditën e 54-t Botërore të Komunikimeve Shoqërore, me temë “‘Që ti të mund ta tregosh e ta ngulësh mirë në kujtesë’(Dal 10,2). Jeta bëhet histori”.

R.SH. - Vatikan

Menjëherë pas publikimit të Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 54-t Botërore të Komunikimeve Shoqërore, me temë “‘Që ti të mund ta tregosh e ta ngulësh mirë në kujtesë’(Dal 10,2). Jeta bëhet histori”, prefekti i Dikasterit për Komunikimin në Selinë e Shenjtë, Paolo Ruffini, komenton mendimet dhe idetë e Papës për një profesion të vështirë, siç është ai i gazetarëve dhe i njerëzve të komunikimit në përgjithësi.

Nga ideja e komunikimit, në atë të tregimit

         Duket qartë se Ati i Shenjtë ndjen nevojën për të kaluar nga ideja e komunikimit, në atë të tregimit, siç bëhej motit rreth vatrës. Janë tregime, që dalëngadalë na formojnë identitetin, nënvizon Ruffini për agjencinë katolike italiane Sir. Fillimisht ishte Fjala, thotë Ungjilli. E, siç shkruan Papa në Mesazh, “për të mos e humbur rrugën, kemi nevojë të marrim frymë me të vërtetën e historive të mira: histori, që formojnë e jo që shkatërrojnë; histori, që na ndihmojnë të gjejmë rrënjët dhe forcën për të ecur përpara së bashku”. Gazetari arrin ta bëjë këtë kur i jep kuptim racional dhe emotiv fluksit të informacionit, të cilin e shndërron në histori jete; “kur përveç problemeve arrin të propozojë rrugëdalje; përveç paraqitjes të së keqes sheh edhe shëlbimin e mundshëm; kur arrin t’i bashkojë fragmentet e globalizimit, që karakterizojnë kohën tonë”, nënvizon Paolo Ruffini.

Mediat e krishtera nuk i referohen vetvetes

         Kreu i komunikimit vatikanas citon gazetaren e famshme të CNN-it e të ABC-së, Christiane Amanpour (e njohur për mbulimin gazetaresk të Luftës së Gjirit Persik dhe të luftrave të Ballkanit, përfshirë atë të Kosovës), e cila thoshte: “detyra e gazetarit është të tregojë historinë në një situatë, ku e vërteta nuk është gjithmonë e qartë. Ekskluziva e vetme, të cilën vërtet mund ta mbrojmë, është ajo që vjen nga marrëdhëniet e drejtpërdrejta me njerëzit”. “Ishte mënyrë për të pohuar se e vërteta është diçka që kërkohet vazhdimisht e lind nga hetimet mbi realitetin”, thekson më tej në intervistë me agjencinë Sir, Paolo Ruffini. Gazetari duhet të jetë brenda historive, që pastaj, krijojnë historinë botërore. Për mediat e krishtera kjo do të thotë të mos paraqitemi si botë e veçantë, që i referohet vetëm vetvetes.

Mediat e krishtera e tregojnë botën me sytë e Zotit

         “Bibla – vijon prefekti i Dikasterit të Komunikimit në Selinë e Shenjtë – nuk është histori e mbyllur. Është Fjala e Zotit edhe për sot. E na kërkon ta jetojmë kohën tonë me këndvështrimin e Zotit. Në këtë kuptim, komunikatorëve u kërkohet ta interpretojnë dhe ta dekodifikojnë realitetin përmes syve të Zotit. Vështrimi i Jezu Krishtit – pati thënë Papa Françesku në Mesazhin për Ditën XXX Botërore të Rinisë – nuk është neutral apo, edhe më keq, i ftohtë e i largët, sepse Krishti sheh gjithmonë me sytë e zemrës. Prandaj, për t’i parë gjërat përtej dukjes, përveç syve duhet përdorur zemra. Vetëreferimi është i kundërt me vështrimin e Zotit. Është pasojë e asaj, që Papa e quan kardiosklerozë”.

