Kërko

Vatican News
 Greccio santuario San Francesco Presepe Natale Greccio santuario San Francesco Presepe Natale 

Shpella e parë e Betlehemit dhe vijimi i traditës

Tashmë shumë prej nesh i kanë ngritur Shpellat në shtëpitë e veta. Prandaj të reflektojmë mbi pasqyrimin në art të Shpellës së Betlehemit e, sidomos, Shpellës së parë me figura të gjalla, ngritur nga Shën Françeku i Asizit në Greçio të Italisë. Lindja e Krishtit bëhet një nga temat kryesore të artit kishtar që nga fillimi i shekullit IV. Ndërmjet qindra veprave që u realizuan, duke nisur nga ky shekull, spikasin për vlerat e tyre, paraqitja e Lindjes së Krishtit dhe adhurimi i Mbretërve ,

R.SH. - Vatikan

Tashmë shumë prej nesh i kanë ngritur Shpellat e Betlehemit, që simbolizon skenën e lindjes së Krishtit, në shtëpitë e veta. Prandaj të reflektojmë mbi pasqyrimin në art të Shpellës së Betlehemit e, sidomos, Shpellës së parë me figura të gjalla, ngritur nga Shën Françeku i Asizit në Greçio të Italisë.

Lindja e Krishtit bëhet një nga temat kryesore të artit kishtar që nga fillimi i shekullit IV. Ndërmjet qindra veprave që u realizuan, duke nisur nga ky shekull, spikasin për vlerat e tyre, paraqitja e Lindjes së Krishtit dhe adhurimi i Mbretërve në diptikun e shekullit V, me pesë pjesë, realizuar në fildish, stolisur me gurë të çmuar, që mund të admirohet edhe sot në Katedralen e Milanos; mozaikët e Kapelës Palatine në Palermo, të Baptisterit të Kishës së Shën Marisë në Venedik, të Bazilikave të Shën Marisë në Trastevere e Shën Marisë së Madhe në Romë. Në këtë bazilikë romake, kisha më e vjetër kushtuar Virgjërës Nënë, Shpella e Betlehemit u realizua me teknikën e afreskut që në vitin 600. U quajt “Sancta Maria ad Praesepem”. Të krishterët luteshin para kësaj Shpelle me të njëjtin devocion që kishin shtegtarët, të cilët shkonin me shumicë në Betlehem të Judesë, në shpellën e vërtetë, që konsiderohet si vendi ku lindi Jezusi e ku, me dëshirë të Shën Helenës (nënës së Perandorit Kostandin) u ngrit në vitin 326 Bazilika e Lindjes së Krishtit.

Në këto vepra, ndër të cilat ndjehet fuqimisht ndikimi lindor, pikturohen në radhë të parë Shpella, e cila asokohe përdorej për të mbajtjen e kafshëve, dhe Engjëjt lajmëtarë, ndërsa Maria e Jozefi pikturohen herë të ngjashëm me hyjnitë, e herë si figura të dorës së dytë, gati-gati si të mos kishin të bënin fare me ngjarjen që paraqitej. Duke nisur nga shekulli XIV Lindja e Krishtit pikturohet nga artistët më të famshëm, që e realizojnë në afreske, piktura, skulptura, qeramikë, argjend, fildish e vetrata, të cilat zbukurojnë Kishat, banesat e fisnikëve ose të pasanikëve që bënin porosí në mbarë Evropën. Kujtojmë emrat e piktorëve të shquar Xhoto, Filipo Lipi, Piero dela Françeska, Perugjino, Dyrer, Rembrandt, Pusë, Zurbaran, Murilo, Korregjo, Rubens e shumë të tjerë.

Shpella e parë e Betlehemit, siç e shikojmë të realizuar edhe sot, sipas traditës, nis me Shën Françeskun. Varfanjaku i Asizit pati dëshirë ta rijetonte si të ndodhte atë ditë, skenën natyrore të Lindjes së Krishtit në Betlehem. Në vitin 1223, në Greçio, fshat që ndodhet në krahinën italiane të Umbries, e pasuroi për herë të parë Meshën e Natës së Krishtlindjes me një Shpellë të gjallë Betlehemi, ngjarje që më pas u pikturua me mjeshtri të rrallë nga Xhoto në Bazilikën e sipërme të Asizit.

Vepra e realizuar nga Shën Françesku u quajt Presepio ose Presepe, fjalë latine që do të thotë stallë ose grazhd.
Disa studiues italianë e të huaj mendojnë se nuk ishte Shën Françesku njeriu i parë që u kujtua të ringjallte skenën e lashtë të Betlehemit ku lindi Jezu Krishti. Siç na rrëfen Toma nga Çelano, biograf i Shenjtit të Asizit, në vitin 1222 Françesku i kremtoi Këshndellat në Betlehem, ku ndoqi funksionet liturgjike të lindjes së Jezusit. U mahnit aq shumë, sa, një t’u kthyer në Itali, i kërkoi leje papës Onori III t’i përsëriste ato skena që kishte parë në lindje - për Këshndellat e ardhshme. Por Papa, duke qenë se dramat kishtare ishin të ndaluara, e lejoi vetëm që ta kremtonte Meshën e natës në një shpellë natyrore, në vend që ta kremtonte në Kishë.

Kur erdhi Nata e Shenjtë, te shpella që ishte përgatitur për kremtim, ia behën fshatarët dhe fretërit me pishtarë të ndezur ndër duar. Dukej sikur kishin zbritur gjithë yjet e qiellit në tokë. Brënda shpellës që vendour një grazhd i mbushur me kashtë të freskët e, pranë tij, një ka e një gomar. Françesku, që nuk ishte meshtar, predikoi me frymëzim të zjarrtë para popullit që ishte mbledhur rreth shpellës. Megjithatë nuk mund të themi se kjo ishte një Shpellë e vërtetë Betlehemi, siç e shikojmë sot, domethënë një skenë e Lindjes së Jezusit me tri përmasa, zbukuruar me disa shtatore. Ishte thjeshtë një Meshë e kremtuar në mënyrë të jashtzakonshme në Shpellë, në vend që të kremtohej, si zakonisht, në Kishë. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, në Greçio është ngritur galeria e artit me Shpella Betlehemi, skalitur nga artistë me famë nga mbarë bota. Mungon akoma një Shpellë shqiptare Betlehemi.

10 dhjetor 2019, 08:26