Kërko

 Maria Mbretëreshë Maria Mbretëreshë 

Ti nuk e di se je lakuriq!

Nga predikimi i dytë i atë Raniero Cantalamess-ës, në Vatikan: Kisha – kujtoi atë Cantalamessa në predikimin e tij - duhet të jetë si zëri i fëmijës së vogël. Në një botë krejt të kalamendur nga pasuritë e saj, që e quan të çmendur ke nuk beson në to, duhet t’i flasë me fjalët e Apokalipsit: “Ti nuk e di se je krejt lakuriq!”.

R. SH. - Vatikan

Në një përrallë të famshme të Andersenit, tregohet sesi në pallatin e një mbreti një ditë u dukën disa rrobaqepës. Fjalë pas fjale, ia mbushën mendjen se kishin një stof të mrekullueshëm. Stof i padukshëm për të marrët, i dukshëm vetëm për dijetarët e vërtetë. E ia treguan sakaq stofin. Mbreti nuk pa gjë prej gjëje, po nuk guxoi ta pohonte këtë, nga frika se do ta quanin të çmendur. E po kështu bënë një pas një edhe ministrat e tij, e pastaj edhe mbarë populli. Që nisi t’i besojë rrenës. Rrobaqepësit  gënjeshtarë e veshën Mbretin, domethënë e zhveshën lakuriq, e ashtu “i veshur” doli në paradë, rrugëve të kryeqytetit. Pas tij, ministrat, që populli po i shihte për herë të parë, krejt lakuriq. Po shihte, kështu, sa u vlente lëkura, po nuk guxonte ta thoshte, nga frika se do ta quanin popull i marrë.  E jo vetëm që nuk e thoshin, por madje bënin sikur e admironin bukurinë e rrobave të reja, që kish veshur mbreti. Derisa, në mes të kësaj euforie, u dëgjua zëri i një fëmije fare të vogël, që bërtiti me zë të lartë: “A nuk keni sy për të parë se mbreti është lakuriq?”. Fjalët e fëmijës e prishën magjinë e të gjithë e panë, më në fund e edhe morën guximin të pranojnë se “mbreti me rroba të reja magjike”, në të vërtetë ishte lakuriq!

Kisha – kujtoi në vijim atë Cantalamessa në predikimin e tij - duhet të jetë si zëri i fëmijës së vogël. Në një botë krejt të kalamendur nga pasuritë e saj, që e quan të çmendur ke nuk beson në to, duhet t’i flasë me fjalët e Apokalipsit: “Ti nuk e di se je krejt lakuriq!”.

Në Magnificat vërehet sesi Maria flet profetikisht në emër të Kishës: ajo, e para, ngre zërin, duke u nisur nga Zoti, për ta parë lakuriq varfërinë e hatashme të pasurisë së kësaj bote. E këtu nuk është fjala për diçka që duhet predikuar, por për diçka që duhet praktikuar. Tani - vëren Maria -  Zoti do t’i nxjerrë lakuriq shesheve  gënjeshtrat dhe padrejtësitë e atyre, që sot ulen madhërisht në frone, me dëshira e pasione  nga të cilat vijnë vetëm luftëra, sherre, padrejtësi, ligësi. Po s’u nxorrën lakuriq shesheve, asgjë nuk ndryshon në botë e, nëse duket sikur ndryshon, kjo zgjat vetëm pak ditë, për t’u kthyer gjithçka si më parë, nëse nuk zhduken nga rrënjët, mbretërit, të cilët gënjehen e gënjejnë, si në përrallën e Andersenit, që tingëllon edhe sot e kësaj dite, si të ishte e vërtetë.

Maria na mëson të ecim në rrugën e Zotit. Magnificat është shkollë e mrekullueshme urtie ungjillore.

13 dhjetor 2019, 17:09