Kërko

Varrezat Teutonike në Vatikan Varrezat Teutonike në Vatikan 

Tomasito: engjëlli, që prehet pranë Papës Françesku

Vetëm 11 vjeç, Tomasito, një vogëlush argjentinas, humb jetën, për shkak të sëmundjes së kancerit. Papa i sotëm, kardinali i dikurshëm Bergoglio, e dinte mirë historinë e tij dhe e kishte takuar disa herë. Para se të vdiste, fëmija kërkoi të varrosej në Vatikan, që të ishte sa më afër Papës Françesku, i cili ia plotësoi dëshirën.

R.SH. - Vatikan

Fëmijët mund ta përfytyrojnë jetën e amshuar para të tjerëve e, ka shumë mundësi, që Tomasito pati arritur ta shihte mes vuajtjeve të një sëmundjeje pa rrugëdalje. Historia e tij, e shndritur nga drita e fesë, zbulohet sot nga gazeta italiane “La Stampa”. Në të përfshihet edhe Papa i sotëm, kardinali i atëhershëm Jorge Mario Bergoglio, që e pati njohur mirë vogëlushin. Në fakt, Tomasito ishte nipi i sekretares së vikarit të tij të përgjithshëm në Buenos Aires, imzot Joaquín Mariano Sucunza. Me naivitetin e veçantë të fëmijës, në çastin e vdekjes, Tomasito shprehu dëshirën e tij më të madhe. Nuk ishte as lojë, as takim me ndonjë personazh të famshëm, por dëshirë për t’u varrosur në Vatikan, në mënyrë që të ishte afër Papës Françesku. Falë Atit të Shenjtë, Tomasito prehet në Varrezat Teutonike të Vatikanit që nga viti 2015.

Burim dashurie

         “Është dëshmi e bukur”: shpjegon Papa, duke konfirmuar varrosjen e fëmijës në Vatikan. Për Atin e Shenjtë, historia e Tomasitos - vogëlush 11-vjeçar plot jetë, plot impenjime, me një zemër të mirë dhe bujare, ku rritet dashuria për Jezusin -  është “burim dashurie dhe ngrohtësie”. Ai është një filiz i brishtë, ujitur nga feja. Gjethet e kësaj bime përkëdhelin jetën e prindërve, të cilët ishin larguar prej Zotit, por falë Tomasitos, bashkohen në martesë në kishë. Është mrekullia e thjeshtësisë së fëmijës, në gjendje të mbështesë edhe ata që, duke parë përparimin e sëmundjes, do të donin të vdisnin bashkë me djalin. “Qëndrimi e dhembshuria e tij - nënvizon Françesku – i ktheu prindërit në udhën e Zotit”.

Gati për t’u ndarë me këtë botë

         “U përgatit të vdiste”, vazhdon të tregojë Papa, duke kujtuar forcën e pabesueshme të vullnetit e dëshirën e vogëlushit për të mos rënduar mbi të tjerët. Ishte fëmijë i veçantë, sepse i zhytur plotësisht në dashurinë e Zotit. “Ç’do të bësh apo të kesh ndonjë gjë?”: kjo, pyetja e vështirë dhe e pashpresë që i bënë prindërit, në vitin 2013, viti i zgjedhjes së Françeskut në fronin e shën Pjetrit. Ai përgjigjet pa asnjë dyshim: “Dua vetëm një gjë: të varrosem afër Papës në Vatikan”. Fëmija e donte fort Françeskun, që e pati takuar dy herë. I pëlqente kur ai rrinte me njerëzit dhe me të vuajturit. Dëshiroi t’i qëndrojë afër dhe Papa bëri ç’është e mundur t’ia plotësojë këtë dëshirë. U deshën dy vjet, por më në fund, urna me hirin e fëmijës arriti në zemrën e krishterimit.

Afër me Papën

         Sot, “kutiza me hirin e tij - pohon Papa - prehet aty ku donte ai vetë. E ëma erdhi ta shihte: kur i lindi një djalë tjetër e solli këtu, te vëllai i tij i vogël”. Edhe tezja, që i fliste aq shumë për Jorge Mario Bergoglion, kapërceu dy herë oqeanin për të ndenjur pak me nipin. “I bën mirë Papës dhe atyre, që e njohin historinë e Tomasitos, ta dinë se kanë pranë këtë engjëll të vogël, puhizë e lehtë jete dhe një përqafim i dhembshur dashurie”.

06 dhjetor 2019, 18:47