Përgjegjësia ka të bëjë me qëndrimin ndaj lajmit

         Nganjëherë, edhe në botën kishtare, i ashtquajturi “storytelling”, pra, tregimi i ngjarjeve, shihet me dyshim, sepse konsiderohet tepër i ngjashëm me “narracionin politik”, që synon manipulimin e zgjedhësve. Për gazetarin e krishterë, kjo është çështje përgjegjësie. “E përgjegjësia – vijon komentin për agjencinë Sir, Paolo Ruffini – ka të bëjë jo aq me përmbajtjen, sa me qëndrimin që mbahet. Tregimi i ngjarjeve mund të bëhet duke përdorur të vërtetat, por edhe gënjeshtrat; mund të ketë një këndvështrim të pastër, por edhe të ashpër; mund të ndërthuret me paragjykime, por edhe me mëshirë; mund të kërkojë të mirën e përbashkët, por edhe të kënaqet, duke vënë në dukje të keqen”. Janë elemente, që gjenden në çdo lajm. “Na takon ne – vëren Ruffini – t’i japim tregimit të njëjtin kuptim, të njëjtin funksion, që i dha dhe i jep Zoti. Na takon ne ta tregojmë historinë për atë pjesë, që na është caktuar. Na takon ne të mos heqim dorë nga përgjegjësia, që kemi. Sot, më shumë se kurrë”.

“Historitë jo të mira” nuk e luftojnë të keqen

         Në Mesazhin e sotëm të Papës lexohet se jo të gjitha historitë janë të mira, por ia vlen të tregohen edhe ato të këqia. “Historitë jo të mira janë historitë e treguara keq; janë histori, që nuk kërkojnë të vërtetën, por e manipulojnë atë; janë histori, që nuk e zbulojnë gënjeshtrën, por e përdorin atë” – komenton Paolo Ruffini, duke vënë në dukje se shpesh, shohim tituj bombastikë, që nuk respektojnë as të vërtetën e as artikullin, të cilit i shërbejnë si kornizë. Vetëm se, me kohë, e largojnë lexuesin apo shikuesin. Edhe Papa Françesku i quan “histori jo të mira” ato, që nuk hetojnë mbi të keqen për ta luftuar atë, përkundrazi, e mbrujnë tregimin me të keqen.

A duhet ta tregojmë të keqen?

         Por, a duhet ta tregojmë të keqen? Puna është si ta tregojmë, reflekton kreu i komunikimit vatikanas. E për ta shpjeguar këtë merr hua fjalët e ish-drejtorit të emitentes katolike italiane TV2000, Lucio Brunelli. “Realiteti – thoshte Lucio Brunelli – nuk mund të injorohet nga ata, që merren me informacionin. Nuk mund të tregojmë botën e ëndrrave. Nuk do të ishim dëshmitarë të besueshëm. Si profesionistë, si njerëz e si të krishterë. Nga feja katolike më apasionon pikërisht aftësia e saj për ta parë realitetin, një vështrim që nuk censuron asgjë e madje, ‘në shenjat e realitetit’ gjen konfirmimin e vazhdueshëm të së vërtetës se vetëm Krishti mund ta shpëtojë njeriun… Prandaj, realiteti mund të shkaktojë dhimbje, por, në analizë të fundit, nuk mund ta frikësojë besimtarin. Është këndvështrimi i tregimtarit, që e bën këtë dallim”.

Të veprojmë për të mirën

E Ruffini nuk harron edhe rastin e mëkateve të njerëzve të Kishës, që ka gjithnjë rrezik të krijojnë shkandull në popull. Nganjëherë, thekson, e gjejmë të keqen edhe tek ai, që s’e prisnim kurrë të na tradhtonte në atë mënyrë. Por e keqja nuk duhet fshehur. “Ka dy mënyra për të reaguar përballë së keqes – vëren prefekti. – Njëra është të dorëzohemi. Të mendojmë (duke gabuar) se e keqja ka fituar tashmë. Tjetra është të reagojmë. Të besojmë në dinamizmin e së mirës, të së bukurës, të së drejtës. Të besojmë në mundësinë e shëlbimit. Të veprojmë për të mirën. Kjo është historia e njeriut. Kur e shohim atë me sytë e Zotit, edhe tregimi ynë bën pjesë në udhën drejt shpërblimit personal e kolektiv të historisë”.

24 janar 2020, 14:14