Urimet për 50-vjetorin e meshtarisë së Papës: shërbëtor i popullit të Zotit

Bota mbarë shtrëngohet rreth Papës Françesku, që kremton një gjysëm shekulli jete meshtarake. Dioqeza e Romës, posaçërisht, e falënderon me dashuri të veçantë Ipeshkvin e vet me rastin e këtij përvjetori. Kardinali De Donatis thekson: “Po na merr për dore nëpër udhët e njeriut, ‘duke mëshiruar’ me një shikim dashurie e dhembshurie”. Urime edhe nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, “në emër të një populli që Françesku ‘e do fort’”.

R. SH. - Vatikan

Nëse ka një rrezik, nga i cili duhet të ruhet çdo meshtar, është ai i mungesës së vëmendjes për shkëndijën që një ditë, misteriozisht, ia pati përvëluar zemrën. Kjo, thirrja e vazhdueshme e Papës drejtuar klerit. Gjithçka mund të ndodhë, po dashuria e parë nuk duhet harruar kurrë. Edhe nëse lodhja të shtyp e zhgënjimi ta mbyt shpresën, meshtari - pati thënë një herë, e vijon ta përsërisë Papa - duhet të kthehet përsëri në atë pikë të zjarrtë, ku e pati prekur hiri i Zotit “në krye të rrugës”. Sepse pikërisht nga kjo shkëndijë mund të ndizet përsëri zjarri i djeshëm, për të vijuar ndriçimin për sot.

Përgjatë udhëve të njeriut

Papa i ardhur nga fundi i botës, nuk e harron kurrë këtë nevojë themelore: ndaj sot Kisha universale dhe liderët e botëror, që i drejtojnë urimet dhe falënderimet, kanë parasysh pikërisht këtë shërbëtor të popullit të Zotit. Njeri e meshtar, që po na merr për dore nëpër udhët e njeriut, ‘duke mëshiruar’, me një shikim dashurie e dhembshurie” - shkruan kardinali mëkëmbës Angelo De Donatis, në emër të dioqezës së Romës, Dioqezë e Papës. “Papë i një Kishe, që i shkurton distancat e është pranë njerëzve dhe popujve, duke u mishëruar në historitë e tyre - e duke falënderuar Zotin për “këtë histori, që bëhet jetë”.

Për të, lutja e të gjithëve

Në dashurinë e shprehur nga Urbe(Roma), jehon fort edhe dashuria e shprehur nga Orbe(Bota). Jehojnë ndjenjat ngarkuar me përzemërsi të të gjithë bashkësisë së besimtarëve. Pa harruar edhe admirimin e jo të krishterëve, që gjithashtu i vlerësojnë lart përpjekjet e ndërtuesit të urave, i cili nuk lejon, në kohën e mureve, që monedha e mëshirës  të  dredhojë rrugë. E që prek Korpin e Krishtit, i cili jo rrallë ua vret sytë edhe disa të krishterëve. “Për të - shkruan akoma kardinali De Donatis - lartohet drejt Zotit lutja e të vegjëlve, e fëmijëve të bashkësive tona, të cilët ai i bekon  me dashurinë e Atit. Lartohet drejt Zotit për të, lutja e të varfërve, që ai i do në mënyrë të veçantë; lutja e pleqve e të sëmurëve, që i ofrojnë vuajtjet e tyre për Kishën. Për të, edhe lutja e të rinjve, që frymëzohen fort nga entuziazmi i tij i zjarrtë misionar; e edhe lutja e familjeve, të thirrura për të jetuar Gëzimin e Dashurisë. Për të, lutja e ne të gjithëve, të gatshëm për të çuar në të katër anët e botës, Ungjillin e gëzimit”.

Lartohet, përmes Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, edhe lutja e një populli, që Françesku ‘e do fort’”.

Meshtari dhe kuptimi i jetës

Një Ungjill që mund të ketë zë, vetëm nëse shpirti i priftit vijon të jetë mangall plot me prush. Që ushqehet ne Krishtin e i dhurohet “në dalje”, me maturi e guxim - mëson Françesku. Njeri i shpërqendruar, meshtari, sepse “kuptimi i jetës sonë - kujton akoma Papa - është në shprehjen “korpi im i flijuar për ju”.  E në këtë flijim, jeton edhe lumturinë më të madhe!”.

13 dhjetor 2019, 12:17