Kërko

 Urimet  e Papës, Trupit Diplomatik Urimet e Papës, Trupit Diplomatik 

Diplomatët - Papës: veprimtaria juaj është shpresë për shumë popuj!

Në audiencën e Françeskut me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, dekani Georgios F. Poulides, ambasador i Qipros, i drejtoi Papës urimet në emër të të gjithë kolegëve. Në vijim e falënderoi për veprimtarinë e tij të palodhshme në favor të dialogut, të paqes, të solidaritetit, të ekologjisë së gjithanshme e të takimit ndërmjet breznive.

R. SH. - Vatikan

Pikërisht një vit më parë, duke i takuar anëtarët e Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Papa i pati ftuar “të besojnë në vlerat e diplomacisë së shumanshme”. Dekani, Georgios F. Poulides, e kujtoi këtë, duke vërejtur se edhe sot e kësaj dite vijojnë të afirmohen nacionalizmat e partikularizmat, shenja paralajmëruese të konflikteve aq, sa “të mund të flitet për një luftë  të re botërore pjesë-pjesë”. Në të kaluarën - vijoi -  nga mungesa e diplomacisë së dialogut, shpërthyen njëra pas tjetrës luftëra të nxehta e të ftohta por - vërejti më tej -“sot jemi ende në kohë për t’i korrigjuar gabimet e së kaluarës”.

Gjestet dhe fjalët e Papës gjatë shtegtimeve të vitit të kaluar

Dekani rikujtoi gjithë 2019-tën, përmes shtegtimeve të shumta që kreu Papa Françesku gjatë vitit, të sapopërfunduar. Duke nisur nga shtegtimi në Emiratet Arabe, ku nënshkroi Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor, së bashku me Imamin e Madh të Al Azhar, Ahmad Al-Tayyeb; në Marok, pastaj, ku kujtoi çka është më themelore për një shoqëri të hapur, plurale, solidare: “Të ecësh vazhdimisht e pa asnjë lëshim në udhën e kulturës së dialogut”. Poulides kujtoi edhe ftesën e Papës drejtuar të krishterëve të Kishave të ndryshme, posaçërisht gjatë shtegtimeve të tij në Rumani, Bullgari e në Maqedoninë e Veriut, për ta pranuar njëri-tjetrin si vëllezër në larmi.

Në Azi e në Afrikë, thirrjet për solidaritet e paqe

Duke folur për shtegtimet në Azi, dekani i Trupit Diplomatik nënvizoi  theksin që vuri Papa “mbi nevojën e një etike globale solidarieti e bashkëpunimi”, duke kujtuar, në Tajlandë, mikpritjen e refugjatëve e në Japoni, imoralitetin e armëve bërthamore e duke përjashtuar çdo ide, "sipas së cilës paqja mund të ndërtohet mbi frikën e shkatërrimit reciprok”.

Duke hedhur vështrimin në Afrikë, diplomati vuri në dukje se kur ndjek hapat e Papës, “paqja e pajtimi të duken procese reale”. Në Mozambik, Madagaskar e Mauritius - vërejti - Papa Françesku inkurajoi fuqizimin e paqes, duke nxitur për ta respektuar ambientin, drejtësinë shoqërore dhe integrimin ndërmjet etnive e kulturave të ndryshme.

Edukimi dhe dialogu ndërmjet breznive

Georgios F. Poulides nnvizoi akoma rolin kryesor, që ka për Papën, takimi ndërmjet breznive. Prej këndej, kujtoi edhe takimin botëror të 14 majit të ardhshëm, organizuar sipas dëshirës së Papës, me synimin e formimit “të një aleance të gjerë edukative ndërmjet të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë për e me të rinjtë”.

Dashuria për njerëzimin, që na thërret

Së fundi, falënderimi i përzemërt drejtuar Papës që “e shtyn Kishën dhe ne të gjithë, ta shikojmë me dashuri e shpresë njerëzimin e  shekullit XXI”. Këtë njerëzim që, siç thotë vetë Françesku, cituar nga dekani, thërret, kërkon e nxit, domethënë, bën thirrje për të dalë jashtë vetvetes e për të mos pasur kurrë frikë nga ndryshimet”.

09 janar 2020, 16:23