Santissimo Nome di Gesu Santissimo Nome di Gesu 

Më 3 janar Kisha kremton festën e Emrit të Shenjtë të Jezusit

Gjatë jetës së Tij tokësore, Mesia u quajt me emrin Jezus, emër të cilin ia ngjiti Shën Jozefi, pasi engjëlli i Zotit i u duk në ëndërr e i tha: “Jozef, Bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tënd, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë një djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve”. Prej këndej, emri Jezus ka kuptimin shëlbues

R.SH. - Vatikan

Gjatë jetës së Tij tokësore, Krishti u njoh me emrin Jezus, emër që ia ngjiti Shën Jozefi pasi iu duk në ëndërr Engjëlli i Zotit e i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus!” (Mt. 1, 19-21) .

Emri i Shenjtnueshëm i Jezusit është nderuar gjithmonë që në bashkësitë e para të krishtera, por kulti liturgjik i këtij emri fillon vetëm në shekullin XIV. Shën Bernardini i Sienës, i ndihmuar nga bashkëvëllezërit e tij, posaçërisht nga Alberto Sartiano e Bernardino da Feltre, e përhapi me zell të madh këtë devocion derisa, më në fund, u themelua festa liturgjike. Në vitin 1530 Papa Klementi VII autorizoi Urdhrin Françeskan të lexonte Oficen a Lutjet e Ditёs kushtuar  Emrit të Shenjtnueshëm të Jezusit. Papa Gjon Pali II e rivendosi festën në kalendarin Romak më 3 janar.

Në Bibël edhe Zoti ka një emër: quhet ‘Hyji i etërve’‘Hyji i Abrahamit, i Isakut e i Jakobit’ e sidomos ‘Iahvè’ që do të thotë ‘Ai është!’. Hyji quhet edhe Atë, për të nënvizuar lidhjen e posaçme që ka me popullin e vet.

Në Bibël emri Jezus kujtohet me këto fjalë: “E përuli vetveten, duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, deri në vdekjen në kryq. Prandaj Hyji e lartësoi sa më s’ka dhe i dha emrin, që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju, i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot në nder të Hyjit Atë!”.(Fil “, 8-11).

Emri Jezus
Gjatë jetës së Tij tokësore, Mesia u quajt me emrin Jezus, emër të cilin ia ngjiti Shën Jozefi, pasi engjëlli i Zotit i u duk në ëndër e i tha: “Jozef, Bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tënd, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë një djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve”( Mt. 1, 21-25).

Prej këndej, emri Jezus ka kuptimin shëlbues 
Është emri më i fuqishëm në këtë botë: duke e thirrur këtë emër, shërohen të sëmurët, dëbohen djajtë, bëhen mrekulli, që mendja njerëzore nuk mund t’i përfshijë. 

Hyji Atë i dha Jezusit një emër, që është mbi të gjithë emrat
Ky emër, themel i fesë së krishterë, kërkon nga besimtari të dëshmojë me gojë e të besojë me zemër se Jezusi është Zot e se Hyji e ngjalli prej së vdekuri. Të krishterët e parë janë pikërisht ata, që e njohin Jezusin si Zot. Prej këndej edhe u thirren me emrin e Tij: të krishterë, njerëz që mblidhen në emër të Krishtit, lavdërojnë Hyjin në këtë Emër, sillen në mënyrë të tillë, që emri i Tij të lumnohet e janë gati edhe të derdhin gjakun, në emër të Krishtit!

Emri Jezu i takonte që nga fillimi Atij që quhej kështu, ditën e tetë pas lindjes. Në një farë mënyre, Ai e solli me vete, duke ardhur në botë këtë emër, që shpreh në mënyrë të mrekullueshme esencën dhe misionin e Fjalës së mishëruar. Ai erdhi në botë të shpëtojë njerëzimin. Kur pra, i qe vënë ky emër, qe zbuluar ndërkohë kush ishte dhe cili do të jetë misioni i tij. Shumë në Izrael e kishin këtë emër, por Ai e mbajti në një mënyrë unike, duke ia realizuar plotësisht domethënien: Jezu i Nazaretit, Shpëtimtar i botës.

"Në emrin Jezus, njeriu shikon fillimin e jetës së pasosur; cakun, ku mund të arrijë, kur këmbët ngarkohen me peshën e dëborës, në dimrin e moshës; lartimin kah qielli, i sigurt se toka nuk mund ta ngrehë më prej vetes; daljen prej gjirit të errët të drojës nga vdekja, për të hyrë përgjithmonë në dritë; shikon shëlbimin e mbarë universit!" ( Benedikti XVI).

03 janar 2020, 09:06