2018.12.17 Presepe Sant'Anna in Vaticano 2018 2018.12.17 Presepe Sant'Anna in Vaticano 2018 

Simbolet e Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit

Betlehemi përfaqëson një traditë të rrënjosur thellësisht në kulturën popullore të shumë kombeve dhe vendeve duke filluar nga Italia e tutje. Pra, Betlehemi na ndihmon të kuptojmë pse mesazhi i Shpellës së Betlehemit është gjithnjë aktual.

R.SH. - Vatikan

Brenda 10 ditësh, natën e 24 dhjetorit, do të kremtohet festa e Krishtlindjes. Tashmë ndjehen hapat e saj të heshtura që shkelin mbi kalldrëmin e Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan. E Papa na porosit ta gjejmë një çast, kësaj koha, për t’u ndaluar në heshtje e për ta përfytyruar Zojën e Bekuar dhe Shën Jozefin në shtegtim drejt Betlehemit. Për t’i ndjekur me mend e me zemër kah ecin… Për t’i përfytyruar si shkojnë... Për ta dëgjuar trokitjen e hapave të tyre, peshën e lodhjes, por edhe harenë, që u gurron në shpirt nga pritja e bukur. Emocionin nga ëndrra, që po  bëhet realitet. Por edhe ankthin nga e panjohura në këtë shtegtim të vështirë e të lum njëherësh, drejt një vendi të huaj, ku nuk i pret askush e ku mund të mos gjejnë as strehë…

Për këtë na porosit Papa, që në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot i përcolli mbarë njerëzimit atmosferën e solemnitetit - për udhë - duke i folur nga dritarja e Engjëllit, mbi Sheshin e Vatikanit, ku Krishtlindja tashmë ndjehet fort me simbolet e veta! E vërtet Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, nisi të stolisej me kohë, për ta pritur lindjen e Foshnjës Hyjnore – Jezu Krishtit. Me vetëdijen se mbarë bota tashmë do të fillojë të mblidhet, fizikisht a shpirtërisht, këtu, rreth Shpellës së Betlehemit, që pret Mesnatën e lume të 25 dhjetorit, për ta parë Krishtin Foshnje mbi kashtën e freskët të grazhdit.

Në këtë periudhë dimri, para festës së Krishtlindjes, në Sheshin e Shën Pjetrit, njerëzit mblidhen vazhdimisht në këtë vend simbolik, sepse njëri nga sheshet më të bukura në botë, por kësaj radhe vijnë edhe për t’i soditur simbolet e festës se Krishtlindjes, Bredhin dhe Shpellen e Betlehemit, qe janë elemente tipike të asaj atmosfere të Krishtlindjes, që bën pjesë në trashëgiminë shpirtërore të bashkësive tona. Është atmosferë feje e gëzimi në familje, të cilën duhet ta ruajmë në shoqëritë e sotme, ku nganjëherë të krijohet përshtypja se mbisundon gara e konsumizmit, që i shtyn njerëzit të kërkojnë vetëm vlerat materiale. Krishtlindja është festë e krishterë dhe simbolet e saj – Shpella e Betlehemit e Bredhi i zbukuruar me dhurata – na kujtojnë posaçërisht misterin e mishërimit e të Lindjes së Krishtit, Mbretit të Universit.

Bredhi i Krishtlindjes si shenjë e jetës dhe e përshpirtërisë popullore, është simbol që duhet ruajtur, në një shoqëri e cila ka prirjen të zgjedhë simbolet e konsumizmit. Bredhi madh i Krishtlindjes, sivjet ka ardhur nga pyjet e dendura të Triveneto e Italisë, pas një shtegtimi të gjatë, të mbush përplot me dritë,  duket para syve të mahnitur të njerëzve me gjithë madhështinë, që i takon. Natyrisht: është njëri nga protagonistët e Solemnitetit, i soditur nga mbarë bota.

Pastaj, gjithnjë në Sheshin e Shën Pjetrit, gjendet edhe simboli tjetër i Krishtlindjes, Shpella e Betlehemit, që  siç u kujtoi Papa besimtarëve, gjatë kësaj kohe të Ardhjes, duhet të ndjekim Familjen Shenjte në shtegtim kah Betlehemi, drejt së cilës shtegtojnë Maria, nëna e virgjër e Jezusit, e ati i kujtuar, Jozefi. E kur të mbërrijmë aty, të ndalemi e të sodisim Mrekullinë e Shpellës së Betlehemit, e cila për të krishterët, është rikujtim artistik e simbolik i ngjarjes më të madhe të historisë njerëzore: lindjes, në Betlehem, të Jezusit, Shëlbuesit të botës e Zotit, që u bë njeri, për të banuar ndër ne.

Siç pati thënë një herë Mëkëmbësi i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit, kardinali Anxhelo Komastri, Shpella e Betlehemit na kujtoi një të vërtetë të madhe, që duhet t’ia përsërisim vetes gjithë vitin:“Po të donte, Krishti mund të kishte lindur në Pallatin e Perandorit, këtu, në Romë. Ose në pallatin më të përmendur të mbretërve, të të gjitha kohëve. Mund të kishte lindur kur e ku të donte. Po ai lindi në Betlehem, në varfëri, në stallë, mbi kashtë, për të na kujtuar një të vërtetë tejet të rëndësishme: lumturia nuk blihet me para; nuk ka dyqan, që shet lumturi; as bankë, që jep çekë lumturie. Lumturia nuk shitet, nuk dhurohet, varet nga zemra e mirë, që s’di ç’është ligësia. Lumturia është pasuri e zemrës, ku banon Zoti!”.

Pra, Betlehemi përfaqëson një traditë të rrënjosur thellësisht në kulturën popullore të shumë kombeve dhe vendeve duke filluar nga Italia e tutje. Pra, Betlehemi na ndihmon të kuptojmë pse mesazhi i Shpellës së Betlehemit është gjithnjë aktual.

Të gjitha shpellat e Betlehemit, realizuar në Kisha, shtëpi, vende publike, janë ftesë për t’i bërë vend Zotit  në jetën tonë dhe në shoqërinë tonë. Edhe kështu mund ta jetojmë gëzimin e Krishtlindjes - na kujton të gjithëve Papa Françesku. 

15 dhjetor 2019, 13:45